Kulturë

“Zgjimi i pranverës” vlerësohet për regji e estetikë bashkëkohore

Kishte qenë ndër të parat premiera teatrore në vend që pandemia e kishte bërë të pamundur. Më 12 qershor të këtij viti, bash në 21-vjetorin e çlirimit të Prishtinës, “Zgjimi i pranverës”, nën regji të Zana Hoxhës, ishte inskenuar pa praninë e publikut. Drama e gjermanit Frank Wedekind, e cila kishte përjetuar disa herë gërshërët e censurës që prej vitit 1906, në Prishtinë u dha si “ilegalisht”, meqë teatrot e kinematë ishin të mbyllura.

Por e mërkura ishte ditë e veçantë për ekipin e shfaqjes së Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës “Artpolis”. Në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Shkup ajo mori çmimin “Grand Prix”.

Kumti është dhënë të mërkurën nga vetë TKK-ja përmes një kumtese për media. Sipas vlerësimit të jurisë në Shkup, thuhet në kumtesë, shfaqja prishtinase është vlerësuar për konceptin e saj të fortë regjisorial dhe estetikën bashkëkohore teatrore.

“Pas shikimit të të gjitha shfaqjeve, juria e ITF (International Theater Festival) SkupiFestival sjell këtë vendim: Për shkak të konceptit të saj të fortë regjisorial dhe estetikës bashkëkohore teatrore, duke sjellë një ‘drejtim të ri’ të shprehjes teatrore ballkanike, që është në hap me atë evropiane, duke vepruar në fushën e ‘teatrit total’, duke përdorur muzikë, dramë, vallëzim dhe video, me aktrim që shtyjnë kufijtë e zakonshëm, duke përfshirë edhe reagimin e audiencës, juria e ‘Skupi Festival’ përzgjedh ‘Zgjimi i pranverës’, të autorit Frank Wedekind, me regji nga Zana Hoxhës dhe prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Artpolis – Art dhe Qendra e Komunitetit, si: ‘Shfaqja më e mirë’, duke e shpërblyer me çmimin ‘Grand Prix’, në edicionin e katërmbëdhjetë të ITF SkupiFestival”, thuehet në njoftimin e TKK-së.

Për regjisoren Zana Hoxha, çmimi ka ardhur në kohën e pjekjes dhe rizgjimit të saj artistik. Në një prononcim për KOHËN, ajo ka thënë se shfaqja kontemporane në stil, e dhënë para publikut shkupjan, ishte një test i kaluar me sukses.

“Çmimi është një njohje e angazhimit maksimal të tërë ekipit të shfaqjes, e në veçanti të artistëve”, ka thënë Hoxha. “I tërë procesi i realizimit të shfaqjes dhe prezantimi në Shkup u sfidua nga pandemia, mirëpo angazhimi, dashuria dhe respekti për teatrin na motivoi që i tërë ekipi të japim shpirtin tonë në skenë. Teatri do të vazhdojë sa të ketë njerëz”.