Familja Lale nëpërmjet personazheve që përfaqësojnë tri gjenerata, prezantohet në një ndër skenat e para të shfaqjes.
Që në hapje, shpërfaqen qartë ambiciet e tyre për të përvetësuar gjithçka, madje edhe Teatrin.
Ata i kanë shërbyer çdo pushteti si informatorë.
Në katër akte, erdhi premierë shfaqja me tekst të Veton Surroit e regji të regjisorit hungarez, Andreas Urban.
Skenat marrin formën e një mozaiku të ngjarjeve historike që përthekojnë gati një shekull.
Midis teatrit modern dhe atij klasik, me një gjuhë të drejtpërdrejtë, shfaqja ka zbërthyer hapat e shtetit deri te Kushtetuta e vitit 1974, në kuadër të ish-Jugosllavisë për të shkuar te lufta e fundit, raporton “Express” i KTV-së.
Kjo shfaqje bazohet në romanin bestseller të shkrimtarit Veton Surroi, me titull “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”.
Romani u promovua në qershor të vitit 2016 dhe ishte vepra më e shitur gjatë Panairit të librit “Prishtina 2017”.
Shfaqja sjell edhe një përballje satirike në një gjykatë ndërkombëtare.
Është një takim i njohur publikisht, midis një kryeagjenti, një ish-udhëheqësi politik i ndërmjetësuar nga një gazetar.
Dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj, tha se në aspektin konceptual, kjo shfaqje vjen më e matur.
Një drejtues i partisë komuniste dhe një primadonë e teatrit janë kapur në një marrëdhënie dashurie e cila u mbijeton sfidave.
Monologët e Marie Gjonit bartin në fjalë fatin e grave shqiptare, të mishëruara me bindjen dhe pritjen.
Reprizat e para të shfaqjes vijnë sonte dhe nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00.