Drama që sjell së bashku tragjiken dhe komiken në një tregim që përpiqet të kuptojë djallëzinë njerëzore, si dhe dashurinë e pakushtëzuar, është në prag të finalizimit.
“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” me autor Veton Surroin, po inskenohet nën regjinë e hungarezit Andras Urban.
Dramatizimi i tekstit është bërë nga dramaturgu Jeton Neziraj, ndërkohë gjashtë aktorë të trupës rezidente të Teatrit Kombëtar, do t’i jetësojnë rolet e shfaqjes që premierën do ta ketë të hënën mbrëma.
Regjisori Andras Urban, në prapaskenë shprehet i kënaqur me procesin dhe punën e aktorëve.
“Është hera e dytë që punoj në këtë teatër dhe natyrisht që i njoh aktorët, të cilët janë të gatshëm të futen në tema të ndjeshme dhe të përballen me to. Jam i kënaqur me punën e aktorëve. Sa i përket tekstit të dramës së shkruar nga Veton Surroi, është shumë shtresor, dhe trajton një ngjarje historike që është identitet gjatë kohës socialiste. Është një dramë që flet për rrëfimin e dashurisë ndërmjet Met Rrokës dhe Marie Gjonit, pra një politikani dhe primadone të teatrit”, ka thënë Urban.
Rolet e dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, do të portretizohen nga: Adrian Morina, Edona Reshitaj, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Shkelzen Veseli dhe Armend Baloku.
“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” bazohet në romanin bestseller të shkrimtarit Veton Surroi, “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”. Romani u promovua në qershor të vitit 2016 dhe ishte vepra më e shitur gjatë Panairit të librit “Prishtina 2017”.
Premiera e dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, jepet të hënën në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.