Kulturë

“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” – realiteti që lexohet nga e kaluara

Prishtinë, 29 tetor – Rreshtimi para çdo pushteti e shërbimi për të, janë të rrënjosura të paktën në tri gjenerata. Këto duket se janë ngulitur sikurse tri këmbët e shkëmbit të Haxhi Lales para stacionit të trenit në fshat. Është ura lidhëse midis pushtetit e fshatarëve.

Asi ndërmjetësuesi që pushtetit i tregon detaje për secilin udhëtar. Haxhi Lale gjendet në një skenë teatri me të birin e nipin. Që të tre kanë për qëllim që t’ia vendosin emrin e tyre Teatrit Kombëtar. Të sharat mes vete i kanë fjalor të pashmangshëm. E kjo intro, ku shpesh përsëritet se nuk është tekst i shfaqjes, nis t’i hapë rrugë rrëfimit në “Shfaqjen e fundit të Marie Gjonit”, bazuar në dramën e Veton Surroit, nën regji të András Urbán, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që është dhënë premierë të hënën mbrëma.

Haxhi Lale (Shpejtim Kastrati) karrige pune e ka shkëmbin trekëmbësh në llaçin para stacionit të trenit. Spiunon për Jugosllavinë e vjetër, italianët e Luftës së Dytë Botërore, gjermanët, shqiptarët e Shqipërisë e për pushtetin e ri jugosllav. Pos që është informator, Haxhiu edhe si me inat u thotë brigadave ushtarake se filani mban armë, sa për t’ia lëshuar mbi kokë. Shokut Spasoje, që përfaqëson pushtetin komunist, pos që i bindet e është i kompromentuar, i kërkon që të birin, Fehmiun (Armend Baloku), t’ia marrë në shkollë pedagogjike. Është një tentim për largim nga llaçi i fshatit. Fehmiu rekrutohet shpejt si informator. Madje në një nga skenat ai sikur është dëshmitar i arrestimit të Azemit, që nga mënyra se si e përshkruan ngjan shumë me figurën e Adem Demaçit, një kundërshtues i pushtetit i cili për 28 vjet ishte në burg.

Por historia e gati njëqind vjetëve që shpaloset në rrëfimin teatror, ku modernia e klasikja ecin bashkë, ndalet në momente të veçanta të Kosovës. Mehmet Rroka arrin që ta fitojë Kushtetutën brenda ish-Jugosllavisë. Rroka (Shkëlzen Veseli) është një personazh historik, i cili dikur ishte më i pushtetshmi në Kosovë. Të paktën për një dekadë, deri kur protestat studentore bënë që ai të shkarkohej. Dashuria e tij me Marie Gjonin (Edona Reshitaj) jep një tjetër tablo të asaj kohe. Është një dashuri e papërmbushur. Kushtetuta u hyn në punë edhe informatorëve. Fehmi Lale pa pikë dinjiteti e krahason Rrokën edhe me Skënderbeun. E për Lalen, që bën si asi servili që i shkojnë jargët kur i flet shefit, i kërkon që i biri i tij, Toni Lale (Ylber Bardhi), të jetë “diku nga informatat, kah kultura - të jetë gazetar“. Me ritëm të shpejtë shfaqja e punuar me dramatizim të Jeton Nezirajt ecën nëpër historinë e Kosovës. Këngët e plotësojnë atë dhe shpërfaqin konceptin e regjisorit hungarez, András Urbán.

Regjisori i shfaqjes, Urbán, ka ikur shpejt pas shfaqjes për të pirë një kafe. Ka thënë se gjatë procesit të punës mundohet të gjejë momentet që provokojnë realitetin.

Vetë autori i dramës, Veton Surroi, ka thënë se ky rrëfim, si çdo tjetër i cili e shikon një pjesë të së kaluarës, është mirë të përkujtohet dhe të ngacmohet, sepse ngacmimi i përhershëm me gjërat e së kaluarës ndihmon në krijimin e një konteksti të realitetit.

“Regjisori është përpjekur ta dinamizojë, gjë që e ka arritur. Ka futur komponentin e këngës e lojërave të tjera. Është gjuhë bashkëkohore teatrale e cila pa dyshim është e kuptueshme gjithkund ku paraqitet”, ka thënë Surroi.

Realisht, drama kishte nxitur reagime qysh para se të niste të inskenohej.

Aktori Adrian Morina ka thënë se kanë arritur ta bëjnë atë që regjisori e ka pasur në kokë dhe për atë që autori flet në roman e pastaj në dramë.

Dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj ka thënë se si koncept shfaqja del të jetë më e matur sesa stili i regjisorit. Sipas tij, këtë e ka diktuar teksti i Veton Surroit.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)