Kulturë

Servilizmi e komercializimi – defektet e trashëguara të kritikës letrare

Java e Albanalogjise

Dita e tretë e “Javës së Albanologjisë” i ka takuar letërsisë në temën “Kritika letrare shqipe 1945-1990”

“Kritika letrare shqipe 1945-1990” është titulluar sesioni tretë i “Javës së Albanologjisë” e kumtesat që janë lexuar aty kanë tërhequr paralele midis asaj që shkruhej në atë kohë. Në Kosovë, sipas studiuesve, kritika u përmbahej kritereve etike përderisa në Shqipëri edhe ajo ishte mbërthyer nga regjimi komunist. Në Kosovë rezulton që tekstin e parë kritik ta ketë shkruar Fadil Hoxha, njëherësh më i pushtetshmi i asokohshëm. Deformimet e evidentuara asokohe që evidentohen edhe sot dalin të jenë servilizmi dhe komercializimi

Kritika letrare shqipe është relativisht e re. Në Kosovë ajo zë fill pas Luftës së Dytë Botërore. Por del të jetë më e gjallë e më përmbajtjesore sesa ajo e pas vitit 1945 në Shqipëri që ishte kryesisht ideologjike. Në Shqipëri të arratisurit ishin penë e lirë, kurse në Kosovë gjeneratat e letrarëve të viteve ’60 e ’70 tashmë përbënin një qark të rëndësishëm të kritikës letrare.

“Kritika letrare shqipe 1945-1990” është titulluar sesioni tretë i “Javës së Albanologjisë” që kësaj radhe shënon edicionin e  16-të organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Arshi Pipa, Rexhep Qosja e Dritëro Agolli janë disa prej emrave të përvitshëm në kritikën letrare shqipe.

Fadil Hoxha – autor i kritikës së parë në Kosovë

Por në Kosovë rezulton se tekstin e parë kritik ta ketë shkruar Fadil Hoxha, njëherësh më i pushtetshmi i asokohshëm. Studiuesi Sali Bytyçi ka thënë se shkrimi i parë kritik në Kosovë është publikuar nga Fadil Hoxha në revistën “Përparimi” – revistë e Komitetit të Shqiptarëve të Kosmetit –  më 1947, sipas tij, në numrat 9-10 të kësaj reviste, me titull “Kah hapat e parë të letersis shqipe në Kosovë e Metohi”. Fadil Hoxha shfaqte perspektivën e tij mbi letërsinë shqipe. 

“Në këtë shkrim prej pesë faqesh, Fadil Hoxha bën një përmbledhje të historikut të pamundësisë së krijimit të letërsisë në gjuhën shqipe në Kosovë që nga koha e Perandorisë Osmane, si dhe më pas nën regjimin e egër të monarkisë serbe e jugosllave”, ka thënë Bytyçi nëpërmjet kumtesës së titulluar “Kritika letrare shqipe e Kosovës 1947-1968”. Sipas tij, gjykimi kritik në Kosovë zë fill me botimin e revistës letrare “Jeta e re”, në korrik të vitit 1949. Ka thënë se editoriali i Esad Mekulit në numrin e parë të kësaj reviste është edhe kritika më e përmbledhur mbi letërsinë dhe artin në gjuhën shqipe në këtë kohë.

“Për këtë periudhë që po e shqyrtojmë, më të shquarit me shkrime kritike ishin Esad Mekuli, Vehap Shita e Hasan Mekuli, pastaj nga fillimi i viteve ’60 Ali D. Jasiqi e Rexhep Qosja nga gjysma e dytë e këtyre  viteve”, ka thënë ai. Sipas Bytyçit, në këtë kohë me shkrime kritike paraqiten edhe Ramiz Kelmendi, Samedin Mumxhiu, Mahmud Hysa, po me ndonjë recension apo shkrim kritik janë paraqitur edhe: Stathi Kostari, Vojisllav Dançetoviqi, Murteza Luzha, Din Mehmeti, Anton Pashku, Mensur Raifi e të tjerë.

“Nga viti 1945 e deri në vitin 1953, në Kosovë nuk kishte të botuar ndonjë libër letrar në gjuhën shqipe, letërsia publikohej nëpër faqet e gazetave e kryesisht në revistën letrare ‘Jeta e re’, prandaj deri në këtë kohë kemi recensione për libra të përkthyer në shqip nga letërsia e huaj apo ajo jugosllave, por jo edhe për ndonjë libër të shkruar në shqip”, ka thënë ai. Sipas tij, në përgjithësi kjo ishte kritikë biografike, sociologjike e tematike, që mbështetej në dogmën e realizmit socialist, e cila vazhdimisht tentonte të orientonte krijuesit në rrugën e duhur, në rrugën në të cilën edhe pushteti donte të ishte letërsia.

Kritiku i mirëfilltë letrar dhe talenti si pikënisje

Studiuesi Hysen Matoshi është paraqitur me kumtesën “Kritika letrare në interesimet e Rexhep Qosjes”. Sipas tij, në tërësinë shumëplanëshe të veprës së Rexhep Qosjes janë krijimtaria letrare në prozë dhe dramë, pastaj veprimtaria hulumtuese-shkencore në sferën e historisë së letërsisë, studimi strukturor i veprës letrare, i tipologjisë letrare e i veçantive stilistiko-letrare e të tjera. Sipas Matoshit, mund të thuhet se kritika letrare përbën simbiozën më të qëndrueshme të krejt kësaj trashëgimie që si në planin e llojshmërisë ashtu edhe në planin vlerësues del të jetë e papërsëritshme në shkrimin shqip. “Përderisa mund të thuhet se si studiues historiani i letërsisë merret me vepra që përmbajnë vlera të verifikuara letrare mbi të cilat pastaj ngrihet një strukturë kronologjike e fenomeneve letrare, përkatësisht realizohet sajimi i një rendi ideal të akëcilës histori letërsie, periudhe a formacioni stilistik të saj, kritiku letrar merr përsipër barrën e vlerësimit të veprave konkrete në produksionin letrar, kryesisht vepra të sapoardhura, që potencialisht do të mund të bëheshin objekt trajtimi i historianit të letërsisë”, ka thënë ai. Sipas tij, akademik Qosja që në fazën nismëtare të kontributeve të tij shkrimore e ka formësuar mendimin për kritikën letrare. 

“Veçantitë etike të kritikut të mirëfilltë letrar, krahas talentit si pikënisje, pastaj përgatitjes së mirë në planin estetik, shkencor, filozofik dhe të kulturës së gjerë letrare, njohurive të duhura për Rexhep Qosjen janë: ndërgjegjja, ndershmëria dhe guximi, kundruall deformimeve të evidentuara atëbotë, e për të cilat them me bindje se vijojnë të shfaqen edhe sot e që kanë të bëjnë edhe me dukuri joetike sikundër janë servilizmi dhe komercializimi”, ka thënë midis të tjerash Matoshi.

Arratisja për lirinë e të shkruarit

Studiuesi Agron Gashi me kumtesën “Paradigma e kritikës” ka folur për kritikën e Arshi Pipës. Poeti, publicisti, gjuhëtari e kritiku Arshi Pipa njihet si njëri prej kritikëve më të mëdhenj letrarë të Shqipërisë. Në fund të viteve ’50, pas telasheve të mëdha me pushtetin monist, ai ishte arratisur për t’ua mësyrë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shkruante në liri të plotë. Studiuesi Gashi ka thënë se paradigma e kritikës së Pipës ndjek një eskurs historik të mendimit letrar duke marrë hov te poetika klasike, te Platoni dhe Aristoteli, për të manovruar me etikën dhe estetikën, për t’u lakuar nëpër modelet letrare të mesjetës e të Rilindjes deri në bashkëkohësi kur, sipas tij, ndahet arti si zanat. 

“Pipa duke qenë filozof, letërsinë e kërkoi mbi kanune estetike, ku sqarohet pasioni i autorit e misioni i letërsisë, që janë njerëzorja, personalja dhe universalja”, ka thënë Gashi. Ka folur për kritikën historike të Pipës, atë formale, psikanalitike, gjenetike, të krahasuar e deri te kritika për autorin. 

“Pipa mbështetet në parimin se autori flet përmes tekstit të tij, por ia vinte një bisht: autori përderisa jetën e shndërron në art, letërsi, kërkimet duhet vënë në funksion sipas rasës”, ka thënë Gashi. Për dallim prej Pipës, kritikët e mbetur në Shqipëri kishin filtra krejt të tjerë. Ia shkelnin syrin fort pushtetit. 

Studiuesja Rovena Vata ka folur për Dritëro Agollin si kritik. Me kumtesën e saj, “Mendimi letrar e artistik i Dritëro Agollit në periodikët e kohës, vitet 1958-1990”, ajo ka thënë se fokusi qendror i mendimit letrar të Dritëro Agollit ishte poezia. Sipas saj, në shkrimet e tij letrare për poezinë shqipe Agolli shqetësohej për rritje dhe zhvillimin e saj. 

“Fliste me shqetësim për frymën kombëtare që duhej të kishte poezia. Një vëmendje të veçantë ia kushtonte raportit që kishte poezia me traditën dhe amatorizmin, ku Dritëroi ishte i mendimit se aq sa ndikonte tradita, aq ndikon edhe e reja të zhvillimin e poezisë shqipe. Këtë raport traditë-amatorizëm Agolli nuk e shihte në formë të prerë dhe krejt formale por e shtronte këtë problem për diskutim duke e sjellë traditën si modelin e ndjekur nga shkrimtarët e mëparshëm të letërsisë shqipe”, ka thënë ajo. Sipas Vatës, shpirti polemist i shprehur brenda vargjeve poetike është një tjetër tipar i mendimit letrar artistik të Dritëro Agollit, një tipar që iu shtua poezisë shqipe. 

Studiuesi e shkrimtari Adil Olluri është ndalur te Zef Skiroi (i Riu). Ka shpalosur kumtesën “’Historia e letërsisë shqipe’ e Zef Skiroit (i Riu) – një shenjë e veçantë historiko-letrare”. Ka thënë se “Historia e letërsisë shqipe” është një tekst historiko-letrar, i shkruar enkas për lexuesin italian, porositur dhe botuar nga shtëpia botuese “Nuova Academia” në Milano, në vitin 1959, në kuadër të kolanës “Historia e letërsive të të gjithë botës” të këtij enti të pavarur botues. 

“Në këtë aspekt shënon një nga kontributet më cilësore të arbëreshëve në shpërndarjen dhe promovimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare tek opinioni kulturor dhe artdashësit italianë. Kjo panoramë e shkurtër mbi letërsinë shqipe e Zef Skiroit (të Riut) ka gjashtë pjesë, ku në secilën shqyrtohen periudha, fenomene dhe çështje të zhvillimit letrar shqiptar”, ka thënë ai. Sipas Ollurit, e veçanta e këtij trajtimi historiko-letrar është se Skiroi i ndan dhe i emërton periudhat letrare sipas një nominaliteti, emërtimi kohor historik dhe jo sipas frymëve nacionale e kulturore apo edhe sipas rrymimeve stilistiko-letrare. 

“Në pjesën e parë të librit ai flet për letërsinë popullore, duke i trajtuar balada dhe përralla të ndryshme, si balada për Konstandinin e Vogël, që njihet si motërzimi arbëresh i baladës apo këngës së Ago Ymerit, baladën e Rozafatit apo murimit”, ka thënë ai. Sipas Ollurit, vlen të ceket se autori i shpjegon edhe emërtimet e këngëve a baladave në pjesë të ndryshme shqiptare, duke dhënë edhe shpjegime rreth tyre. 

“Po ashtu, te pjesa për letërsinë popullore Zef Skiroi (i Riu) e trajton edhe mitin arbëresh të Balës, këngëtarit popullor arbëresh apo aedit, që i ka kënduar këngët e ndryshme për Motin e Madh, siç njihet epoka e Skënderbeut. Këtë personazh mitik e kemi të pranishëm edhe në letërsinë e shkruar të arbëreshëve, ku vlen ta kujtojmë poemën ‘Kënga e sprasme e Balës’ të Gavril Darës (i Riu)”, ka thënë Olluri. 

Edhe studiues të tjerë nga Kosova e Shqipëria kanë paraqitur pikëpamjet e tyre mbi kritikën letrare shqipe. “Java e Albanologjisë” vazhdon me sesionet për kulturë dhe etnologji urbane e më pas me gjuhësi.