Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

I akuzuari në rastin Banjska thotë se është gjuetar aktiv pa armë

I akuzuari për Banjskën: Uniformën e kisha dhuratë, për gjueti

Foto: Driton Paçarada

I akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë, Dushan Maksimoviq, ka paraqitur mbrojtjen e tij në Gjykatën Themelore. Ai ka arsyetuar fotografitë në të cilat paraqitet me armë, duke thënë se është gjuetar aktiv. Por, kur u përball me pyetje të prokurorit, tha se është fillestar dhe se nuk ka gjuajtur asnjëherë

I vetmi nga të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë, që ka pranuar të flasë në gjykatë, Dushan Maksimoviq, është përpjekur t’i arsyetojë fotografitë ku shfaqet me armë, duke thënë se është gjuetar. 

Por, gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij, ai ka dhënë deklarata kontradiktore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kur iu përgjigj avokates së tij, Jovana Filopoviqit, e përshkroi veten si gjuetar aktiv. 

“Unë kohën e lirë e kam kaluar edhe vite më parë në gjueti dhe në natyrë sepse kam jetuar në një rrethinë të tillë... Po jam gjuetar, aktiv”, ka thënë Maksimoviqi.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë tha se me këtë sport është marrë të paktën që nga 2020-a. 

“Kjo është një nga kartelet e anëtarësisë dhe është nga viti 2022. Me gjueti kam nisur të merrem para kohës së koronavirusit”. 

Por, më pas kur iu përgjigj prokurorit special, Naim Abazi, i akuzuari Maksimoviq tha se kurrë s’ka pasur armë të veten, por ia ka huazuar një kushëriri. Prokurori Abazi e pyeti se çfarë ka gjuajtur dhe i akuzuari tha se s’ka gjuajtur asgjë për të paktën tre vjet.

“Nuk kam gjuajtur asgjë sepse jam gjuetar i ri”, ka thënë i akuzuari. 

Derisa iu përgjigj prokurorit, i akuzuari tha se nuk i di as kohët apo zonat kur gjuhen lepujt dhe derrat.

Në këtë seancë, Maksimoviq e konfirmoi emailin e tij, por tha se një pjesë e fotografive në të, e të cilat në bazë të raporteve i ka pasur në telefon, nuk janë të vetat. Ai iu drejtua prokurorit Naim Abazi duke i thënë se ka kohë për ta shkruar fjalën përfundimtare dhe të dalë në përfundimin se nuk janë vërtetuar akuzat ndaj tij.

Maksimoviq është i vetmi që ka pranuar të japë versionin e tij lidhur me akuzat. Dy të akuzuarit e tjerë, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, kanë deklaruar se do të mbrohen në heshtje. 

Për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, akuzohen edhe 42 persona, por të cilët ndodhen në Serbi. Në krye të grupit terrorist ka qenë Milan Radoiçiq, drejtuesi i Listës Serbe dhe njëri nga bashkëpuntorët e presidentit serb, Aleksander Vuçiq. Përgatitjet për këtë sulm dhe tjera aktivitete terroriste në Kosovë, ky grup i ka kryer në Serbi, përfshirë edhe në ambientet e ushtrisë së Serbisë.