Kulturë

Serbia zyrtare nxit urrejtje, s’e do “Mirëdita...” në Beograd

Festivali "Mirëdita, dobar dan"

Edicionit të fundit të “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd, atij të vitit 2022, i parapriu alarmi i rremë për bombë para hapjes së ekspozitës “Gjithë lotët tanë”. Para vernisazhit të kësaj ekspozite, objekti ishte zbrazur prej vizitorëve, njësitë policore kishin kryer kontrolle, teksa kishin konstatuar se s’ka mjet shpërthyes (Foto: KOHA)

“Normalizimi i moslejimit apo moslejimi i normalizimit: Pengimi i shkëmbimit kulturor” është njëra prej temave të debateve hyrëse të parapara për edicionin e 11-të të Festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, por zyrtarët politikë serbë janë të vendosur të mos e lejojnë. Të martën i ka dalë punë edhe ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq përderisa edhe të tjerë zyrtarë kanë bërë thirrje që edhe populli të mos e lejojë një ngjarje si kjo. “Po i hedhin benzinë zjarrit, po nxisin urrejtje, dhe po shpërndajnë informata të pavërteta”, ka thënë Kushtrim Koliqi nga “Integra” që e bashkorganizon festivalin i cili është i vendosur që të mbahet

Me kërkesat për anulim, zyrtarët më të lartë shtetërorë në Serbi po bëjnë thirrje që edhe qytetarët të reagojnë që “Mirëdita, dobar dan!” me kulturën e Kosovës të mos mbahet në Beograd. Përderisa në fundjavë, zyrtarë të rangut më të ulët nisën ta cilësojnë si provokim, të martën i ka dalë punë edhe ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq. “Mirëdita...” është paraparë të mbajë edicionin e 11-të prej 27 deri më 29 qershor. 

“Ta shohim se çfarë do të ngjajë. Unë kam thënë se është ngjarje me rrezikshmëri të lartë. Bëhet fjalë për hapësirë që nuk është publike. Nuk kanë qasje organet tona shtetërore. Ne bëjmë apel që të anulohet. Çfarë masash do të ndërmarrë shteti në këtë moment, nuk mund ta them”, ka thënë Daçiq në programin e mëngjesit në televizionin “Pink”. Sipas ueb-faqet së këtij mediumi, Daçiqi ka shtuar se ky manifestim po mbahet tash e sa vjet, por ai mendon se “tash nuk është koha për të”. Ka shtuar se do të donte që raportet midis “Beogradit e Prishtinës të jenë në asi niveli që të mund të bisedohet edhe në këtë drejtim”. 

Por nxitëse është deklarata e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin. I adresohet edhe popullit serb që të reagojë. Kishte deklaruar se mbajtja e këtij festivali kulturor në ditën e Vidovdanit është “fyerje së cilës shteti i Serbisë duhet t’i përgjigjet”. 

“Nëse shteti nuk përgjigjet, do të ketë vend që qytetarët të thonë se çfarë mendojnë për një neveri të tillë”, citohet të ketë thënë Vulin.

Po të mërkurën, gazeta serbe “Politika”, në një tekst pa autor, “zbuloi” se “’Mirëdita, dobar dan!’ midis Beogradit promovon Kosovën e pavarur dhe UÇK-në terroriste”. 

Ndër të parët zyrtarë që sivjet nisi të merrej me “Mirëdita…”, qe kryetari në detyrë i Beogradit, Aleksandar Shapiq. Të shtunën në një deklaratë të postuar në portalin “BeoInfo” kishte bërë me dije se do të pengonte ecurinë e festivalit. “Ne, si administratë e qytetit, nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që asgjë që ka të bëjë me qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të tyre”, kishte thënë Shapiq, duke shtuar se festivali gjithashtu po tenton që të “falsifikojë dhe ndryshojë drejtpërdrejt historinë përmes promovimit të ashtuquajturës trashëgimi kulturore të Kosovës, duke përjashtuar atë serbe”.

Kushtrim Kushtrim Koliqi, udhëheqës i organizatës “Integra”, e cila e organizon festivalin së bashku me Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Iniciativën Qytetare të Serbisë, ka thënë të martën për KOHËN se as deklaratat e radhës si ajo e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq nuk e befasojnë. Këmbëngul që ky edicion do të realizohet deri sa nuk ka vendime konkrete nga institucionet serbe. 

“Ne nuk po befasohemi me këto reagime. Do të befasohesha nëse politika serbe e do ta mirëpriste një festival të tillë. Mua më vjen keq për atë shoqëri atje që vazhdojnë me u udhëheq prej politikaneve që kanë reagime e deklarata të tilla që po ndikojnë edhe më shumë në nxitjen e urrejtjes. Po i hedhin benzinë zjarrit po nxisin urrejtje, dhe po shpërndajnë informata të pavërteta”, ka thënë Koliqi. Sipas tij, përkundër thirrjeve të tyre, festivali nuk është ndaluar. 

“Ne jemi duke pritur vendim zyrtar në lidhje me këtë çështje. Deri tash kanë bërë thirrje me ndalu këtë festival shumë individë, por nuk ka ende asgjë konkrete apo ndonjë vendim”, është shprehur Koliqi.
Për të, festivali “Mirëdita, dobar dan!” do të vazhdojë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, teksa ka thënë se ndien keqardhje për skenën kulturore atje. 

“Më shumë më vjen keq për atë shoqëri dhe ata politikanë që për me i mbajtë profilet e tyre nacionaliste janë në gjendje të bëjnë gjithçka. ‘Mirëdita, dobar dan!’ ka qenë, është edhe do të mbetet”, ka shtuar ai. 

Protestat e radikalëve serbë me thirrje edhe për vrasje shqiptarësh, kanë qenë të përhershme në edicionet e “Mirëdita...” në Beograd. Pjesëmarrësit përherë janë shoqëruar prej forcave policore. Vitin e kaluar ishte mbajtur në Prishtinë. Në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës ishin ndezur qirinj në shenjë solidarizimi me viktimat e sulmit që kishte lënë të vrarë tetë nxënës të një shkolle fillore në fillimmajin e vitit të kaluar

Edicioni i sivjetmë është paraparë të hapet me shfaqjen “Babai dhe babai”, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Kushtrim Koliqit, e cila është planifikuar për të enjten, më 27 maj në "Dorćol Platz". Sipas paralajmërimit, “programi i debateve të festivalit do të trajtojë çështje që rrethojnë shkëmbimin kulturor midis Kosovës dhe Serbisë, duke i adresuar në mënyrë specifike ndalimet dhe pengesat brenda bashkëpunimit kulturor, akademik dhe artistik, si dhe trajtimin e efekteve të mbetura gjatë luftës”. 

“Debati hyrës, i titulluar ‘Normalizimi i moslejimit apo moslejimi i normalizimit: Pengimi i shkëmbimit kulturor’ është planifikuar për të premten, më 28 qershor, në orën 17:00 në vendin ‘Miljenko Dereta’ (Dobračina 55). Ky diskutim do të përqendrohet në ndalimet e ndryshme me të cilat përballen artistët, intelektualët dhe praktikuesit e kulturës. Kufizimet ekonomike, akademike dhe kulturore paraqesin pengesa për mirëkuptimin ndërkulturor, duke mos lejuar normalizimin e marrëdhënieve midis dy shoqërive”, shkruhet në njoftim. Po aty shkruhet se debati i dytë do të paraqesë “edhe prezantimin e librit ‘Shënimet e krimbit Smolinski’ nga shkrimtari i ri kosovar Azem Deliu, që shtjellon temat që kanë të bëjnë me trashëgiminë e luftës dhe ndikimet e saj bashkëkohore në marrëdhëniet Kosovë-Serb”. Programi i festivalit të këtij viti përfshin edhe filmin "Vera ëndërron detin" nga regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe koncertin e “La Fazanit” siç njihet Arbër Salihu

“Njëkohësisht, hapja e ekspozitës së artistes vizuale Ermira Murati, e njohur artistikisht si The Orange Girl, do të fillojë në orën 19:00 në "Endžio Hab" (Dobračina 4) po atë ditë. Veprat e Ermirës përcjellin mesazhe të veçanta politike, duke eksploruar temën e puthjes si një shprehje që është thelbësisht joneutrale”, shkruhet në njoftim. Krejt programi përshkruhet si “përzierje unike e artit, kulturës bashkëkohore dhe diskutimeve domethënëse që hedhin dritë mbi tema historike kyçe, si dhe të orientuara drejt së ardhmes, veçanërisht të rëndësishme gjatë kësaj periudhe sfiduese për marrëdhëniet Kosovë-Serbi”. 

Edicionit të fundit të “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd, atij të vitit 2022, i parapriu alarmi i rremë për bombë para hapjes së ekspozitës “Gjithë lotët tanë”. Para vernisazhit të kësaj ekspozite, objekti ishte zbrazur prej vizitorëve, njësitë policore kishin kryer kontrolle, teksa kishin konstatuar se s’ka mjet shpërthyes.

Se do të ketë kësi alarmi, ishte paralajmëruar edhe në faqe grupesh djathtiste serbe nëpër rrjete sociale. Kishin qenë po kësi grupesh që gjatë ditës kishin protestuar kundër festivalit, i cili për synim ka prezantimin e ngjarjeve kulturore nga Kosova në kryeqytetin serb. “Mirdita – laku noć” (Mirëdita, Natën e mirë!) e kishte quajtur protestën Rinia e Partisë Demokratike të Serbisë.