Kulturë

Seminari hapet me alarmin për rrezikun e shqipes në mërgim

Nuk bëhet fjalë për dyshime, por për konstatim: gjuha shqipe është në rrezik. Janë të folmet e shqipes si arbnishtja e Zarës, e folmja shqipe e Mandricës në Bullgari, arvanitika, e folmja edhe e shqiptarëve në Ukrainë, ato që po vdesin. Për këtë ka ngritur alarmin Bardh Rugova, drejtor i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në hapjen e ngjarjes ai ka folur për përgjegjësinë e shoqërive shqiptare për këtë temë. Ka kritikuar edhe qasjen e shtetit. Janë albanologë elitarë që në këtë edicion do të marrin pjesë në punimet e ngjarjes që ka zënë fill këtu e 49 vjet më parë. Akademiku Ranko Matasoviq, historiani Oliver Schmitt e gjuhëtari Michiel de Vaan do të jenë të pranishëm me ligjëratat e tyre

Ceremonia hapëse e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare zakonisht ka përmasën e një feste. Por të hënën, kur edhe u hap kjo ngjarje në edicionin e 41-të, pos festës qe edhe alarm për shqipen që është në rrezik. Bëhet fjalë për të folmen e shqipes në mërgim. Gjeneratat e reja në mërgim nuk ia thonë gjuhës së paraardhësve të tyre. E për albanologët ky është një alarm. “Shqipja në rrezik” është edhe tema e sesioneve të gjuhësisë sivjet. Janë albanologë elitarë që në këtë edicion do të marrin pjesë në punimet e ngjarjes që ka zënë fill këtu e 49 vjet më parë. Akademiku Ranko Matasoviq, historiani Oliver Schmitt e gjuhëtari Michiel de Vaan do të jenë të pranishëm me ligjëratat e tyre.

“Shpërfillja e shoqërisë ndaj shqipes”

Drejtori i Seminarit, Bardh Rugova, pos që ka folur për shqipen në rrezik edhe e ka elaboruar atë duke shpalosur histori të marrëdhënies së shtetit me shqiptarët nëpër botë. Ka treguar se në mandatin e tij të parë si drejtor më 2011, një polic kishte arritur në zyrën e tij duke e marrë në pyetje se përse ka ftuar në Seminar mysafirë nga Siria, meqenëse ky vend ishte në luftë. Bëhej fjalë për arnautët e Sirisë. “’A e di se në Siri ka luftë dhe këta mund të mbeten në Kosovë dhe të bëhen barrë për ne?’”, ka kujtuar ai pyetjen e policit. Midis mysafirëve ishte Sadik Jonuzi me të birin asokohe fëmijë, Albanin. Tash student, Albani nuk qe i pranishëm në hapje të Seminarit.

“Ka bërë ftesë të vijë në Seminar dhe shpresova fort ta kishim këtu, por sërish administratorët kanë vlerësuar se ai mund të jetë barrë për shtetin e Kosovës dhe se ndoshta nuk duhej t’i jepej vizë për të hyrë në shtetin tonë”, ka thënë profesori universitar e anëtari korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Artit, Bardh Rugova. Ai ka thënë se Alban Jonuzi, bir i Kosovës, në pritje të vizës për të hyrë në vendin e gjyshërve, është simboli më i madh i asaj që është shpallur temë bosht e sesionit të gjuhësisë: “Shqipja në rrezik”.

“Në parametrat e vitalitetit gjuhësor, konceptit sociolinguistik, shqipja assesi nuk është gjuhë e rrezikuar të zhduket. Mirëpo, secili fjalim, i thuajse secilit drejtor të këtij Seminari në më shumë se dhjetë vjetët e fundit, na e përkujton hallin më të madh të Albanit dhe të albanologjisë: shpërfilljen e kësaj shoqërie ndaj shqipes”, ka thënë ai. Ka vazhduar duke thënë se shqipja është një tërësi varietetesh, stilesh e regjistrash.

“Janë të rrezikuara varietetet e saj në ngulime: arbnishtja e Zarës, e folmja shqipe e Mandricës në Bullgari, arvanitika, e folmja e shqiptarëve në Ukrainë janë të gjitha gjuhë në vdekje – gjuhë të cilat më nuk fliten nga fëmijët”, ka thënë Rugova. Ka treguar se në maj Departamenti i gjuhës qe në vizitë te arbëreshët në Sicili dhe se rreziku u pa edhe atje.

“Në Horën Arbëreshe është ruajtur vitaliteti. Në Kundisë, vetëm nja 20 minuta larg me makinë, fëmijët më nuk e flasin arbërishten, e në Palac (Palazzo Adriano) të Gavril Darës, arbërisht janë vetëm varrezat. Nuk ka më asnjë folës. E gjithë kjo para syve tanë”, ka thënë Rugova. Sipas tij, shqipja ka status të pafavorshëm në vendet ku është pakicë, ndërsa folësit e brezit të dytë e të tretë të shqipes në mërgim shndërrohen gradualisht në gjysmëfolës. Ka treguar se departamentet e shqipes në botë, nën ndikimin edhe të sistemit të Bolonjës dhe të ndërrimit të paradigmës dhe ndoshta të të gjithë përkufizimit të universitares, po zvogëlohen dhe po shuhen. Në këtë rast ka shtuar se “ne nuk po bëjmë gjë”.

“Brenda këtu, në shtëpinë tonë, në vend të projekteve për ngritjen e vlerës së albanologjisë, po punohet për degradimin e tyre. Seminari është një ngjarje që herë pas here na rreh alarmet dhe na tret shpërfilljen”, ka thënë ai.

Rugova nuk është ndalur me kaq sa u përket shpërfilljeve. Ka thënë se ndonjëherë ajo që është krijuar për gati gjysmë shekulli shpërfillet e përçmohet. Emergjencat, sipas tij, ndonjëherë nuk arrijnë ta shohin kulturën, ose e marrin si të mirëqenë.

“Mirëpo, ata që merren me emergjenca shkojnë… dhe vijnë do të tjerë që shkojnë po ashtu… ajo që mbetet, zonja dhe zotërinj, të dashur miq, është kultura dhe ajo që e kultivojmë me kujdes e dashuri, me sakrificë e nder… Një aktivitet si ky seminar dhe shëmbëlltyra e tij mbeten përtej secilit prej nesh”, ka thënë ai.

Seminarin e ka përshkruar si ngjarje me ndikim kulturor, arsimor e shkencor dhe integrues.

“Seminari është ngjarja më e rëndësishme e këtij profili”

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se gjuha është pjesë thelbësore e kulturës së një populli dhe ka funksion të pazëvendësueshëm në rrafshin social e identitar.

“Seminari është ngjarja më e rëndësishme e këtij profili jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, ka thënë ajo. Sipas ministres Nagavci, hyrja e Seminarit në dekadën e pestë të jetës është arritje e jashtëzakonshme. Ka shprehur vlerësim të lartë për ata dhe ato që kanë mundësuar vazhdimësinë e kësaj ngjarjeje, posaçërisht në mesin e viteve ’90 e tutje, kur represioni ishte më i egër se kurrë.

“Në këtë Seminar bashkohen studiues nga të gjitha trevat shqiptare – dhe ato të banuara me shqiptarë – nga fushat e gjuhësisë, letërsisë, antropologjisë, etnologjisë si dhe akademikë e studiues nga vende të ndryshme të botës, të cilët sjellin hulumtime dhe analiza me rëndësi të veçantë – duke e trajtuar shqipen nga këndvështrimi i një personi joshqipfolës”, ka thënë Nagavci. Sipas saj, gjithmonë është kënaqësi të dëgjosh albanologë të huaj që prezantojnë kumtesat e tyre në gjuhën shqipe dhe kjo jep shpresë se gjuha shqipe, sado e vogël, vazhdon të jetë me interes për studiues e gjuhëtarë anembanë globit.

“Seminari do ta vendosë albanologjinë në një kontekst mbarëbotëror”

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka thënë se është një arritje e madhe që kjo ngjarje është kthyer në qendër të diskutimeve dhe aktiviteteve akademike për dy javë rresht. Sipas tij, Seminari ka një rëndësi të veçantë si për mbarë Kosovën ashtu edhe për Universitetin, si dhe prania e të gjithë të pranishmëve është dëshmi për të vënë në pah rëndësinë e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe. Në këtë rast ai ka lexuar edhe aktin e themelimit të Seminarit.

“Nga Seminari do të përfitojnë të tjerët në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe të matshme duke prezantuar gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqipe, ndërsa u shpreh se ky seminar do ta vendosë albanologjinë në një kontekst mbarëbotëror”, ka thënë Qerimi. Sipas tij, përmbajtja e programit të këtij viti është e një përmase të veçantë vëllimore si në cilësi ashtu edhe në sasi. “Shumë nga profesorët e akademikët e pranishëm sot këtu janë vetë themelet e këtij institucioni ikonik”, ka thënë Qerimi.

“Kjo gjuhë po përballet me kërcënimin e zhdukjes”

Sipas ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, në një epokë të karakterizuar nga globalizimi dhe përparimet teknologjike, rëndësia e ruajtjes së gjuhëve dhe nxitjes së shkëmbimit ndërkulturor nuk ka qenë kurrë më kritike.

“Gjuha shqipe, me origjinën e saj të lashtë dhe veçoritë gjuhësore unike, është një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së një populli. Megjithatë, pikërisht kjo gjuhë po përballet me kërcënimin e zhdukjes, pasi forcat e modernitetit dhe lidhjeve globale shpesh e lënë në hije rëndësinë e saj”, ka thënë ai. sipas Abbott, ajo që rrezikohet të humbet nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një sferë e tërë thesaresh letrare që kanë pasuruar kuptimin kolektiv të përvojës njerëzore.

“Letërsia shqipe, me rrënjët e saj të thella në folklor, poezi dhe prozë, ofron një dritare në shpirtin e një kombi. Veprat e Ismail Kadaresë, Naim Frashërit e shumë të tjerëve, jo vetëm kanë kontribuar në letërsinë botërore, por kanë shërbyer edhe si një urë lidhëse mes kulturave. Ata kanë ofruar njohuri mbi identitetin, betejat dhe triumfet shqiptare, duke nxitur mirëkuptimin dhe ndjeshmërinë ndërkulturore”, ka thënë përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në Kosovë. Sipas tij, kur një gjuhë humbet, një këndvështrim unik për botën humbet, me të dhe lidhjet midis kulturave dobësohen. Ka thënë se nëpërmjet letërsisë fitohen njohuri për mendimet, ndjenjat dhe vlerat e të tjerëve. “Ne i kapërcejmë kufijtë, duke kapërcyer boshllëqet që na ndajnë. Tradita letrare shqiptare ka qenë një kanal për shkëmbimin ndërkulturor, duke i lejuar njerëzit me prejardhje të ndryshme të gjejnë gjuhën e përbashkët përmes tregimeve dhe përvojave të përbashkëta”, ka thënë ai. Nuk është ndalur me kaq.
Sipas ambasadorit Abbott, për të përballuar sfidën e rrezikimit të gjuhës shqipe duhet të njihet fuqia e letërsisë në forcimin e lidhjeve ndërkulturore.

“Ne duhet të avokojmë për ruajtjen e gjuhës si një mjet për të mbrojtur këtë thesar letrar dhe urat ndërkulturore që ajo ndërton. Qeveritë, institucionet arsimore dhe komunitetet duhet të bashkohen në angazhimin e tyre për të mbështetur edukimin gjuhësor, për të krijuar platforma që autorët dhe artistët të vazhdojnë të pasurojnë kulturën shqiptare”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se gjuha shqipe dhe letërsia e saj janë fije në mozaikun e ndërlikuar të kulturës globale. “Ashtu siç e çmojmë trashëgiminë tonë gjuhësore, le të ruajmë dhe mbrojmë trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore të të tjerëve.

Sfidat dhe rreziqet e gjuhës shqipe kërkojnë një përpjekje të bashkuar për të ruajtur jo vetëm një thesar gjuhësor, por edhe lidhjet letrare e kulturore që ajo ka krijuar”, ka përfunduar Abbott.

Në edicionin e sivjetmë të Seminarit do të jenë të pranishëm mbi 100 mysafirë të interesuar për mësimin e shqipes në tri nivele. Bëhet fjalë për mysafirë nga Polonia, Çekia, Gjermania, Danimarka, Holanda, Zvicra, Austria, Italia, Greqia, Rusia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Rumania, Spanja, dhe Kroacia. Sipas organizatorëve, janë planifikuar mbi 130 punime studimore në formën e ligjëratave, të referimeve shkencore dhe të kumtesave. Janë planifikuar aktivitete të ndryshme kulturore, përfshirë prezantim të veshjeve tradicionale, të filigranit, këngë arbneshe e vizita kulturore.