Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abrashi: Institucionet ta marrin si alarm diskutimin për reduktimin e pranisë amerikane në Kosovë

Emir Abrashi nga organizata “Demokraci Plus” ka thënë se institucionet duhet të marrin si alarm diskutimin e pranisë amerikane në Kosovë.

Disa anëtarë të Kongresit Amerikan i kanë bërë thirrje sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, që të parandalojë kufizimin e mundshëm të trupave amerikane në Kosovë, pas raportimeve se administrata e Donald Trumpit mund ta tërheqë një pjesë të forcave amerikane nga misioni i NATO-s në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është një alarm për shkak se derisa ngrihet si çështje diskutimi nga 12 kongresistë amerikanë dhe senatorë nënkupton se po diskutohet një gjë e tillë, po diskutohet tërheqja ose zvogëlimi i prezencës amerikane jo vetëm në Kosovë por gjithandej nëpër botë. Duke marrë parasysh situatën e sigurisë që po mbizotëron nëpër glob, nuk është lajm i mirë për Kosovën e aq më tepër për një shtet që goxha shumë mbështetet në prezencën amerikanë për sigurinë e vet të brendshme. Në këtë aspekt kjo duhet të merret si alarm nga institucionet e Kosovës, por nga sa po shohim deri më tani, duket sikur kemi probleme të tjera si shtet me të cilat po merremi, janë pozitat personale, janë qëndrimet ose mbizotëron interesi partiak mbi atë shtetëror dhe në këtë aspekt ne duhet të reflektojmë dhe të ndërmarrim masa”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Abrashit, një tërheqje potenciale e SHBA-së nga Kosova do t’u jepte zemër shteteve përreth për të rrezikuar jo vetëm Kosovën, por edhe Bosnjë-Hercegovinën.

“Në këtë aspekt ne duhet ta marrim me alarm këtë çështje. Do të duhej të shërbejë si arsye për reflektim”, ka thënë tutje ai.

Abrashi ka vlerësuar se politikanët duhet të reflektojnë sepse Kosova nuk e ka luksin për beteja të brendshme kur situata globale është e pasigurt.

“Problemet e brendshme politike me doemos kanë ndikim edhe në qëndrimet e Kosovës jashtë territorit. Në këtë aspekt konsideroj se ne duhet të reflektojmë dhe ta marrin me seriozitet të gjitha palët që kur i bëjnë betejat politike për pozita personale, mbase duhet të jemi më të kujdesshëm dhe ta kemi parasysh që nuk është një situatë e tillë në glob që ne kemi luksin të bëjmë beteja të tilla. Situata e sigurisë si në Evropë, si në Lindjen e Mesme edhe më gjerë është alarmante dhe për këtë ne duhet të sillemi si shtet në mënyrë serioze dhe në mënyrë të koordinuar. Deri më tani nuk është se po ngjan një gjë e tillë”, ka shtuar ai.

Duke folur për Bordin e Paqes së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe përfshirjen e Kosovës aty përmes presidentes Vjosa Osmani, Abrashi ka thënë se kjo është shfrytëzuar për poenë politikë nga presidentja.

“Duke e parë nga prizmi i Prishtinës zyrtare, anëtarësimi në Bordin e Paqes ishte një nevojë për shkak se ne kemi ngecur në anëtarësim në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Megjithatë, ka vlerësuar se “ishte i ngutshëm veprimi i presidentes që ta bënte pa koordinim me qeverinë edhe pse asokohe ishte akoma në detyrë”.

“Kosova do të duhej të kishte luajtur pak më mirë. Do të duhej që presidentja për të mos marrë protagonizëm personal ta luante lojën që jemi në proces të konstituimit të Kuvendit, ‘e bëjmë por do ta bëjmë në një fazë të mëvonshme pasi që jemi në një vakuum institucional’. U shfrytëzua si një momentum për të arritur poenë politikë personal nga ana e presidentes Osmani”, ka thënë ai.