Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Salman Rushdie me “Thikë” i kundërpërgjigjet dhunës ndaj tij

Librin “Knife” me nëntitullin “Meditime pas tentimvrasjes”, Salman Rushdie e përshkruan si një mënyrë për të marrë nën kontroll atë se çfarë i ka ndodhur vitin e kaluar kur u ther me thikë, duke iu përgjigjur kështu dhunës me art

Libri i memoareve i Salman Rushdie i titulluar “Knife” (“Thikë”), që paraqet rastin e therjes së autorit vitin e kaluar, do të publikohet më 16 prill të vitit të ardhshëm, ka njoftuar shtëpia botuese “Penguin Random House”.

Salman Rushdie, shkrimtar i lindur në Indi me nacionalitet britaniko-amerikan, i cili i mbijetoi sulmit me thikë në vitin 2022, zbuloi se ishte duke punuar në një libër të ri, në Festivalin letrar “Hay” në qershor. I tregoi audiencës nëpërmjet platformës virtuale “Zoom”, se libri do të jetë “i shkurtër, i përbërë nga disa qindra faqe”.

“Nuk është libri më i lehtë në botë për ta shkruar, por është diçka që duhet ta kaloj, që të mund të bëjë diçka tjetër pastaj. Nuk mund të filloj të shkruaj ndonjë roman të ri, që nuk ka të bëjë asgjë me këtë ngjarje”, kishte thënë ai. “Kështu që thjesht duhet të merrem me të”.

Libri “Thika” me nëntitull “Meditime pas tentimvrasjes”, do ta rikujtojë përvojën e autorit në shpëtimin nga tentimvrasja.

Nihar Malaviya, drejtor i “Penguin Random House”, ka thënë se “Thika” është një “libër i nxehtë” dhe “një rikujtim i fuqisë së fjalëve për ta bërë më të kuptueshme atë që është e pashpjegueshme”.

“Jemi të nderuar që do ta publikojmë këtë libër, të mahnitur me vendosmërinë e Salmanit për ta treguar këtë ngjarje dhe për t’u kthyer te puna që ai e do”, ka thënë Malaviy.

Rushdie ka thënë se “ky ishte një libër i domosdoshëm për t’u shkruar”.

“Një mënyrë imja për ta marrë në kontroll atë që ndodhi dhe për t’iu përgjigjur kështu dhunës me art”, ka thënë Rushdie.

Shkrimtari 76-vjeçar është i njohur si autor i dhjetëra librave, përfshirë “Fëmijët e mesnatës” dhe “Vargjet satanike”. Ai po ashtu, më 2012 ka publikuar autobiografinë e titulluar “Joseph Anton”, e cila përmban kujtimet e tij mbi përpjekjet për t’u fshehur pas kërcënimeve që mori me publikimin e “Vargjeve satanike”. Për shkak të këtij romani më 1988, Ayatollah Khomini asokohe lider suprem i Iranit lëshoi një fatwa ndaj tij dhe libri u ndalua për

blasfemi.

Tridhjetë e tre vjet pas shpalljes të këtij urdhri, Rushdie, i cili jetonte në SHBA nga viti 2000, u godit me thikë disa herë, përderisa ishte në skenë duke mbajtur ligjëratë në Institutin Chautauqua në New York. Pas këtij rasti shkrimtari u shtri në spital për gjashtë javë. Humbi shikimin në njërin sy dhe humbi ndjeshmërinë në disa gishtërinj. Ishte Hadi Matar që u akuzua për goditjen me thikë ndaj Rushdie.

Libri më i ri i Rushdie, romani “Victory City” u shkrua para sulmit ndaj tij. Ndërsa “Knife” do të jetë libri i tij parë pas rastit të vitit të kaluar.

Autori është në listuar shtatë herë në listën e ngushtë për çmimin “Booker”, për letërsi të cilin e mori në vitin 1981 me romanin e tij të dytë, ”Midnight’s Children”, një histori reale për ndarjen e Indisë. Ky libër gjithashtu mori çmimin “Booker of Bookers” dy herë radhazi, një herë në vitin 1993 dhe sërish më 2008.

Marrë nga “The Guardian”. Titulli është i Redaksisë. Përktheu: Enis Bytyqi

Artikuj të ngjashëm