Pasi i mbijetoi një sulmi brutal me thikë, autori indiano-britanik ishte pjesë e Panairit të Librit në Frankfurt. “Deutsche Welle” u takua me të për të diskutuar rreth veprës së tij më të re
Salman Rushdie bëri një paraqitje të rrallë në Panairin e Librit në Frankfurt, pas sulmit ndaj tij në gusht të 2022-tës, si pasojë e të cilit humbi shikimin në njërin sy. Rushdie – autori i librit “Fëmijët e mesnatës”, njëherësh fitues i çmimit “Booker” dhe i “Vargjeve satanike”, vepër për të cilën u kërcënua me dënim me vdekje kur Ayatollah Khomini asokohe lider suprem i Iranit lëshoi një fatva ndaj tij – u gjend në këtë panair të librit për të diskutuar rreth librit të tij më të ri “Qyteti i fitores”. Të dielën do të pranojë Çmimin për Paqe nga “German Book Trade”. “Deutsche Welle” pati mundësinë të bisedojë me autorin rreth rikuperimit të tij dhe fuqisë së letërsisë.
“Çmimi për Paqe” nga “German Book Trade” nuk jepet vetëm për punën artistike, por edhe për kuptimësinë ndërkombëtare, dhe në rastin tuaj, përpjekjet tuaja për liri në botë. Çfarë do të thotë ky çmim për ju?
Rushdie: Është shumë i rëndësishëm. Besoj se të gjithë ne që jemi pjesë e botës së librit, dimë diçka rreth këtij çmimi. Dhe shumë njerëz të rëndësishëm e kanë atë. Andaj jam shumë i lumtur që emri im po i shtohet asaj liste.
Si ndiheni ju sot, vetëm 14 muaj pas sulmit tuaj që ju la të plagosur rëndë?
Rushdie: Siç mund ta shihni, po ndihem më mirë. Jam pak i rraskapitur nga ajo ndodhi, por jam mirë.
Edhe
Salman Rushdie me “Thikë” i kundërpërgjigjet dhunës ndaj tij
Në një intervistë për “The New Yorker” në muajin shkurt, keni thënë se keni përjetuar një bllokim artistik që nga sulmi. Por disa ditë më parë, publicisti juaj njoftoi se në pranverë do të vini me librin tuaj të ri “Thika”, në të cilin shpalosni përjetimin tuaj të sulmit. Si e gjetët motivin të filloni të shkruani sërish?
Rushdie: Ashtu më erdhi. Mendoj se menjëherë pas asaj interviste për “The New Yorker”, si duket filloi të rrjedhë prapë motivi për të shkruar. Andaj jam i lumtur që pata mundësinë të shkruaj këtë libër, që do të publikohet në pranverë.
A kishte diçka që ju ndihmoi të riktheheni?
Rushdie: Praktika! E bëj këtë punë për një kohë të gjatë, fundja ajo është se çfarë ju kthen në punë.
Le të flasim për librin tuaj të ri “Qyteti i fitores”, i cili u publikua këtë vit. Është një rrëfim fiktiv, i cili tregon për ngritjen dhe shuarjen e qytetit mesjetar të Bisnagas në Indinë jugore, ku burra e gra të besimeve të ndryshme ishin të barabartë. Por kjo perandori shkatërrohet në fund, sepse braktis të gjitha idealet e veta. A është ky një rrëfim rreth botës bashkëkohore?
Rushdie: Epo, kur shkruan për historinë, deri diku ju shkruani dhe për të tashmen, sepse kur shikojmë të kaluarën, shohim se çfarë na intereson, shqetësimet tona që reflektojnë nga e kaluara. Por, në të vërtetë, doja të krijoja një botë timen. Ka shumë shkrimtarë që e kanë bërë të njëjtën gjë, si William Faulkner me “Yoknapatawpha”, Gabriel Garcia Marquez me “Macondo”, ose dhe shkrimtari indian R.K. Narayan me “Malgudi”. Unë doja një botë timen dhe kjo sagë u bë e tillë.
Disa kritikë thonë se ky libër është një roman feminist. A ishte ky synimi juaj?
Rushdie: Njëra ndër aspektet që më ka interesuar më së shumti gjatë hulumtimit për këtë libër ishte fakti se në atë periudhë, gjegjësisht shekujt XIV dhe XV, pozicioni i gruas në shoqëri ishte i avancuar në shumë aspekte. Kishte shumë vëmendje në edukimin e vajzave, me pothuajse numër të njëjtë të shkollave për vajza sesa ato për djem. Gratë punonin në çdo sferë të jetës, në ushtri, në profesione ligjore, si tregtare, e të tjera. Kjo është e vërtetë, por historia nuk është gjithmonë e vërtetë. Personazhi im Pampa Kampana, e cila në një mënyrë rrëfen storien që rrëfej unë, jeta e saj ka ulje-ngritje. Ka momente kur ajo është mbretëreshë dhe ka momente kur ajo dëbohet në xhungël. Njëjtë si me vlerat e shoqërisë. Ka momente kur ato janë liberale, tolerante dhe të hapura, dhe momente të tjera kur ato bëhen joliberale dhe jotolerante. Jeta e njeriut është kështu.
Edhe
Salman Rushdie: Kur e pashë sulmuesin mendova: “Pra, ky je ti”
Fatwaja e shpallur ndaj jush 34 vjet më parë, gati u kushtoi me jetë. Pse janë autokratët, diktatorët dhe njerëzit e fuqishëm kaq të frikësuar nga letërsia?
Rushdie: Kështu ka qenë gjithmonë. Në shumë vende të botës, diktatorët frikësohen nga poetët. Është e çuditshme, sepse shkrimtarët nuk kanë ushtri.
Si e shpjegoni ju këtë?
Rushdie: Besoj se ata i frikësohen idesë se ekzistojnë versione të tjera të botës. Sepse ndër vlerat e autokracisë është imponimi i versionit të vet të botës, për të gjithë. Të gjithë shkrimtarët kanë botët e tyre, dhe ky fakt nuk u pëlqen njerëzve në pushtet, andaj mundohen t’i heshtin ata.
Në mes të luftës aktuale mes Hamasit dhe Izraelit, çfarë mund të ofrojë letërsia?
Rushdie: Shumë pak. Unë shpesh mundohem të mbivlerësoj fuqinë e letërsisë. Çfarë mund të bëjnë shkrimtarët dhe çfarë po përpiqen të bëjnë është artikulimi i dhimbjes që shumë njerëz po përjetojnë tani, duke ia marrë vëmendjen botës. Besoj se gjëja më e mirë që mund të bëjmë ne shkrimtarët tani është të mundohemi ta konkretizojmë me fjalë dhimbjen e njerëzve.
Pra, po thoni se fjalët në këto raste humbin peshën e tyre?
Edhe
Salman Rushdie s’merr pjesë në promovimin e romanit të tij të parë pas sulmit
Rushdie: Mendoj se ka gjëra që fjalët nuk mund t’i bëjnë, ato nuk mund ta ndalin luftën. Një ndër fatkeqësitë e luftës është “e vërteta”, sepse njerëzit fillojnë të shfaqin të vërtetat e tyre si propaganda. Dhe kjo e bën të vështirë dallimin midis së vërtetës dhe gënjeshtrës në zona lufte. Pra problemi që kanë gazetarët dhe raportuesit tani është vendosja e fakteve. Nëse gazetaria arrin ta bëjë këtë, ajo bën një shërbim të vyer.
Marrë nga “Deutsche Welle”. Përtheu: Enis Bytyqi