Kulturë

RRIPAK vëren mungesën e kulturës e të artit në zhvillimet në Kosovë

Me anë të kësaj kumtese, RRIPAK – Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Kulturës ka uruar partitë politike për vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare si rrugë për tejkalimin e krizës aktuale shoqërore dhe politike, si proces demokratik që mundëson pjesëmarrjen e popullit në vendimmarrje dhe si proces katalizator që krijon mundësi të reja për zhvillimin e vendit.

RRIPAK vlerëson fushatën parazgjedhore dhe procesin zgjedhor, por mbi të gjitha vlerëson pjekurinë e treguar nga populli i Kosovës në këtë proces të rëndësishëm shoqëror dhe politik.

Megjithatë, edhe në këtë proces, RRIPAK ka vërejtur mungesën e plotë të kapacitetit të domosdoshëm të partive politike dhe koalicioneve parazgjedhore që t’i përgjigjen sfidave dhe të shfaqin njohuri për gjendjen aktuale në fushën e artit dhe kulturës, t’i njohin nevojat dhe potencialin e artit dhe kulturës, të kenë njohuri për rolin e institucioneve publike dhe të pavarura të artit dhe kulturës, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile, për ndikimin që arti dhe kultura ka në zhvillimet përparimtare shoqërore dhe ekonomike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe procesin e njohjes ndërkombëtare dhe Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.

RRIPAK duke pasur parasysh edhe dobësitë e treguara në administrimin e këtij dikasteri qeveritar në periudhën e kaluar dhe dobësitë e mangësitë e treguara në diskutimet publike dhe programet zgjedhore të partive politike për këtë fushë, vlerëson që pa përfshirjen, ndikimin dhe marrjen e përgjegjësisë nga profesionistët e dëshmuar të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, si pjesë e shoqërisë civile, dhe pa përfshirjen e mekanizmave koordinues të artistëve individualë dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, nuk mund të ketë zhvillim të kësaj fushe të rëndësishme dhe këtij dikasteri qeveritar.

Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Kulturës vlerëson artin dhe kulturën si fusha të rëndësishme shoqërore që kanë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e vendit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

UNESCO e njeh kulturën si nxitës të zhvillimit, për shkak se kultura fuqizon njerëzit me kapacitete për të marrë përgjegjësinë për procesin e zhvillimit të tyre.

Ky rrjet vlerëson që pa përfshirjen substanciale, ndikimin dhe marrjen e përgjegjësisë të profesionistëve të dëshmuar të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, kjo fushë dhe ky dikaster i rëndësishëm qeveritar nuk mund të reformohet dhe të funksionojë si mekanizëm mbështetës për zhvillimet përparimtare në art dhe kulturë në Republikën e Kosovës.

RRIPAK i bën thirrje kryetarit të Kosovës, udhëheqësve të partive politike dhe koalicioneve parazgjedhore, të nominuarve për të udhëhequr Qeverinë e Kosovës, partive politike dhe partnerëve ndërkombëtarë që të ndikojnë në krijimin e konsensusit të gjerë politik dhe shoqëror që mundëson krijimin e një paradigme të re për artin dhe kulturën në Kosovë. Po ashtu vlerëson që fusha e artit dhe kulturës duhet të trajtohet si interes vital nacional dhe fushë e pavarur nga ndikimi partiak dhe politik, si parakusht dhe zgjidhje e domosdoshme dhe e vetme për të krijuar një gjendje të re zhvillimi për artin dhe kulturën në Kosovë, për të çliruar dhe fuqizuar potencialin e artistëve individualë dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, për të fuqizuar dhe mbrojtur institucionet publike të artit dhe kulturës, për të siguruar mbështetje në vend, rajon dhe arenën ndërkombëtare, për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë duke përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.

Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Kulturës thekson se duke u nisë nga misioni i këtij mekanizmi koordinues të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës është i gatshëm të marrë përgjegjësi koordinuese në këtë proces.