Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

RroK-u do dialog me kryetarin e Prizrenit pas akuzës për goditje të kulturës

Letra e hapur e Rrjetit të Organizatave Kulturore – Prizren pason reagimin për “goditje direkte dhe e qëllimshme që synon kontrollin, dobësimin e skenës së pavarur kulturore”

Letra e hapur e Rrjetit të Organizatave Kulturore – Prizren pason reagimin për “goditje direkte dhe e qëllimshme që synon kontrollin, dobësimin e skenës së pavarur kulturore”

Kërkesa për dialog është njëra prej kryefjalëve të letrës së hapur që Rrjeti i Organizatave të Kulturës – Prizren ia ka drejtuar kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj. Ia kanë numëruar atij dy rrugë: ose ta pranojë se proceset e deritanishme kanë prodhuar probleme serioze e të hapë dialog të mirëfilltë me sektorin e skenës së pavarur, ose të vazhdojë t’i injorojë. Deri më tash, kryetari ka zgjedhur të dytën. Letra e hapur e publikuar të martën pason reagimin e RroK-ut në fillim të qershorit, i cili kishte akuza direkte e gjuhë më të rreptë.

“Kultura nuk është lëmoshë, por identiteti i Prizrenit! Mjaft më me injorim administrativ”, shkruhej ndër të tjera në reagim ku shprehej “shqetësimi i thellë dhe revolta ndaj Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport për neglizhencën e skajshme dhe zvarritjen e pajustifikueshme të procesit të subvencioneve kulturore për këtë vit”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tash në letrën e hapur – të nënshkruar nga “DokuFest”, “EC Ma Ndryshe”, “Fondacioni Lumbardhi”, “Durmish Asllano”, “Ansambli Katarina Josipi”, “Feminae”, “Florg”, “Qendra për Barazi dhe Drejtësi” – shkruhet se kryetarit i drejtohen “pas një periudhe të gjatë shqetësimesh lidhur me mënyrën se si Komuna e Prizrenit po e trajton sektorin e pavarur kulturor, veçanërisht në proceset e financimit publik dhe në raportin e saj me organizatat që për dekada kanë kontribuuar në zhvillimin e qytetit”.

“Së pari, e njohim faktin se gjatë mandatit tuaj buxheti për kulturë është rritur. Kjo është një zgjedhje politike e rëndësishme dhe një sinjal se kultura shihet si fushë me rëndësi për zhvillimin e Prizrenit. Megjithatë, rritja e buxhetit nuk mjafton në vetvete. Një politikë publike nuk matet vetëm me shumën e mjeteve të ndara, por me mënyrën se si ato shpërndahen, me cilësinë e proceseve, me profesionalizmin e administrimit dhe me besimin që krijojnë te qytetarët dhe komunitetet të cilave u shërbejnë”, shkruhet në letër. Por sipas RrOK-ut, pikërisht këtu qëndron problemi.

“Përkundër rritjes së mjeteve, Komuna nuk ka arritur të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm, profesional dhe të bazuar në meritë për mbështetjen e kulturës. Vendimet e viteve të fundit kanë prodhuar pasiguri, mungesë transparence dhe një perceptim të gjerë për trajtim preferencial. Organizatat kanë marrë përgjigje pa arsyetime të mjaftueshme, proceset e ankesave janë trajtuar në mënyrë formale dhe josubstanciale, ndërsa vlerësimet nuk janë shoqëruar me argumente që do t’i lejonin sektorit të kuptonte logjikën e vendimmarrjes”, shkruhet në letër, duke rikujtuar se një pjesë e organizatave ende nuk i kanë pranuar mjetet e miratuara nga thirrjet e vitit të kaluar, pa një sqarim të qartë publik për vonesën dhe pa një afat të besueshëm për ekzekutimin e tyre. Ndër të tjera, shkruhet se organizatat mund të vazhdojnë të punojnë edhe pa mbështetjen e Komunës.

“Këtë e kemi dëshmuar shumë herë. Por, çështja këtu nuk është mbijetesa e organizatave; çështja është interesi publik i Prizrenit. Nuk ka kuptim që potenciali më i madh kulturor i qytetit të zhvillohet, pavarësisht institucioneve lokale, në vend se bashkë me to”, shkruhet në letër. Për RrOK-un, në një situatë si kjo, kryetari ka dy rrugë përpara.

“E para është të pranoni se proceset e deritanishme kanë prodhuar probleme serioze, të hapni dialog të mirëfilltë me sektorin, të rishikoni në mënyrë substanciale vendimet e kontestuara dhe të punoni bashkërisht për krijimin e një politike kulturore të drejtë, profesionale dhe zhvillimore. Një politikë që njeh kontributin e organizatave dhe ndërton partneritet afatgjatë për të ardhmen e qytetit”, i shkruhet kryetarit. Rruga e dytë sipas organizatave, është “të vazhdohet me injorimin e kërkesave dhe shqetësimeve të sektorit, duke prodhuar një klimë mosbesimi, polarizimi dhe konflikti të panevojshëm ndërmjet institucioneve dhe skenës kulturore”. Kërkesa është për dialog serioz “brenda një afati të shkurtër...me pjesëmarrjen e organizatave të pavarura që janë shtylla të zhvillimit kulturor dhe të ekonomisë kreative, me dokumente të qarta dhe hapa konkretë”.

“Neglizhenca e Komunës së Prizrenit godet skenën e pavarur kulturore”, kishte qenë titulli i reagimit të Rrjetit në fillim të qershorit kur kishte shprehur “shqetësimin e thellë dhe revoltën ndaj Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport”, për “neglizhencën e skajshme dhe zvarritjen e pajustifikueshme të procesit të subvencioneve kulturore për këtë vit”.

“Si pasojë e kësaj qasjeje burokratike, organizatat që prej dekadash kontribuojnë historikisht në zhvillimin e kulturës dhe turizmit në Prizren janë lënë anash. Në mënyrë të veçantë, janë përjashtuar pa asnjë kriter të qartë, transparent dhe të qëndrueshëm ato organizata që përfaqësojnë dhe promovojnë trashëgiminë, identitetin dhe diversitetin e komuniteteve të ndryshme të qytetit”, shkruhej në reagimin e Rrjetit. Ishte një prej reagimeve më të ashpra të bëra nga Rrjeti. “Kultura nuk është lëmoshë, por identiteti i Prizrenit! Mjaft më me injorim administrativ”, shkruhej në reagim. Sipas Rrjetit, komuniteti kulturor ka qenë dhe mbetet hisedar kyç i zhvillimit të Prizrenit për dekada me radhë. Në reagim shkruhej se zbehja e qëllimshme e mbështetjes në vitin 2026 nuk përbën thjesht një dështim të radhës administrativ.

“Kjo është një goditje direkte dhe e qëllimshme që synon kontrollin, dobësimin e skenës së pavarur kulturore, cenimin e autonomisë sonë operative dhe heshtjen e zërit kritik të organizatave që kanë ndërtuar dhe mbajtur gjallë frymën e këtij qyteti”, shkruhej në reagim.

Publikimi i menjëhershëm i listës, shqyrtimi transparent, i drejtë dhe profesional i të gjitha ankesave të dorëzuara nga organizatat dhe rishikimi i buxheteve dhe kthim të mbështetjes dinjitoze për organizatat që mbajnë gjallë jetën kulturore në qytet, kishin qenë kërkesat e menjëhershme të Rrjetit.

“Nuk ka më vend për vonesa dhe premtime boshe. Presim zgjidhje të drejtë dhe institucionale, tash”, kishte shkruar Rrjeti i Organizatave të Kulturës që përfaqëson zërin e përbashkët të operatorëve kulturorë të pavarur në Prizren dhe është i angazhuar për mbrojtjen e hapësirës kulturore, diversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban përmes artit dhe trashëgimisë.

Më 25 maj Komuna e Prizrenit kishte publikuar listën preliminare të organizatave dhe individëve që kanë aplikuar për subvencionim të ngjarjeve kulturore. KOHA kishte provuar të marrë një qëndrim të kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, por ai nuk ishte përgjigjur.

Festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër dhe dokumentar “DokuFest” që prej pasluftës është ngjarja kryesore artistike e vendit vazhdimisht ka pasur telashe me përkrahjen e Komunës së Prizrenit. Organizata vjet kishte akuzuar Komunën për goditje në themelet kulturore të qytetit.

“Me gjithë rritjen e buxhetit të përgjithshëm për kulturë, shuma e ndarë për ‘DokuFest’ është ulur për gati 30 për qind në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë kështu më pak se 9 për qind të buxhetit të përgjithshëm të festivalit. Kjo është hera e dytë radhazi që Komuna zgjedh të shkëpusë mbështetjen për një festival që tash e 24 vjet ka qenë boshti kryesor kulturor i qytetit dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore”, shkruhej në reagimin e “DokuFestit” në lidhje me ndarjet buxhetore të Komunës së Prizrenit, që ka vendosur për më shumë buxhet ndaj ngjarjeve në fillet e tyre. Vjet me 51 mijë euro qe përkrahur “DokuFesti” për edicionin e 24-t. Me 119 mijë euro ishte mbështetur festivali “Rock&Blues”, që numëronte edicionin e tretë. Festivali ndërkombëtar i teatrit të hapur “Prizren Fest”, qe përkrahur me 90 mijë euro për edicionin e katërt, kurse me 60 mijë euro festivali “Zambaku i Prizrenit” për edicionin e 36-të.