Kulturë

Rrëfimi i Ferdi Limanit, kronikë shumëngjyrëshe me imazhe bardhezi

Një ekspozitë digjitale i ka shëtitur të pranishmit nëpër historinë e re të Kosovës, por edhe atë të vendeve të tjera si Siria e Turqia. I ndarë në katër faza, rrugëtimi i fotoreporterit Ferdi Limani është si një kronikë e imazheve që prekin tema të ndryshme.

Të mërkurën mbrëma në “Project Space” të fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, Limani ka shpalosur tregimin e tij për fotografinë, shkruan sot Koha Ditore. 

Fillimisht ka shpalosur fillet e tij si fotograf. Si i ri ishte interesuar për të shkrepur fotografi. Përderisa ishte në shkollë të mesme në Prizren, kishte nisur që të shpaloste libra për artin, dhe kësisoj kishte marrë një edukim bazik. Duke e ndjekur këtë dëshirë ishte bërë pjesë e një punëtorie për fotografi në Francë e më pas kishte filluar punën në media vendore, për të arritur deri te ato ndërkombëtare.

Fazën e parë të rrëfimit e ka shpalosur nëpërmjet fotografive të realizuara nga viti 2004 e deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

“Në atë kohë jam marrë shumë me gjendjen sociale të shoqërisë”, ka thënë ai derisa ka shpërfaqur fotografitë bardhezi nëpër shtëpi të ndryshme e në qendra mjekësore. Ka rrëfyer se asokohe lejohej fotografimi nëpër institucione të ndryshme pa i kërkuar fotografit ndonjë informatë se përse e shkrep aparatin.

“Kam bërë shumë fotografi të varfërisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Kthimi i personave të pagjetur dhe ekspertizat që bëheshin për identifikimin e tyre kishin bërë që Limani të mos i ndahej për një kohë të gjatë kësaj teme.

“Më duket se ende nuk e kam përfunduar këtë temë, dhe i jap fotografitë për publikim pa pagesë”, ka thënë fotografi i lindur më 1982. Limani, i cili ka bashkëpunuar me gjigantë mediatikë si “The Associated Press”, “Le Journal De Dimanche”, “New York Times”, “The Herald Tribune” e media të tjera prestigjioze, në vitin 2008 ishte kontraktuar nga Qeveria e Kosovës që të dokumentonte shpalljen e Pavarësisë së vendit. Në këtë detyrë ai ishte i pari që kishte parë Deklaratën e Pavarësisë, flamurin e Kosovës e të gjitha përgatitjet para e gjatë ditës së 17 shkurtit....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")