Kulturë

Fotografi që prek ndërgjegjen nëpërmjet imazheve

Rrëfimi i Ferdi Limanit për fotografi është i pafund. Historia prej kur ka nisur të fotografojë në Prizren e se si ka arritur deri në Siri, është asi rrëfimi që në secilin hap ka nga një dramë. Pothuajse të gjitha janë kapur nga objekti i Limanit. Ka shëtitur shumë shkaku i profesionit. Por aktualisht është duke qëndruar në Kosovë. Punon përkohësisht si fotograf në Komunën e Prishtinës. Ka ndërmend të zhvillojë projekte të mëdha.

“E përcjelli aktualitetin dhe mundohem ta di se çfarë do të ndodhë nesër”, thotë ai, derisa e pi një birrë në një kafehane të Prishtinës. E ka përfunduar orarin e punës, e tash mendon se si do t’ia bëjë që ta fillojë një projekt që e quan patriotik. Temat ditore nuk e ngacmojnë më. Aktualitetin e ka përcjellë edhe në zona të konflikteve të armatosura si Siria. “Tash kërkoj informata për tema më të mëdha”, thotë Limani i lindur më 1982.

Tema “e papërfunduar”

Pasi kishte nisur që të punonte si fotoreporter për mediat vendore më 2004, interesohej për gjendjen sociale. Në fotografitë e tij bardhezi shihen pamje të jetës së familjeve kosovare. Thotë se fotografia duhet të shkojë përtej informatës, të jetë mision. Kujton se më 2006 kishte fotografuar një familje në Mitrovicë, e cila jetonte në tendë. E më pas shkaku i raportimit një biznesmen ua kishte ndërtuar shtëpinë.

“Ky është efekti që duhet arritur në një raportim e jo të bësh vetëm ekskluzivitete”, thotë Limani. Si fotoreporter i ishte rrekur temës së të pagjeturve në Kosovë. Kthimi i personave të pagjetur dhe ekspertizat që bëheshin për identifikimin e tyre kishin bërë që Limani të mos i ndahej për një kohë të gjatë kësaj teme.

“Më duket se ende nuk e kam përfunduar këtë temë”, thotë ai. Kjo temë e ka prekur shumë. Thotë ta ketë ndryshuar edhe emocionalisht. Fotografitë e tij bardhezi shpërfaqin etapa të ndryshme nga kërkimi i trupave nga familjarët, ardhja e tyre, ekspertizat e varrimet. Këto fotografi i jep për publikim edhe pa pagesë.

“Të pagjeturit është një temë që më ka ndryshuar. Kur bëjmë tema të ndjeshme nuk ka të bëjë me egon tonë. Ajo është që edhe njerëzit e rëndomtë t’i bëjmë të mendojnë për to. Është punë misionare”, thotë ai. Sipas tij, në raportim dallon shumë teksti nga fotografia. Përderisa dikush lexon një tekst, sipas Limanit mund të imagjinojë atë që përshkruhet. “Kur e sheh fotografinë është një shuplakë tjetër”, thotë fotografi, i cili ka bashkëpunuar me gjigantë mediatikë, si “The Associated Press”, “Le Journal De Dimanche”, “New York Times”, “The Herald Tribune” e media të tjera prestigjioze.

Prej dokumentimit të Pavarësisë deri në Siri

Është i vetmi që ishte kontraktuar nga shteti që në shkurt të vitit 2008 të dokumentonte të gjithë procesin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Këtë e kishte marrë si punë me ngarkesë të madhe. Futej gjithandej ku ishin liderët duke u përgatitur për ngjarjen më të madhe në raport me shtetësinë e Kosovës. Fotografitë e tij bardhezi janë pjesë e historisë së re të vendit. Është i pari që ka pasur rastin ta fotografojë edhe flamurin e shtetit. Por ato imazhe nuk mund t’i publikojë pasi janë pronë e shtetit. Nuk është ndalur me kaq. Ishte zhvendosur në Francë. Por nuk e kishte gjetur veten.

Me t’u kthyer kishte shkuar në Tanushë, një fshat ky në brezin kufitar midis Kosovës e Maqedonisë Veriore. Pasi kishte dokumentuar jetën e izoluar të fshatit, ia kishte mësyrë Turqisë pasi atje kishin shpërthyer protestat në vitin 2013. Qytetarët ishin grumbulluar për të kundërshtuar planet e Qeverisë sa i përket parkut “Gezi” në Stamboll. E pas kësaj, ia kishte mësyrë Sirisë. Synonte që me objektivin e tij të sillte dëshmi të konfliktit të atjeshëm. Më 2013 ai do të kalonte kufirin ilegalisht, përfshirë edhe tela me gjemba.

Rikthimi në vendin e kaosit

Shtatori i vitit 2013, Sirinë e kishte gjetur në gjendje kaosi. Shumë pjesë të vendit ishin në anarki e nuk kontrolloheshin nga regjimi i atjeshëm.

“Por nuk ka pasur ISIS. ‘Al Nusra’ ka qenë më e moderuar. I kam takuar. Më kanë thënë të mos bëjmë fotografi. Pasi kemi pirë çaj më kanë thënë bën që të fotografoj. Por nuk i kam publikuar pasi kanë pozuar”, kujton ai. Sirisë do t’i kthehej prapë më 2015. Qëndronte pikërisht në pjesën që kufizohet me Turqinë.

Kishte shkrepur fotografi për mediat gjermane, si “Bild” e “Der Spiegel”. “Herën e dytë ka qenë tamam kufi nga ana e Turqisë. Por nga Siria nuk kishte kufij”, kujton ai. Në raste të tilla thotë se fronti i luftës nuk është më lajm e as pamje për foto. Efekti arrihet kur nis fotografon pasojat e luftës. “Nuk mund të mbetesh indiferent emocionalisht. Çfarëdo që bën ndikohesh. Atë emocionin që e ndien është mirë ta kesh në fotografi. Më s’ka nevojë për fotografi të luftës, ku shihen njerëzit në front. Duhet fotografuar viktimat e luftës që të tregohen pasojat e luftës”, thotë Limani.

Aktualisht është duke punuar në një projekt të ri. Synon që ketë një seri të fotografive të jetës që bën rinia e Kosovës. Fuqia për ndryshim Për dallim nga ato parapraket, të rejat i ka me ngjyra. E fot o g r a f i n ë bardhezi e sheh si vlerë. “Në foto - grafinë bardh - ezi njerëzit shkojnë menjëherë tek informacioni e emocionet nuk merren me ngjyrat”, thotë ai. Ka ndërmend të realizojë një projekt që shpërfaq ndotjen e lumit më të gjatë në vend, Drinit të Bardhë.

Është duke e menduar mënyrën e financimit. Sipas tij, kjo temë shkon përtej lajmit. Tregon nivelin e ndotjes e pasojat e sjelljes së keqe në raport me natyrën. “Temat e mëdha si kjo e Drinit të Bardhë janë mision patriotik. Kështu e shoh unë. Ne lidhemi më gjatë në një temë. Në këto raste japim më shumë profesionalitet por edhe tema interferon në personalitetin tonë”, thotë ai. Fotografia sipas Limanit gjithmonë ka arritur të bëjë ndryshime. Përmend fotografinë e trevjeçarit Aylan Kurdi më 2015, që ishte gjetur i vdekur buzë detit në Turqi. Synimi i tij nuk është nami apo ndonjë gjë tjetër.

Thotë se sa i përket Sirisë i ka mjaftuar kur shkrimtari e publicisti Veton Surroi i ka shkruar që fotografitë e tij ua ka përcjellë disa diplomatëve që po merreshin me çështjen e Sirisë. “Këtu përfundon misioni. Fotografi duhet të arrijë që kur imazhin e tij ta shohë edhe njeriu më i rëndomtë të preket sa i përket asaj teme”, thotë ai. Aktualisht nuk e ka në plan të udhëtojë në ndonjë zonë ku ka konflikt. Thotë se i duket më patriotike të merret me tema vendore. “Nëse ne nuk i bëjmë, kush do t’i bëjë ato?”, pyet ai. Por nuk e thotë me plot gojën se ka hequr dorë nga zonat konfliktuoze. Në fakt edhe puna e tij është betejë. Aso në përcjellje të emocionit e mesazhit nëpërmjet imazheve.

{gallery}