Kulturë

“Ditarët e depresionit”, hapet ekspozita me fotografi të Ferdi Limanit

Janë pamje të shkrepura në qendrat e shëndetit mendor në Kosovë.

Në disa fotografi pasqyrohen vendet ku personat që vuajnë nga depresioni kanë qenë shumë afër për t’i dhënë fund jetës.

Personazhet e fotografive tjera, të realizuara nga Ferdi Limani, në bardhezi portretizojnë ata që i kanë tejkaluar këto probleme, raporton KOHA.

Projekti “Ditarët e depresionit” është një nismë për të thyer tabutë që lidhen me shëndetin mendor në shoqërinë kosovare.

Ky projekt është iniciuar nga gazetarja Leonora Aliu, e cila e nisur nga përjetimi personal i nënës së saj po synon të nxisë debat në diskursin publik dhe të iniciojë ndryshime.

Për shkak të pandemisë, më shumë se dy vizitorë nuk kanë pasur mundësi të futen në “Shtëpinë e Evropës” për ta parë ekspozitën.

Projekti “Ditarët e depresionit” përfshin edhe një seri shkrimesh dhe një dokumentar të realizuar nga puna në terren e ekipit.