Kulturë

“Fotografi të luftës së Kosovës” – përballje e fuqishme me të vërtetën

Fotografitë e Wade Goddardit

Fotografitë e Wade Goddardit të varura në muret e thjeshta në katin e katërt të hotelit “Grand” i përballin shikuesit me pamje të thella dhe të vështira për t’u kapërdirë – fytyra njerëzish në panik, turma që zgjatin duart drejt ndihmës, ushtarë të përhumbur mes luftës dhe një mori sysh që kërkojnë mëshirë dhe drejtësi (Foto: “Barabar”)

Fotot e Wade Goddardit, të realizuara gjatë viteve 1998–1999, bashkohen në ekspozitë si një kronikë e kujdesshme dhe e ndjeshme që mëton të dëshmojë se lufta, ndonëse ka ndodhur para më shumë se dy dekadash, pasojat e saj ende janë këtu. “Kam pasur mijëra fotografi prej kur kam filluar të punoj këtu më 1998, kam qëndruar për muaj të tërë, sidomos kur u tensionua lufta, andaj kam shkrepur dy vjet luftë, me 4 filma në ditë me shkrepje, ka shumë foto jo të mira që duheshin larguar. Redaktimi i parë i tyre ishte me 500 fotografi, i dyti ishte me 150, pastaj 100 fotografi për libër dhe 64 për këtë ekspozitë”, ka thënë për KOHËN Goddard, fotografi që nëpërmjet fotografive të tij në “Reuters”, “New York Times” dhe “Newsweek” ia tregoi botës të vërtetën e Kosovës

Si kthesë simbolike drejt ballafaqimit me të kaluarën, hapësirat e qendrës “Barabar” në hotelin “Grand” janë shndërruar në vendtakim me kujtesën kolektive të luftës që vazhdon të jetë e gjallë në rrëfimet personale, plagët shoqërore dhe arkivat e pamëshirshme të fotografisë dokumentare. Në katin e katërt të këtij hoteli, përmes 64 fotografive që përçojnë një intensitet të heshtur, por të pashmangshëm, Wade Goddard ka sjellë dëshmi të padiskutueshme të dhunës, humbjes dhe mbijetesës gjatë luftës së Kosovës.

Ekspozita “Fotografi të luftës së Kosovës”, e cila është hapur të mërkurën në kuadër të një bashkëpunimi me Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka sjellë për publikun pamje që shkojnë përtej ikonografisë së zakonshme të luftës. Ato vendosin në qendër njeriun – të dërrmuar, të braktisur, por të pamposhtur.

Fotot e Goddardit, të realizuara gjatë viteve 1998–1999, përbëjnë një kronikë të kujdesshme dhe të ndjeshme që mëton të dëshmojë se lufta, ndonëse ka ndodhur para më shumë se dy dekadash, pasojat e saj ende janë këtu.

Fotografitë e varura në muret e thjeshta i përballin shikuesit me pamje të thella dhe të vështira për t’u kapërdirë – fytyra njerëzish në panik, turma që zgjatin duart drejt ndihmës, ushtarë të përhumbur mes luftës dhe një mori sysh që kërkojnë mëshirë dhe drejtësi. Në këtë hapësirë të improvizuar, ekspozita nuk ofron vetëm pamje – ajo krijon një përballje të heshtur mes kujtesës dhe ndërgjegjes. Çdo fotografi është një dhomë më vete, e mbushur me frymë, dhimbje dhe dëshmi.

Fotografi Wade Goddard që i ka shkrepur këto fotografi është nga Zelanda e Re dhe në ish-Jugosllavi ka ardhur më 1992 për të nisur me fotoreportazh, duke zbuluar kështu pasionin e tij jo vetëm për artin, por edhe për vetë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatë një dekade, ai ka mbuluar ngjarje nga më të ndryshmet në ish-Jugosllavi si fotograf nga “Reuters”, “New York Times” dhe “Newsweek”. Në hapje të ekspozitës, e cila do të vazhdojë deri më 11 korrik, ai ka mbajtur një fjalim të ndjeshëm para të pranishmëve, mes të cilëve ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

“Kjo ekspozitë është rezultat i një pune që ka rrëmbyer një pjesë të shpirtit tim gjatë viteve ’98-’99. Kur në fillim e kam menduar se si do ta tregoj historinë e Kosovës, e gjithë puna që kam bërë për dy vjet ka qenë e shpërndarë në copëza dhe jam munduar ta përmbledh gjithë këtë me 64 fotografi. Me shpresën që dikush ta gjejë veten në këto fotografi, vërtet do të doja të më afrohet dikush, sepse kam pasur raste kur para disa vjetësh, një djalë që tani është burrë më ka kontaktuar dhe më ka thënë: ‘Unë jam ky djali në fotografi’. Është ndjenjë e papërshkrueshme”, ka thënë Wade Goddard në fjalimin e tij në hapje të ekspozitës.

Në këtë hapësirë të improvizuar, ekspozita nuk ofron vetëm pamje – ajo krijon një përballje të heshtur mes kujtesës dhe ndërgjegjes. Çdo fotografi është një dhomë më vete, e mbushur me frymë, dhimbje dhe dëshmi (Foto: “Barabar”)

Pasi të pranishmit kanë pasur rastin t’i vështrojnë fotografitë një nga një, teksa vetë autori ua ka shpjeguar në formë turneu, ai ka treguar se ka qenë proces i gjatë përzgjedhja e vetëm 64 fotografive për këtë ekspozitë.

“Kam pasur mijëra fotografi prej kur kam filluar të punoj këtu më 1998, kam qëndruar për muaj të tërë, sidomos kur u tensionua lufta, andaj kam shkrepur dy vjet luftë, me 4 filma në ditë me shkrepje, ka shumë foto jo të mira që duheshin larguar. Redaktimi i parë i tyre ishte me 500 fotografi, i dyti ishte me 150, pastaj 100 fotografi për libër dhe 64 për këtë ekspozitë. Më ka marrë goxha kohë dhe ka mjaft gjëra që do të doja t’i kisha përfshirë, por nuk kisha hapësirë, andaj ishte një alamet procesi”, ka thënë për KOHËN autori i fotografive, Wade Goddard.

Prej luftës së Bosnjës ai ka kaluar me përvojë dhe me profesionalizëm të lartë në pasqyrimin e luftës së Kosovës përmes fotografisë. Proces që për të kishte dalë të mos ishte aspak i lehtë ka qenë tentimi për t’i menaxhuar emocionet dhe dhimbjet e veta.

“Kam ardhur në këtë rajon më 1992, në fillim të luftës së Bosnjës dhe i kam kaluar tre vjet duke e mbuluar luftën atje. Pas tre vjetësh në Bosnjë, e kuptova se si raportohet lufta dhe çfarë pritshmërish të kisha, andaj në Kosovë isha veçse i trajnuar për këtë punë, dija si t’i menaxhoja emocionet dhe njerëzit, traumën, krizën dhe vuajtjen. Kisha krijuar përvojë tashmë për Kosovën, edhe pse disa gjëra që kanë ndodhur gjatë luftës akoma nuk më fashiten nga kujtesa dhe sado që isha profesional dhe me standarde të larta në punë, isha shumë i përqendruar në aspektin e të kuptuarit pse ndodhesha këtu dhe çfarë po bëja”, ka treguar ai eksperiencën e vet emocionale dhe hutimin nga kalimi prej një lufte drejt tjetrës.

Nga pamjet e rënda që ka parë gjatë luftës në Kosovë, ai ka treguar se ka pasur raste kur është tronditur jashtëzakonisht shumë, por meqë ishte mësuar tashmë me këso lloj përfytyrimesh, e dinte se edhe këtë sfidë do ta kapërcente.

“Kam vetëm një ose dy raste kur ajo çfarë kam parë ishte aq tronditëse sa nuk kam qenë në gjendje të mendoj, të lëviz apo ta përdor kamerën, vetëm në ato raste kam qenë i përfshirë jashtëzakonisht shumë në aspektin emocional. Ishte një luftë e vështirë. Edhe Bosnja pati një luftë të vështirë dhe meqë e kisha kapërcyer atë, e dija që do t’ia dilja edhe me Kosovën”, ka shtuar fotografi Goddard, për të cilin kjo punë kishte qenë mision i jetës për më shumë se një dekadë.

Pas vitit 2003, ai e ka lënë punën në fushën e fotoreportazhit të luftës dhe në bashkëpunim me një mik, ka themeluar një muze të fotografive të luftës në qytetin e vjetër të Dubrovnikut në Kroaci. Ky muze kallëzon ekspozita fotografie nga fotoreporterë me renome botërore, të cilët pasqyrojnë konflikte rajonale dhe botërore që kanë ndodhur së fundi dhe që po ndodhin në vazhdimësi.

Të pranishmëve u kanë lënë përshtypje fotografitë e përcjella të mërkurën në ekspozitën e Goddardit. I ardhur nga Franca për misione artistike, Armand de Gentissart ka theksuar se është e rëndësishme të bëhen këto lloj ekspozitash, për ta pasqyruar kohën e atëhershme.

“Mendoj se janë shumë fotografi mbresëlënëse dhe është shumë interesante të sillen këto fotografi në Prishtinë pas gjithë kësaj kohe pas luftës. Mua më duken se kanë shumë shtresëzime të ndryshme këto fotografi dhe është një hap i rëndësishëm për ta treguar situatën e atëhershme në Kosovë”, ka thënë De Gentissart, i cili është duke punuar për ndërtimin e një monumenti për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Në hapje të ekspozitës, e cila do të vazhdojë deri më 11 korrik, ai ka mbajtur një fjalim të ndjeshëm para të pranishmëve, mes të cilëve ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku  (Foto: “Barabar”)

Ai ka treguar se është duke u njohur çdo ditë e më shumë për kohën e luftës në Kosovë, dhe sipas tij, në Kosovën e pasluftës ndihet një energji e jashtëzakonshme e të jetuarit.

“Jam duke punuar në një monument për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe këto ditë kam dëgjuar disa histori për kohën e luftës. Si francez, nuk më ka rënë ta njoh aq shumë historinë e Kosovës, por tani që po thellohem brenda saj, po më lë shumë përshtypje që për kaq pak kohë, në Kosovë janë ndërtuar kaq shumë shtëpi e kaq shumë gjëra kanë ndryshuar dhe tani ndihet një energji e jashtëzakonshme e të jetuarit. Më krijohet ndjesia që ka ndodhur diçka shumë e madhe atëherë dhe tani i shohim ato vetëm përmes fotografive dhe kam nevojë për pak kohë që të kuptoj se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ai.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar për ekspozitën, duke e vlerësuar si “të pamundur dhe të dhimbshme” përzgjedhjen e fotografive nga korpusi i fotografive të Goddardit.

“Nga mbi 500 fotografi të realizuara në mes të tmerrit dhe dhimbjes, Wade u sfidua t’i përmbledh në më pak se 70 sosh për të ndërtuar këtë ekspozitë. Një përzgjedhje e pamundur dhe e dhimbshme, për të përfaqësuar një kapitull thelbësor të historisë sonë, përmes një dokumentimi shumë të kujdesshëm dhe personal që është i lidhur ngushtë me popullin tonë”, ka shkruar Kurti në një postim në rrjete sociale.

Kujtesa historike shpesh zbehet nën trysninë e narrativave të reja, mirëpo ekspozita e Wade Goddardit rikthen në qendër atë që nuk duhet harruar: fytyrat, momentet dhe dhimbjen që përbëjnë esencën e luftës. Ajo qëndron si dëshmi jo vetëm për një të kaluar të përgjakur, por edhe si thirrje e heshtur për përgjegjësi kolektive ndaj së vërtetës. Sepse përderisa ekzistojnë imazhe që tronditin ndërgjegjen, ekziston edhe shpresa se e kaluara nuk do të përsëritet në verbëri.