Kulturë

Rona Nishliu në Mitrovicë me jazz, emocione e nostalgji

Koncerti i Rona Nishliut në vendlindje, bashkë me “New Big Band”, ka qenë përtej një mbrëmjeje unike që bashkon muzikantë të shquar, që mjeshtërisht zbërthejnë perlat e muzikës shqipe, tek i veshin me jazz. Për këngëtaren ky ka qenë edhe një rrugëtim personal. U është rikthyer kujtimeve ku kishte nisur karrierën, e nëpërmjet këngëve ka kujtuar ikonat e qytetit që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kulturës shqiptare. Atmosferë ka sjellë edhe sonte në Prishtinë, me të njëjtin format të koncertit

Në kujtim të traditës muzikore shqiptare, në atmosferën e festave të fundvitit, Rona Nishliu, së bashku me “New Big Band”, kanë mbajtur koncert në qytetin e saj të lindjen, në Mitrovicë. Nën tingujt e muzikës jazz, asaj që ajo di t’ia thotë më së miri, publiku të enjten mbrëma pati mundësi të dëgjonte disa nga top-këngët e muzikës shqiptare.

Ka qenë i madh numri i njerëzve që ka mbushur sallën e qendrës kulturore “Rexhep Mitrovica”. E tillë ka qenë edhe skena ku ka performouar Nishliu. Orkestra që e ka shoqëruar, ka pasur në përbërje shtatëmbëdhjetë pjesëtarësh, udhëhequr nga dirigjenti i njohur, Edon Ramadani.

Kur ora shënoi 20:26 në skenë doli Rona Nishliu e cila u prit më shumë duartrokitje. Performancën e saj e nisi me këngën “Loçkë” të rock-grupit mitrovicas TNT. Por, kjo nuk qe versioni i njohur, pjesë e historisë së muzikës tashmë. Secila këngë që ka pasur në repertor, është veshur me tis jazzi.

Pas përfundimit të këngës së parë Nishliu i është falënderuar publikut e të flasë për gëzimin lidhur me faktin që po performonte në qytetin e saj lindjes. Por emocionet e shumta ia prenë fjalën përpara se lotët ta tradhtonin.

“Ka qenë prezantimi gjatë të cilit kam pasur më së shumti emocione. Në gjithë këto vite karrierë, prej kur kam filluar në ‘Talent show’, ku nuk ka qenë aq e lehtë, të paraqitesh para jurive të ndryshme, e pastaj më ka rënë edhe nëpër festivale e mandej me prek edhe skena ndërkombëtare, ka qenë gjithmonë sfiduese por kam arritur që t’i menaxhoj emocionet e mija. Por kjo natë sonte ka qenë tepër e veçantë. Nuk me ka ndodhur asnjëherë të më dridhet i gjithë trupi. Ndoshta pse këtu kam qenë pjesë e shumë organizimeve edhe si fëmijë, organizimeve të vitit të ri, ato me korin e shkollës së muzikës”, ka thënë Rona Nishliu e cila në Mitrovicë ka jetuar deri në moshën 12-vjeçare.

Mbajtja e një koncerti në vendin ku Nishliu kishte marrë brumin e parë të kulturës apo edhe muzikës ka bërë që ajo të ndjejë edhe më përgjegjësi.

“Zakonisht aq shumë përqendrohem në prezantim saqë nuk ia dal të shoh se kush është në publik por sonte i shihja njerëzit, më kujtoheshin momentet e shumta që kam ndarë bashkë me ta. Pastaj automatikisht veten e bëja super përgjegjëse, doja të jepja maksimumin dhe të gjithë këto ishin të gërshetuara me njëra tjetrën dhe më bënë që ta përjetoj tepër shumë këtë dalje në skenë”, ka thënë Nishliu ende nën emocionet e koncertit.

Në repertorin prej dymbëdhjetë këngësh sa performoi në këtë koncert, një pjesë të tij Rona ia dedikoi artistëve mitrovicas, teksa para publikut ka thënë se Mitrovica është qyteti kosovar i rockut por edhe një qytet që ka lënë gjurmë në jetën kulturore shqiptare.

Image
Ka qenë i madh numri i njerëzve që ka mbushur sallën e qendrës kulturore “Rexhep Mitrovica”. E tillë ka qenë edhe skena ku ka performouar Nishliu. Orkestra që e ka shoqëruar, ka pasur në përbërje shtatëmbëdhjetë pjesëtarësh, udhëhequr nga dirigjenti i njohur, Edon Ramadani

Pas “Loçkë”, Nishliu, këndoi edhe këngën “A thua ma lehtë pa dhimbje” të artisti të mirënjohur mitrovicas, Muharrem Qena ndërsa më vonë edhe këngën “Moj e mira te pojata” e kënduar nga rock-grupi ikonik “MAK” nga Mitrovica. Në mesin e mbrëmjes publiku u befasua kur në skenë doli reperi i njohur kosovar, Bim Bima. Së bashku me të Rona riktheu para publikut duetin e tyre “A ka arsye” në tekstin e së cilës trajtohet dhuna ndaj grave. Para se të niste kjo këngë, Nishliu ka tërhequr vërejtjen ndaj kësaj dukurie teksa ka uruar për një vit me më pak raste të dhunës.

“Kam dy albume me kuartetin ‘Rona Nishliu kuartet’ dhe ne kemi orkestruar këngë që vinë nga tabane dhe treva të ndryshme të muzikës shqiptare dhe kemi mjaft eksperiencë me orkestrimin e këngëve të vjetra. Disa i kemi marrë nga ndonjë repertor disa të tjera i kam përzgjedhur sepse kanë qenë ato që më kanë shoqëruar në shumë faza të jetës. Janë këngë me të cilat jam rritur, janë këngë të cilat më kanë shoqëruar në momente më delikate apo edhe në momente gëzimi. Tri këngë kanë ardhur nga artistë mitrovicas. Janë këngë të cilat i do i gjithë publiku shqiptar dhe ato kanë qenë të përzgjedhura si mirënjohje për kontributin që gjithë këta muzikant kanë dhënë për muzikës kosovare”, ka shpjeguar Nishliu.

Atmosfera arriti kulmin atëherë kur në skenë u dëgjuan tingujt e parë të këngës “Suus” për të cilën Nishliu ka thënë se ishte hera e parë që po e këndonte në Kosovë dhe ishte shumë e lumtur që kjo po ndodhte mu në qytetin e Mitrovicës. Pas përfundimit të një interpretimi të shkëlqyer të këngës me të cilën Nishliu ka përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision” më 2012, publiku nuk u mjaftua vetëm me duartrokitje të shumta por u çua edhe në këmbë. “Natën vonë” kënduar dikur prej Vaçe Zelës dhe “E dehun jam” prej Nexhmije Pagarushës, kanë qenë në repertor.

Natyrisht e tërë kjo performancë nuk mund të paramendohej edhe pa ndihmën e orkestrës mjeshtërore.

“Fakti që jemi mbledhur gjithë këta muzikant për këtë koncert, fakti që ky projekt i cili është tepër i rrallë në skenën tonë gjeti mbështetje për t’u realizuar më emocionuan edhe më shumë. Por jam pafund mirënjohëse që kjo mbrëmje arriti të realizohej si premierë pikërisht në qytetin e Mitrovicës, në qytetin ku jam lindur e jam rritur. Në këtë qytet që i ka dhënë gjithmonë shumë shumë muzikës dhe vendit tonë”, ka thënë Nishliu.

Për punën e orkestrës dhe performimit në zhanrin jazz, ka folur maestro Edon Ramadani.

“Unë jam dirigjent por jam më shumë dirigjent i muzikës klasike dhe kjo është hera e parë që po udhëheq një koncert të një formacioni të tillë si bendi që dëgjuar sonte. Sepse ishte formacion i plotë, standard i ‘Big Bendit’ dhe arsyeja e tretë sigurisht me shoqen time që qe sa vjet jemi bashkë por edhe me kuartetin së bashku tash patëm mundësi që të bëjmë diçka që ta zgjerojmë le të themi punën dhe bashkëpunimin tonë”, ka thënë Ramadani.

Image
Në repertorin prej dymbëdhjetë këngësh sa performoi në këtë koncert, një pjesë të tij Rona Nishliu ia dedikoi artistëve mitrovicas, teksa para publikut ka thënë se Mitrovica është qyteti kosovar i rockut por edhe një qytet që ka lënë gjurmë në jetën kulturore shqiptare

Për publikun koncerti ka qenë unik. Premiera në Mitrovicë, i ka dhënë peshë edhe më.

“Shumë bukur. E patë edhe vetë se sa shumë njerëz kishte. Është një koncert shumë i rëndësishëm që u mbajt pikërisht në qytetin e Mitrovicës e kjo për shumë arsye. Dihet që Mitrovica ka probleme politike mirëpo një koncert i tillë i jep atij një ngjyrë tjetër”, ka thënë Fisnik Istrefi.

I tërë ky koncert do të ishte e pamundur të realizohej pa ndihmën e organizatës “7 Arte” të cilën Rona Nishliu e ka falënderuar disa herë gjatë kohës sa po performonte. Drejtori i kësaj organizate, Lulzim Hoti ka folur për punën e tyre teksa ka theksuar se kjo ishte e 140-ta ngjarje organizuar nga “7Arte” për këtë vit.

“Organizata ‘7Arte’ ka krijuar një përvojë shumë të gjatë në organizimin e eventeve kulturore në Mitrovicë. Gjatë këtij viti kemi pasur një vit dinamik me ç’rast sonte kemi kurorëzuar aktivitetin e 140-të për këtë vit. Dhe me kënaqësi mund të them se kjo performancë përbën kulmin e të gjitha performancave. Ne jemi shumë të gëzuar për këtë arritje”, ka bërë të ditur Hoti.

Të premten mbrëma, nata e parafundit e këtij viti, Prishtina ka qenë nikoqir i po këtij konncerti. Rona Nishliu së bashku me “New Big Band” kanë sjellë po ashtu perlat e muzikës shqipe edhe në “Tregun e fundvitit” në kryeqytet.