Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Rock Academy” bën bashkë të rinjtë e Ballkanit në Shkodër

Për Marko Zhojeviqin nga Serbia është hera e parë që viziton Shkodrën. Ai ka thënë se në Akademi ka takuar miq shumë të mirë. “Kam që nga e hëna në Shkodër dhe po ia kaloj shumë mirë këtu. Më pëlqen shumë Shkodra dhe është hera e parë që jam këtu. Unë luaj në instrumentin e akordit dhe pak në piano. Kam shoqëri me të gjithë këtu, edhe me ata nga Kosova, janë shokë shumë të mirë”, citohet të ketë thënë ai, derisa mbante ushtrimet në “Rock Academy” në Shkodër

Bashkimi i një grupi të të rinjve ballkanas në Shkodër për të marrë mësime rreth interpretimit të muzikës rock është parë si mundësi e mirë që, pos përvojës artistike, të bëhen edhe shkëmbime kulturore. Për këtë arsye, “Rock Academy” është duke u parë si hapësirë ku muzika nuk njeh kufij politikë. Sipas mediave shqiptare, të gjithë të rinjtë vijnë nga shtete të ndryshme ballkanike.

Renato Sakica nga Prizreni është vetëm 14 vjeç dhe prej 8 vjetësh ushtrohet në fizarmonikë. Ai e ka vlerësuar këtë eksperiencë dhe njohjen me kolegët e tij nga Ballkani, përfshirë dhe Serbinë.

Për Marko Zhojeviqin nga Serbia është hera e parë që viziton Shkodrën. Ai ka thënë se në Akademi ka takuar miq shumë të mirë.

“Kam që nga e hëna në Shkodër dhe po ia kaloj shumë mirë këtu. Më pëlqen shumë Shkodra dhe është hera e parë që jam këtu. Unë luaj në instrumentin e akordit dhe pak në piano. Kam shoqëri me të gjithë këtu, edhe me ata nga Kosova, janë shokë shumë të mirë”, citohet të ketë thënë ai për “Shqiptarja.com”.

Instrumentistët e tjerë nga Mali i Zi dhe Italia vlerësojnë takimin midis shumë nacionalitetesh.

Edhe Maestroja i pianos zbërthen universin klasik me qasje unike moderne Kulturë 2 muaj më parë Maestroja i pianos zbërthen universin klasik me qasje unike moderne

“Ka një shumëllojshmëri nacionalitetesh këtu, vijnë nga Kosova, Serbia, Mali Zi, unë jam italian po vij nga Bullgaria, kam bërë këtë udhëtim për të mos humbur këtë rast dhe është një moment bashkimi në fund të fundit dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mendojmë të këndojmë, të bashkëpunojmë si dhe të mësojmë, kjo është e rëndësishme", citohet të ketë thënë Mario Zambrini.

Përshkrim të afërt me të ka pasur edhe malaziasi Ivan Kaloviq.

"Unë vij nga Mali i zi dhe kam 5 ditë në Shkodër, është hera e dytë që jam në Shkodër në akademinë e rockut. Ndihem shumë mirë këtu, çdo gjë është e përkryer këtu. Më pëlqejnë shumë vajzat këtu, janë shumë simpatike”, citohet të ketë thënë ai.

Drejtuesi i Akademisëm Florian Jakaj, ka thënë se është viti i pestë i këtij aktiviteti muzikor në Shkodër.

"Është e vërtetë, është viti i 5-të që bëjmë rock akademi klasike dhe new tecnology. Qëllimi është të japim mësime dhe t’i bashkojmë personat mes vete. Muzika s’ka kufij dhe shihet më së miri këtë vit, ku janë regjistruar të rinj nga Ballkani e Evropa. Është krijuar një familje shumë e madhe këtu në Rock Academi", citohet të ketë thënë ai.

Të rinjtë e ardhur nga gjithë Ballkani e përtej këtij gadishulli, përpos se marrin leksione pranë kësaj akademie, japin një sërë koncertesh në pikat turistike të Shkodrës, si Vermosh, Shirokë dhe në rrugën muzeale të Gjuhadolit deri në fund të muajit gusht. Pos kësaj, ata do të kenë mundësi ta vizitojnë një prej qyteteve më të pasura kulturalisht të Shqipërisë.

Edhe Akademia Ndërkombëtare Ballkanike e Pianos, shteg drejt skenave evropiane Kulturë 6 muaj më parë Akademia Ndërkombëtare Ballkanike e Pianos, shteg drejt skenave evropiane

Sa i përket muzikës, qyteti ka goxha veçanti.

Shkodra është qyteti themelues i orkestrës së parë frymore në Shqipëri, në vitin 1878. Ishte iniciativa e arbëreshit françeskan, priftit Markoci, që me ndihmat që mblodhi në popull të bëjë të mundur ardhjen e mjeshtrit napolitan Giovanni Canale, i cili për katër vjet me radhë drejtoi bandën muzikore dhe përgatiti instrumentistët e rinj. Mjeshtri Canale shumë shpejt nuhati talentin e një të riu të cilit ia besoi më vonë drejtimin e bandës. Ky ishte mjeshtri Palok Kurti, i cili, përveç drejtimit të këtij formacioni, punoi fort edhe për krijimin e një repertori kombëtar. Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit 20 zhvilluan një aktivitet të rëndësishëm muzikor edhe prifti Martin Gjoka, e edhe Mikel Koliqi. Nga e gjithë kjo lëvizje e gjerë muzikore u krijuan baza të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të muzikës, u përgatit dhe u formua një gjeneratë muzikantësh si Prenkë Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Ramadan Sokoli, Simon Gjoni e të tjerë.