Duke rinovuar kuzhinën e tij, një burrë ka zbuluar një mural 400-vjeçar me “rëndësi kombëtare” në apartamentin e tij në York të Anglisë. Pjesë të kësaj gdhendjeje, që datojnë prej vitit 1660, u gjetën nga punëtorët të cilët ishin duke montuar kuzhinën në apartamentin e Luke Budworth në Micklegate, qendër e qytetit të Yorkut, vitin e kaluar dhe që atëherë vepra është zbuluar plotësisht.
Piktura mendohet të jetë më e vjetër sesa muret e ndërtesës dhe bazohet në skena e librit “Emblemat” të poetit Francis Quarles, të vitit 1635. Budworth, studiues mjekësor në Universitetin e Leedsit, ka thënë se ishte “e çuditshme” të mendoje se piktura ishte atje përpara ngjarjeve historike sikurse Zjarri i Madh i Londrës së vitit 1666.
“Njerëzit e parë që e gjetën atë ishin montuesit të cilët e vërejtën prapa dollapëve të kuzhinës sime”, ka treguar ai për agjencinë e lajmeve SWNS. “Kur e gjetën, e dija se kishte një copë druri të ngjashme në anën tjetër të oxhakut, e cila mund të ishte pjesë e saj. S'kam menduar kurrë më parë për të. Kujtoja se pas saj kishte tuba”.

'”Ne gjithmonë e dinim se ishte një copë muri e çuditshme, por menduam se apartamenti ishte vjetruar, meqenëse ndër vite ai kishte shërbyer për miliona gjëra të ndryshme. U emocionova shumë kur e pashë. Mora veglat e mia dhe fillova të rrëmih. Në fillim mendova se ishte tapiceri e vjetër viktoriane, por shpejt pashë se ishte vizatuar drejtpërdrejt në murin e ndërtesës ngjitur – kështu që është më e vjetër se vetë ndërtesa”.
Ai ka shtuar se “është e çuditshme të mendosh se ajo ishte këtu edhe përpara Zjarrit te Madh të Londrës dhe gjëra të tjera të ngjashme”.
Budworth u zhvendos në York nga Warringtoni, pjesërisht për shkak të historisë së qytetit. Edhe pse është shprehur se është “e mahnitshme” që pikturat gjenden në shtëpinë e tij, ai gjithashtu ka shtuar se ato janë edhe barrë, sepse nuk ka fonde për ruajtjen e tyre. Ka marrë ndihmë që t’i mbulojë përsëri ato në mënyrë që të parandalojë dëmtimin e tyre. “Kemi shtypur një version me rezolucion të lartë dhe e kemi vënë sipër për t’i mbuluar. Shpresojmë që të tjerët ta shohin dhe që ndoshta del ndonjë shoqëri apo ndonjë student doktorature që ka dëshirë të bëjë ndonjë projekt eksperimental konservimi. Unë gjithashtu shpresoj se kjo do t’i frymëzojë njerëzit e tjerë në Micklegate që të fillojnë t’i shikojnë me dyshim muret e tyre”.