Ish-strehimorja në “Breg të Diellit” prej së premtes mbrëma ka hapur dyert si “Qendër e Kulturës Alternative”. Nuk qe një ceremoni formale, por një organizim që godet dhe ilustron fort që në pagëzimin e saj e nga emri i kolektivit që i dha tjetër kuptim kësaj hapësire. Promovoi kompilacionin e muzikës alternative “Rilindje – Nga errësira në dritë”. Ata që e bënë këtë quhen: “Defy Them”
Ishte ndërtuar si strehimore në rast luftërash e katastrofash në kohën kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë që nuk është më, u harrua për një kohë, e pak vjet më parë nismuan ca iniciativa institucionale për ta funksionalizuar. Por tash ka një epilog.
Ish-strehimorja në “Breg të Diellit” prej së premtes mbrëma ka hapur dyert si “Qendër e Kulturës Alternative”. Nuk qe një ceremoni formale por një organizim që godet dhe ilustron fort që në pagëzimin e saj e nga emri i kolektivit që i dha tjetër kuptim kësaj hapësire. Promovoi kompilacionin e muzikës alternative “Rilindje – Nga errësira në dritë”. Ata që e bënë këtë quhen: “Defy Them”. Nëse shumica e ngjarjeve që do të organizohen aty do t’i ngjajnë “premierës” me të cilën strehimorja “u definua” si hapësirë alternative arti, atëherë ka fort gjasa që objekti dikur i harruar të shndërrohet në pikë referente të kulturës në kryeqytet.
“Rilindje – Nga errësira në dritë” bën tok 18 artistë me 18 këngë dhe 60 muzikantë. Në promovimin e këtij projekti e inaugurimin e “rilindjes” së strehimores, bëri bashkë shumë më shumë se kaq. Aty qenë edhe zyrtarë shtetëror e komunalë. Në mesin e tyre qe edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Kryeministrit Kurti i janë prishur planet. Kishte dashur të merrte pjesë aty vetëm gjysmë ore.
Muzika e rebelimit, arti i aktivizmit
Edhe
“Arti” ringjalljes së hapësirave të braktisura – shembull e sfidë
“Meqë nuk munda të iki me kohë, ma mori mendja se do të më ftonin të thosha edhe unë diçka. U gëzova kur më lutën të mbaja një fjalim të shkurtër, e jo të këndoj. Kur kam qenë i ri, nuk kemi pasur këso qendra kaq të mira, por muzika ka qenë e mirë. Nuk ka qenë vetëm muzikë, por ka qenë edhe një lloj rebelimi social e politik e që unë besoj se është vendimtare për shëndetin e demokracisë, pavarësisht se sa është e mirë qeveria”, ka thënë ai. Ka rikujtuar atë se arti ka qenë gjithmonë një mënyrë si njerëzit i shprehin idetë, por edhe pakënaqësitë.
“Shpresoj se kjo nuk do të vdesë kurrë. Do të jetojë gjatë, duke iu falënderuar entuziastëve dhe vendeve si ky, tek i cili besoj se do të rikthehemi edhe unë edhe ju”, ka thënë kryeministri Kurti.
Të sigurt se kjo qendër do të jetojë gjatë, janë “Defy Them” që investuan e morën përsipër ta menaxhojnë strehimoren. Në fakt bëhet fjalë për objektin të cilin Komuna e Prishtinës, dy vjet më parë e rinovoi me një projekt prej 50 mijë eurosh, dhe u fut në bisedime me Galerinë Kombëtare të Kosovës që t’ia jepte në shfrytëzim me qëllim që aty të zhvendosej koleksioni prej rreth një mijë veprash që ruan GKK-ja. Ende pa nisur punimet rinovuese, nga institucioni më i lartë i artit pamor kishte vërejtje se objekti nuk është i përshtatshëm për këtë qëllim.
Funksionalizimin nga “Defy Them” e ka përgëzuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, teksa ka falënderuar të gjitha “ata që i kanë dhuruar Prishtinës këtë hapësirë fantastike kulturore”.
“Kjo është një mundësi shtesë për krejt muzikantët e rinj, por edhe për të tjerë që do ta përdorin këtë vend për krijimtari akustike. Kemi për të ‘defy’ shumë gjëra, por ajo çka po definohet këtu është mendësia që hapësirat kulturore duhet të iniciohen nga shteti. Ky është një organizim fantastik komunitar. Është i vetë njerëzve, është i ekipit të dy Ilirëve, Galtonit, Ylberit dhe Kombëtarit”, ka thënë ai. Ministri Çeku ka thënë se kur komuniteti i shtyn përpara projektit si këto, beson që edhe institucionet u bashkëngjiten “Ju dini më së miri të na tregoni se si duhet të veprojmë”, ka thënë Çeku.
Kapitull i ri për artistët e rinj
“Defy Them” e ka të qartë se çfarë kapitulli do të hapë në 254 metra katrorë. Strehimorja e dikurshme në rrugën “Mehmet Gradica” në “Bregun e Diellit” do të jetë vend që akomodon shkollën e muzikës Rock, hapësirat e ushtrimeve për artistë, studio për incizime, skenën për live performanca, hapësirën ekspozuese të artit si dhe shumë aktivitete të tjera. Testi i parë ka qenë përurimi i “Rilindje – Nga errësira në dritë”.
“Jam faktikisht i emocionuar, sepse mbaj mend ditën e parë kur kemi ardhur bashkë me ekipin për ta vizituar këtë hapësirë. Asokohe ky vend ka qenë i mbushur me mbeturina dhe nuk ka qenë i shfrytëzuar. Pastaj ka qenë pikërisht ekipi i ‘Defy Them’, një shembull i kolektivit, i cili me punë nuk shikon, por mblidhet e punon për t’i realizuar projektet dhe qëllimet. Pra, ‘Defy Them’ është një organizatë që vepron bashkë me Kino-Armatën, ‘Fondacionin 17’, Qendrën Multimedia e Teatrin Oda. Besoj se kjo hapësirë do të shfrytëzohet në të mirë të publikut”, ka thënë Adrian Berisha, ish-drejtor i kulturës në Komunën e Prishtinës. Ka rikujtuar projektet që kanë organizuar me “Defy Them”, duke nisur nga “Fuzz Festival”, me përkrahje të ndryshme të bendeve të rockut dhe metalit.
Edhe
“Defy Them” - shembull i hapësirës alternative
“Kemi bërë së bashku dhe projektin ‘Rilindje’ dhe shumë e shumë të tjera, por ia vlen të thuhet se kjo qendër është me të vërtetë qershia mbi tortë. Kjo hapësirë do të shfrytëzohet si një hapësirë e cila ka qenë e pashfrytëzuar dhe në gjendje shumë të keqe, e tash siç po e shihni, do të jetë një qendër alternative kulturore”, ka thënë Berisha për strehimoren e dikurshme, njëra prej katër të ngjashmeve sa janë në kryeqytet. Berisha ka zbërthyer rrugën që është ndjekur me këtë rast.
“Diversitet, decentralizim dhe bashkëpunim mes institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si vetiniciativa të pavarura kulturore me fokus të veçantë në implementim të projekteve edukativo-kulturore”, ka thënë ai.
Kombëtar Uskana, njëri prej organizatorëve dhe anëtarëve të “Defy Them”, ka thënë për KOHË-n se “ky projekt është në bashkëmenaxhim me Komunën e Prishtinës, për shkak se është pronë komunale, por restaurimin, financimin dhe institucionalizimin e kishte bërë ‘Defy Them’, me mjetet e vetanake”. Ky kolektiv, që nisi më 2018 fillimisht si Record Label i muzikës alternative për t’u shndërruar në një komunitet më të gjerë kulturor dhe edukativ, do ta ketë në shfrytëzim këtë hapësirë për 5 vjet, sipas një marrëveshjeje me Komunën e Prishtinës në nëntor të vitit të kaluar. Uskana ka folur edhe për ngjarjen e promovimit dhe inaugurimit.
”Kemi qenë me ethe frike nga fundi, për shkak se qëllimi kryesor ka qenë përzierja e institucioneve publike me komunitetin që edhe të mund të shohin se çka po ndodh, sepse jo gjithmonë e shohin. Kjo ka qenë ndoshta diçka e re, që nuk ndodh në këtë masë te ne, por jemi shumë të kënaqur siç ka dalë rezultati”, ka thënë ai. Se cila do të jetë ngjarja e radhës, ende nuk ka një “kalendar”.
“Plane për ngjarje të ngjashme nuk kemi, por do të mundohemi të sjellim gjëra të reja. Për momentin po fokusohemi në fuqizimin e shkollës së rockut në sjelljen e albumeve të reja dhe në promovimin e kulturës mainstream në Kosovë”, ka thënë Uskana.
Për kolektivin, gjithçka nisi në vitin 2018, kur, në periferi të Prishtinës, në kompleksin e ish-fabrikës KosovaTex, u themelua Defy Them, që ishte vendtakimi i ideve, artit, muzikës dhe incizimit të albumeve, interpretimeve dhe diskutimeve. Ideja e themelimit të Defy Them ka qenë për të krijuar një vend për grupet alternative të muzikës. Gjatë viteve të fundit, “Defy Them-it" iu bashkëngjit një komunitet i tërë i cili ishte pro ndryshimeve kulturore.
Gjatë periudhës trivjeçare, sa ka zgjatur krijimtaria për “Rilindje”, ky komunitet ka organizuar gjashtë koncerte për mbledhje fondesh dhe shumë ngjarje të tjera që lidhen me këtë projekt.
Edhe
“Defy Them” feston njëvjetorin si shembull i hapësirës alternative
“Defy Them” ka shkollën e rockut, ku të rinjtë mësojnë si të luajnë në një numër të konsiderueshëm të instrumenteve dhe të bëhen pjesë e muzikës dhe artit kosovar. Gjithashtu, në dhjetor të vitit të kaluar ka organizuar dhe “Fuzz Festival”, ku kanë marrë pjesë disa nga bandat e muzikës rock dhe metal nga e gjithë Kosova.