Pandemia e koronavirusit çoi në mbylljen e teatrove dhe të kinemave në gjithë botën duke shtyrë lansimin e filmave me nam si “Black Widow” nga “Disney” e “Marvel Studio” dhe “No Times To Die” me James Bondin. Mirëpo kjo nuk nënkupton që shikuesit s’mund të shkojnë e të shohin filma.
Kinematë ku mund të shkosh në to me veturë, jo vetëm që kanë mbetur të hapura në ShBA, por janë rikthyer në mendjen e njerëzve që të dëshpëruar po shohin për mundësi të reja për të ikur nga shtëpitë e tyre duke respektuar rregullat e distancës sociale.
Për shembull, Andrew Thomas, pronar i “Showboat Drive-In Theater” në Hockley, Texas ka parë një rritje prej 40 për qind të shitjeve para dy jave dhe një rritje prej 95 për qind këtë javë, duke shfaqur dy filma të njëjtë gjatë gjithë kohës: “Onward” nga “Disney” e “Pixar” dhe horrorin “The Invisible Man” nga “Universal Picture”.
“Të gjithë janë duke kërkuar një rrugë që të ndihen normalë dhe kjo është një mënyrë për të qëndruar të sigurt”, thotë Thomas. “E kam kaluar gjithë ditën duke iu përgjigjur në e-mail njerëzve të cilët asnjëherë më parë nuk kishin dëgjuar për ne, sepse ata po përpiqen që të gjejnë diçka për të bërë”.
Darrell Landers, themelues i “Ultimate Outdoors Entertainment” një kompani për shfaqjen e filmave online, i ka thënë CNBC-së se kompania e tij ka humbur një shumë të konsiderueshme të parave që kur u bë mbyllja e hapësirave publike për shkak të koronavirusit. Kompania e Landersit mbijetoi pasi që po bën së bashku disa grupe të njerëzve për të shikuar filma në ambient të hapur.
Por “UOE” që atëherë është fokusuar në kinemanë e saj mobile që nuk e kishte përdorur këta 12 vjetët e fundit, duke përdorur ekranet LED që të shfaqë filma gjatë gjithë ditës.
"Shfaqja e filmave gjatë ditës në ambient të hapur është një koncept i ri dhe ne jemi duke përdorur ekranet LED për të shfaqur filmat në çdo kohë dhe jo vetëm natën”, ka thënë Landers. “Kështu që shikimi i filmave nga vetura është një rilindje dhe një mënyrë për të mbuluar të ardhurat që i kemi humbur”.
Dhe tani biznesi po lulëzon.
Kat Randolph, drejtori i shitjeve dhe marketingut i “UOE”, beson se ata do të shohin një rritje të të ardhurave në biznes, pasi ata tashmë kanë marrë dhjetëra pyetje nga konsumatorët, duke përfshirë kërkesat e kompanive argëtuese të Los Angeles që janë në kërkim të mënyrave të ndryshme për t’i shërbyer komunitetit.
“Njerëzit duan të jenë pjesë e përvojës së teatrit në çfarëdo mënyre apo forme", theksoi Randolph.
Vetëm 5 deri në 10 për qind e kinemave ku shikuesit shkojnë me vetura në SHBA janë duke përfituar nga koronavirusi, thekson Jim Kopp, sekretarja administrative e shoqërisë së pronarëve të kinemave të tilla, dhe pronare e “Family Drive-In” në Virginia.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.