Kinematë u mbyllën, e bashkë me to edhe shumë vende të punës. Askush nuk e di kur do të rindizen projektorët. Kinemaja është shumë larg unikes në industrinë e cila është e kërcënuar nga koha e pandemisë COVID-19. Por, është një ironi për faktin se shumë prej nesh jemi kthyer te platformat online për të gjetur argëtim, për t’i mbushur orët e gjata të izolimit, shpeshherë duke shikuar përmbajtje të realizuara posaçërisht për kinema.
Audienca sigurisht është rritur duke shikuar më shumë filma në shtëpi. Por, tani kur trendi është bërë një fakt i jetës, duhet shtruar pyetja nëse kultura e kinematografisë do të rikthehet në të njëjtën mënyrë pasi që pandemia të marrë fund.
Dëshmitë nga Kina nuk japin shenja të mira. Në vitet e fundit, Kina kishte pasur shifra të mëdha të ardhurash. Kinematë në Kinë ishim mbyllur kur virusi u shpërnda. Në mes të marsit, një tentativë për të filluar përsëri hapjen e kinemave i gjeti distributorët duke refuzuar që të lëshojnë filma të rinj dhe audiencën duke qëndruar në shtëpi. Në fillim të prillit, rreth 500 kinema që tentuan të rihapen u mbyllën, pasi që morën një vendim nga qeveria. Vizitorët e kinemave kanë thënë se ishte shumë herët për t’i hapur sallat dhe se ishte më e sigurt për të parë filma nga shtëpi, veçmas kur ende s’ka vaksinë për COVID-19.
Situata me kinematë është e vështirë kudo. Në Britani të Madhe, në fillim të muajit të kaluar, e famshmja “Tyneside Cinema” nisi një kampanjë për donacione, për t’u siguruar se do të mund t’i hapë dyert përsëri. Një barrë për pronarë kinemash është fakti se shumë studio filmike po përgjigjen duke lansuar online filma që sapo ishin gati për shfaqje në kinema. “Disney” e bëri animacionin “Onward’ të qasshëm për t’u marrë me qira në video-on-demand, vetëm pas një muaji që nga premiera amerikane.
Në anën tjetër, “Universal”, në mënyrë të ngjashme, i ka bërë të qasshme “The Invisible Man” dhe “The Hunt”. Pasojë e gjithë kësaj është se studiot mund të fillojnë të mendojnë se përse t’i ndajnë të ardhurat e tyre me kinematë, kur ata mund të marrin një pjesë më të madhe duke u shkuar njerëzve drejt e në shtëpi.
Në të vërtetë, përderisa kinematë janë gjunjëzuar, platformat online po përfitojnë. Qasjet në platformat online janë aq të mëdha saqë “Netflix” dhe “Disney +” kanë treguar se kanë reduktuar kualitetin e fotografive deri në 25 për qind, në mënyrë që interneti të mos bllokohet.
Por, para se të fillojmë e të mendojmë për shenjat e likuidimit, është e rëndësishme që të kujtojmë dhe të festojmë se si kinematë u kanë bërë ballë stuhive të fuqishme përgjatë historisë. Deklarimet për rënie nga fronti i kinemave kanë qenë diçka e rregullt përgjatë dekadave, e në vitin 2019 të ardhurat e kinemave ishin më të larta se kurrë.