Publiku ka nisur që të kthehet në kinematë e vendit, pas mbylljeve të herëpashershme që pësuan për shkak të pandemisë. Drejtuesit e kinemave në vend kanë theksuar sfidat e tyre gjersa kanë bërë thirrje që të tregohet kujdes ndaj tyre, por edhe artit që ata shpalosin. Java e parë e “Zgjoit”, ka nxjerrë shifra të mira. Krijimi i shprehisë së të shkuarit në kinema dhe perceptimi i kinemasë përtej komercializmit mbetet një tjetër mision
Mbi 4 mijë bileta pa u bërë një javë janë bilancet e shikueshmërisë për filmin “Zgjoi” vetëm në “Cineplexx” të Prishtinës e atë të Prizrenit. Filmi që shpalos rrëfimin e grave nga Krusha e Madhe po shihet si shenjë e mirë për këtë kinema në rikthimin e shikuesve para ekraneve të mëdha. Publiku ka nisur që të kthehet edhe në kinematë e tjera në vend, duke dhënë kështu shpresë për rimëkëmbje përkundër sfidave.
Drejtuesit e kinemave kanë theksuar sfidat e tyre gjersa kanë bërë thirrje që të tregohet kujdes ndaj tyre por edhe artit që ata shpalosin.
Artan Ramadani udhëheqës i marketingut në “Cineplexx” – ku të martën u organizua “Dita e Kinemasë” – ka thënë se me vaksinimin e popullatës është bërë më i sigurt edhe kthimi në kinema, ani pse ende vazhdojnë të funksionojnë me kapacitet jo të plotë për shkak të masave në fuqi për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Kinematë lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50 për qind të kapacitetit të hapësirës, e po ashtu obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej 1 metër në mes të personave. Në anën tjetër, në 24 orët e fundit janë dhënë 5 mijë e 751 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1 milion e 568 mijë e 983 doza të vaksinës. Kurse, deri më sot 730 mijë e 37 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Ramadani ka theksuar se me nisjen e shfaqjes së “Zgjoit” në kinema më 28 tetor dhe së fundi edhe me organizimin e eventit “Halloween night” kanë vënë re rritje të interesimit. “Zgjoi” është edhe në repertorin e “Cinemarine” që ende nuk ka dalë me shifra.
“Në anën tjetër, nëse shikon edhe arkat filmike, e vë re se shikimi i filmave shkon duke u rritur dhe për situatën ku jemi, kjo është shumë mirë, pasi që jep sinjalin se publiku veç sa ka filluar të rikthehet, ndonëse kufizimi i masave ende po vazhdon”, ka thënë ai.
Ka thënë se kinematë do të marrin vëmendje më shumë sidomos kur studiot filmike të vendosin që filmat t’i shfaqin fillimisht në kinema para se t’i shfaqin në platforma digjitale.
“Por ky do të jetë një hap që me siguri do të ndodhë nga viti 2022 e më tutje, kur do të rikthehet normaliteti dhe kur studiot të vendosin përsëri që t’i shfaqin fillimisht filmat në kinema”, ka thënë ai duke shtuar se karshi kinemave në botë kinematë në vend kanë shpëtuar më mirë.
“Ka pasur kinema që janë detyruar që t’i largojnë edhe punëtorët nga puna. Ne si kinema kemi pasur disa mbyllje dhe kjo është barrë e madhe për kinematë, por tani po përpiqemi që ta rimarrin veten”, ka thënë ai.
Për Ares Shportën nga “Kino Lumbardhi” në Prizren, gjendja e kinemave ka pësuar shumë ndryshime, për shkak të avancimeve të teknologjisë dhe qasjeve në platforma digjitale, piraterisë, mediave sociale e të tjera, duke shtuar këtu edhe pandeminë.
“Ne, deri në vitin 2003 kemi pasur vetëm një kinema aktive dhe ajo ka qenë një kinema komerciale, ‘ABC’-ja, përderisa atë vit është hapur ‘DokuKino’ e cila deri në vitin e kaluar ka funksionuar si kinema komerciale, ndërsa tani është kthyer në funksion si kinema alternative dhe edukative. E njëjta është bërë edhe në rastin e ‘Kino Armatës’ në Prishtinë, ‘Jusuf Gërvallës’ në Pejë dhe ‘Kino Lumbardhit’”, ka treguar ai.
Ka shtuar se veç janë duke punuar në formalizmin e një rrjeti të kinemave që do të ndihmonte në shkëmbimin e përvojës dhe njohurive në programim, në financim të programeve, në rritje të publikut si dhe në zhvillim të infrastrukturës së kinemave ekzistuese, por edhe kinemave të reja.
“Jemi në dijeni që është duke u punuar në Ligjin e ri për kinematografi dhe po shpresojmë që këto pjesë që ndërlidhen me kinematë, përkrahjen për kinematë e pavarura, format e bashkëpunimit në mes të Qeverisë, komunave dhe shoqërisë civile apo organizatave kulturore për menaxhimin e kinemave duhet të adresohen, në mënyrë që të ketë një kthim të qëndrueshëm të kinemave dhe një mision të ri në kontekst të kohës së sotme”, ka thënë ai.
Sipas tij, platformat e reja nuk është se i sheh si ndikuese. Më shumë sipas tij, duhet punuar me gjeneratat e reja në krijimin e shprehisë së të shkuarit në kinema.
“E rëndësishme është që të ketë bashkëpunime me shkolla që të promovohet roli edukativ i filmit, roli emancipues i filmit dhe jo vetëm aspekti komercial i filmit dhe ai i popullarizuar, por që filmi të përdoret në mënyrë efektive si mjet i të mësuarit, gjë të cilën partneri ynë ‘DokuFest’ e ka realizuar në mënyrë goxha të përsosur, por ka mundësi që këtë ta implementojmë edhe në nivele të tjera dhe të kultivojmë dëshirën për të shkuar në kinema të gjeneratat e reja”, ka thënë ai.
Sipas tij, pas pandemisë, kinematë disi po e marrin veten, pasi që po kanë vështirësi për të arritur numra të lartë të shikueshmërisë, pasi që po humbet shprehia e të shkuarit në kinema.
“Kinemaja në Kosovë veçse ka pasur një gjendje të rëndë edhe para pandemisë dhe nuk shoh një diferencë me të madhe veçse po shoh një gatishmëri me të madhe të akterëve, kinemave të pavarura, organizatave rreth tyre që të organizojnë dhe zhvillojnë këtë sektor, që ai ta rimarrë veten jo vetëm pas pandemisë, por edhe pas këtyre 40 vjetëve të fundit që e kanë degraduar kinemanë”, ka thënë ai.
Sipas tij, duke pasur parasysh se është një moment kur kinematografia është shpallur një sektor i rëndësisë së veçantë dhe ka arritur suksese të mëdha, është një avantazh avokimi për kthimin e kinemave dhe avancimin e kinematografisë.
Miradije Vllahiu, drejtoreshë e “Kino ABC-së” në Prishtinë, ka thënë se kinemaja është vlerë dhe ka gjithmonë nevojë për investime, në mënyrë që të jetë në hap me kërkesat e kohës.
“Në situatën pandemike sot, kinematë në botë ofrojnë mundësi të platfomave online me sisteme të ndryshme anëtarësimi dhe parapagimi, një gjë e cila është ende e re për vendin tonë”, ka thënë ajo.
“Dëshira e publikut për të përjetuar filmin në ekranin e madh është individuale dhe kolektive dhe kjo duhet bërë edhe me organizim institucional. Politikat e kinemasë janë promovimi i vlerave të fundit kinematografike, plotësimi i nevojave dhe kërkesave të publikut me prurjet e fundit, lidhja e tyre me botën e filmit dhe mundësi të shumta për organizime të ndryshme në interes të artit e kulturës”, ka thënë Vllahiu.
Sipas saj, komoditeti që ofrojnë platformat e ndryshme dhe zhvillimet në teknologji po ndikojnë edhe te kinemaja.
“Ani pse përjetimi që kinemaja ofron është i pakrahasueshëm”, ka potencuar ajo, duke shtuar se duhet investime në kulturë, art, kinema e fusha të tjera që janë bazë për themelet e vlerat e çdo shteti.
“Kino ABC” për momentinn ka pesë filma të rinj në repertor – “Halloween Kills”, “No Time to Die”, “The Addam’s Family 2”, “Ron’s Gone Wrong” dhe “The Boss Baby: Family business”.
E hiti i Kosovës në kinema, “Zgjoi” i Blerta Bashollit, kandidati i Kosovës për “Oscar” dhe fituesi i trefishtë në “Sundance Film Festival”, pos në “Cineplexx” të Prishtinë e të Prizrenit, mund të shihet edhe në “Cinemarine” po në Prizren.