Poezia e muzika kanë përherë një lidhje të pandashme, frymojnë me njëra-tjetrën. E në këtë formë, Besart Zhuja ka zgjedhur ta përurojë librin e tij të parë me poezi. “I ngurtë ... RI-ZGJOHEM! Në hapësirë, në kërkim të orientimit prej yjeve që lëvizin”, ka shkruar ai në kopertinën e tij, përderisa shfletimi i faqeve e takon lexuesin me synimin. “Këtë libër ia dedikoj mendimit të lirë”, shkruhet aty
Në një mënyrë larg tradicionales i është prezantuar publikut “Ri-zgjohem”. Kino “Armata” si një hapësirë ku jo rrallë promovohen libra, kësaj here përjetoi një ngjarje më ndryshe. Kur dera u mbyll, dritat u fikën, autori nuk e nisi rrëfimin e tij për librin. Besart Zhuja zgjodhi që libri i tij i parë me poezi të promovohet gërshetuar me mënyrën fillestare artistike të tij: performancën muzikore.
E nisi me kitarë performancën e këngëve të tij, pjesë të albumit që ende nuk ka dalë, përderisa muzikën shpesh e ndalte leximi i poezive të librit të parë që artistin e sjell në dimensionin e autorit që pëlqen të rrëfejë midis vargut dhe poezisë. Kjo mënyrë e sjell atë si një artisti shumëdimensional. Përderisa vargu i tij fliste shumë teksa interpretohej nga aktori Ermal Sadiku, melodia që vinte nga ai rrëfente më tej rreth natyrës së artistit.
“I ngurtë ... RI-ZGJOHEM! Në hapësirë, në kërkim të orientimit prej yjeve që lëvizin”, ka shkruar ai në kopertinën e tij, përderisa shfletimi i faqeve e takon lexuesin me synimin. “Këtë libër ia dedikoj mendimit të lirë”, shkruhet aty.
Në titujt e 77 poezive pjesë të librit mësohet që autori ka shpalosur intimitet teksa ka folur për dehjen, gjithësinë, dashurinë, tradhtinë, shpresën, shqiptarët, për të kaluar në shumëçka dhe shumëkund. Pos me emërtime, se ka kaluar në intimitet qysh në paraqitjen e tij të parë në një libër me poezi e ka thënë edhe në parathënien. “Në disa raste kam marrë guximin që të ndaj me ju edhe të vërteta të mia intime, për veprimet e mia që kam bërë”, ka shkruar ai.
Në fletat e librit, ngjyrat e të cilit shkojnë më në bezhë dhe ngjasojnë me letrën e vjetër, Zhuja ka shkruar për shumë gjëra dhe i shpalos ato në shumë dimensione. Ideja e tij qëndron në shtrirjen e temave në një tjetër dimension. “Nëse jo për të ndezur mendimin tuaj mbi këto që kam shkruar, të paktën për të parë një perspektivë timen mbi ato që kam shkruar”, shkruan në parathënie. Krejt idenë e tij e ka sjellë mbështjellë në kopertinat e errëta që prezantojnë galaksinë dhe universin njashtu siç ka qenë e projektuar edhe në sfondin e skenës minimaliste të performancës.
Për Besart Zhujën, që verën që shkoi publikoi librin në të cilin rikompozoi këngë të vjetra shqipe që i titulloi “Hapi sytë”, mbrëmja e së mërkurës ishte një mundësi për t’u prezantuar në disa dimensione e për ta treguar anën e tij artistike para publikut që u mblodh për të. Pos miqve e që tha se i kishte pjesë e krijimit të librit me kritika dhe mendime, tashmë një publik më i gjerë pati mundësinë të gjykojë mbi poezitë dhe mbi këngët ende të papublikuara. Ky promovim i shërbeu që në krijim e sipër të albumit muzikor të mbledhë përshtypjet e para nga publiku dhe në bazë të tyre edhe të vazhdojë të krijojë.
“Është një koleksion i mendimeve personale, i refleksioneve individuale, i eksperiencave të rrethit ku jetoj. Reflektim mbi këto parime. Është një libër që përmban një luftë personale ndaj thyerjes së tabuve e dogmës dhe promovimit të mendimit të lirë”, ka thënë Zhuja.
“Metra katrorë”, “Jam dehur”, “A po m’kupton?”, “Ritakohem”, “Hapi sytë”, “Ty kur t’pash”, “Mesi është i artë”, janë vetëm disa tituj nga 77 sa ka gjithsej libri. Ndonëse si numër nuk është edhe aq i vogël, këto janë vetëm disa nga shumë të tilla që Zhuja i mban në sirtarë. Zgjodhi disa të tilla që mendoi se tani është koha e duhur për t’i publikuar, përderisa ka thënë se ka mundësi që koha t’u vijë edhe të tjerave.
“Të them të drejtën nuk e di nga jam motivuar. Ka qenë një mbledhje e shumë gjërave në nënvetëdije. Nuk është që ka filluar ose ka përfunduar diku. Ajo është diçka që vazhdon. Thjesht, këto mendimet kur u bënë të mjaftueshme vendosa që 77 poezi t’i nxjerr në një botim”, ka thënë Zhuja. Fundi i poezisë ka thënë të jetë pjesa më sfiduese për të.
“Ka qenë e vështirë, sepse edhe në poezi nuk e di se kur me ia vendosë fundin një poezie apo kur me e përfundu një poezi. Është një problem i madh që po besoj që të gjithë ata që kanë dëshirë të shkruajnë e kuptojnë. Faktikisht kjo ka qenë ideja që ta sfidoj veten dhe të provoj diçka të re”, ka thënë ai.
Ndërthurja që ai ka bërë me këngë e me poezi në ditën e promovimit erdhi si një freski sa i përket tradicionalitetit të promovimit të librave. Autori i saj bashkë me producentin Lis Boshtrakaj me të cilin ka bashkëpunuar për albumin, menduan që inkuadrimi i këngëve për të cilat po punohet ende është një mënyrë e mirë për t’i dhënë veçanti organizimit.
“Menduam bashkërisht me kolegun Lis Boshtrakaj që ta nxjerrim pak jashtë kontekstit tradicional promovimin e librave. Ti promovojmë në një hap më tutje dhe më shumë të bëjmë një test, një eksperiment se si do të dukej një performancë ku janë këngët dhe poezitë bashkë në një vend”, ka thënë Zhuja.
Të veçantë këtë mënyrë e ka parë edhe aktori Ermal Sadiku, i cili mbrëmjen e pasuroi me interpretimin artistik të poezive.
“Për mua ishte një eksperiencë e mirë, sepse ishte një promovim më ndryshe i librit me poezi. Kur ma ka shpjeguar idenë Besarti kam pranuar menjëherë të vij, sepse është më ndryshe nga të tjerët. Më ka rënë edhe me libra të tjerë të performoj në mënyrë të tillë, por kjo ishte më ndryshe, sepse Besarti i promovoi edhe këngët e tij të cilat më kanë pëlqyer dhe ishin ato që më kanë shtyrë që akoma më shumë të mendoj për poezitë e Besartit”, ka thënë Sadiku.
Teksa po interpretonte vargjet nga poezia, në pamje dukej sikur i përjetonte dhe pëlqente mënyrën se si autori ka nxjerrë gjërat në pah. Se i kanë pëlqyer e ka thënë edhe pas interpretimit.
“Përshtypja është shumë e mirë për shkak se kur e lexon për herë të parë nuk të duket, por kur kalon te leximi i dytë e gjen veten dhe ashtu edhe siç thotë edhe titulli i librin e rigjen veten, rizgjohemi. Besoj që çdo njeri e gjen veten jo në një, por mbi dhjetë poezi të tilla”, ka thënë aktori teksa ka veçuar poezitë e Zhujës. “E bëjnë të veçantë sepse Besarti është muzikal dhe mënyra e tij e të shprehurit edhe në muzikë, por edhe në poezi është shumë e veçantë dhe shumë e vërtetë. Kjo është ajo që lë më shumë përshtypje tek unë si aktor, sepse po flas nga aspekti i aktorit dhe interpretuesit të poezive të Besartit”, ka thënë Sadiku.
Teksa Besart Zhuja erdhi muaj më parë me “Hapi sytë”, në të cilin rikompozoi dhe solli të rifreskuara këngët e vjetra shqiptare, kësaj radhe me “Ri-zgjohem” krijoi diçka ndryshe nga muzika, por që i lidh këto forma në varg. Bashkimi i krijimtarisë së tij si muzikant dhe autor tregoi se po vjen në një projekt të cilit nuk ia zbuloi emrin. Nga “Hapi sytë” do të marrë interpretimin dhe nga “Ri-zgjohem” krijimin, e si përfundim do të vijë në një formë të paparë më herët, ashtu siç po bën në secilën paraqitje të re.
“Nuk jam i sigurt për periudhën kur do të lansohet albumi. Jemi duke punuar. Momentalisht jam në një periudhë që kam disa koncerte jashtë vendit. Jam pjesë e një grupi të Bashkimit Evropian për të eksportuar muzikën shqipe në BE. Ideja është që ne të mbajmë disa koncerte dhe në të njëjtën kohë të punojmë për albumin e ri”, ka thënë Zhuja për KOHËN.