Kulturë

“180 shkallë” çon në katin e 11-të dialogun ekzistencialist

Midis vargjeve, artisti dhe poeti Besart Zhuja shpërfaq të vërtetat nga këndvështrimi i tij. Flet për jetën, vdekjen si tema ekzistencialiste. Apartamenti në katin e njëmbëdhjetë nuk është më pronë private. Në ekspozitën “180 shkallë” poezitë futen në lojë edhe me skulptura si tentim për të kuptuar diçka nga karakteri i ndërlikuar i natyrës njerëzore

Kati i njëmbëdhjetë i një ndërtese banimi në kryeqytet qe adresa që bëri bashkë artdashësit, por ndryshe nga zakoni, ekspozita u hap në banesën personale të artistit Besart Zhuja. E vendosur në ambientet kryesore të banesës dykatëshe, që në hyrje hap dyert për në botën krijuese të artistit. Në fillim shfaqet kuzhina e shtëpisë, e cila sipas Zhujës është metaforë e botës materiale. Muret e saj të veshura me vargjet e poezive të librit të vetë artistit, “Ri-zgjohem”, botuar vjet, janë takimi i parë i shikuesit me artin e tij. Në një bazament qëndron skulptura, tip busti i punuar nga gipsi që duket sikur kuvendon me një vepër tjetër artistike të punuar nga teknika të ndryshme, këtë radhë, e varur në mur në varg me poezitë me prapavijën e zezë që kontrastonin estetikisht me të bardhën e mureve. Titulli i ekspozitës: “180 shkallë”. E, kuptimet janë të shumëfishta.

Një holl i gjatë rrëzë kuzhinës fton bindshëm në pjesën qendrore të kësaj ekspozite, dhomën e ndejës, e cila në vend të orendive bëhet shtëpi e skulpturave dhe kompozicioneve artistike të artistit që ndërthuren natyrshëm me poezitë e ekspozuara kudo nëpër mure. Poezitë si “Mesi është i artë”, “Drejtësia e kësaj bore”, “Tokës i kemi borxh”, “Llogari” e “Kanibal” janë ato që imponojnë fokusin qendror të ekspozitës. Përmes artit të fjalës artisti ballafaqohet me sinqeritet të plotë me veten karshi pyetjeve të mëdha me bazë filozofike, arrin t’i bëjë ato të rezonojnë me këdo që i lexon.

Vetë artisti, i cili vjen me këtë ekspozitë debutuese duke eksperimentuar për herë të parë edhe me skulpturën, thotë ta ketë menduar gjatë një prezantim të tillë. Si hap të bërë mirë e saktë, ai synon të zgjerohet në mediume artistike, përtej poezisë dhe këngës me të cilën e ka shfaqur veten deri tani. Ndërkaq për ekspozitën “180 shkallë”, ashtu siç edhe e shpalos veten, ka thënë se është një mishërim i poezisë dhe veprave artistike të tij.

“Në këtë ekspozitë, përveç historive dhe bindjeve personale, jam munduar të eksploroj pak edhe ndjesitë nën lëkurën e dikujt tjetër, nëpër ide e ndjenja të cilat njerëzit i kanë, por hezitojnë me i tregu. Aty përfshihen disa rryma, si konflikti e dialogu në kuadër të ekzistencializmit dhe frika nga vdekja”, ka thënë Zhuja duke shtuar se koncepti kuratorial ndërtohet kryesisht nga këto elemente të përbashkëta nga përvojat njerëzore, por që natyrisht as spektra të tjerë unikë nga jeta nuk kalojnë pa u trajtuar nga ai.

Image
Në ballkonin e katit të dytë gjendet skulptura qendrore e punuar nga gipsi që imiton një krijesë të gjunjëzuar, por krahëhapur në pritje të përqafimit. “Ekzaminimi i prehjes” flet për një histori të një personi që ka ndërruar jetë dhe tani ballafaqohet me një të panjohur...

Ambienti në të cilin ka vendosur ta realizojë ekspozitën përbën veçanti në shumë aspekte e teksa një peizazh mbrëmjeje i Prishtinës me dritat e qytetit dukej si pjesë e ekspozitës, nga ballkoni i banesës, artisti në një prononcim për KOHËN ka zbërthyer arsyen.

“Ka qenë në një ndër idetë fillestare, pse kam dashtë me i publiku poezitë përmes një ngjarjeje të tillë, në një ambient të tillë. Prishtina veçse njihet për traditën e skenës alternative, andaj kam menduar se një apartament është një hapësirë optimale për një ekspozitë të këtyre përmasave, duke filluar të ndërtoj një karrierë në këtë aspekt, andaj dhe kam zgjedhur që me qenë një apartament privat”, ka shtuar ai.

Përveç poezive nga libri “Ri-zgjohem”, për herë të parë në këtë ekspozitë Zhuja ka publikuar edhe poezinë e tij të re nën titullin “Ekzaminimi i prehjes”, e cila qysh nga titulli transmeton doza ftohtësie. E karakterizuar nga dhjetëra vargje shtrihet përgjatë shkallëve të cilat shpënë në ballkonin e katit të dytë, ku gjendet skulptura qendrore e punuar nga gipsi që imiton një krijesë të gjunjëzuar, por krahëhapur në pritje të përqafimit.

“Ekzaminimi i prehjes” flet për një histori të një personi që ka ndërruar jetë dhe tani ballafaqohet me një të panjohur, teksa takohet me një plak i cili i tregon rrugën, por që në mënyrë ironike ai vetë kishte mbetur i ngulitur për shekujt të tërë në një stacion të vetëm.

Veprat artistike shfaqen si një tendencë e artistit që vargun e tij ta shndërrojë edhe në një dimension tjetër. Përveç kompozicioneve të shkronjave në fletë, ai i shndërron ato në skulptura.

“Jam munduar t’i mishëroj materialet e ndryshme nëpër vepra artistike. Për shembull kam përdorur gipsin, por në disa edhe gypat sanitarë. Në katin poshtë është një pikturë e cila paraqet një figurë të njeriut, e që në kokë ka një poç elektrik të ndezur. Si metaforë që përshkruan shkuarjen përtej botës materiale, përmes dritës”, ka thënë ai.

Besart Zhuja, identitetin e tij artistik duket se e ndërton nga copëza të ndryshme, duke eksploruar mediume të ndryshme. Por, pa dyshim vargu ngelet shprehja e tij artistike, e cila i vjen krejt natyrshëm. “Hapi sytë” ishte projekti i tij i parë debutues, i cili erdhi në vitin 2022 si një album muzikor me poezitë e shkruara nga vetë ai që preknin tema si migrimi, atdhedashuria derisa në të kishte inkuadruar dhe elemente arbëreshe. Pas kësaj ekspozite, ai synon që të krijojë një kompozim tjetër artistik me vepra të reja dhe një perspektivë tjetër nga ajo e “180 shkallë”.