Muzeu “Prado” ka vendor t’ua kthejë shpinën vizitorëve të saj. Ata që ndjekin ekspozitën e fundit të Muzeut të Madridit nuk priten nga shkëlqimi i plotë i veprës më të famshme të piktorit Diego Velázquez, “Las Meninas”, por nga një rikrijim i vrazhdë i përmasave reale të pjesës së pasme të pikturës.
Midis autoportreteve të Goyas, Rembrandtit dhe Van Goghut, në ekspozitë shfaqet dhe piktura e murgeshës në dukje e devotshme, duke zbuluar pjesën e poshtme të saj. Kjo është një pikturë, korniza e së cilës dëshmon konfiskimin e saj nga nazistët.
Synimi i ekspozitës së re të titulluar “Reversos” (On the Reverse), është ta dërgojë shikuesin përtej sipërfaqes së një imazhi artistik, dhe t’i inkurajojë ata ta shohin pikturën fizike, anën e pasme dhe kornizën e saj, si objekte që fshehin, por gjithashtu mund të zbulojnë sekrete, histori dhe kuptime të ndryshme.
Sipas drejtorit të “Prados”, Miguel Falomir, gjeneza e ekspozitës qëndron në pikturën “Las Meninas”, në të cilën Velázquez shihet duke i vëzhguar vizitorët teksa është duke pikturuar.
“Ekspozita synon të na kujtojë diçka, që unë mendoj se Velázquez gjithashtu do të donte që ne ta merrnim parasysh, nëse ai do të ishte këtu, është se arti dhe piktura në veçanti nuk ka të bëjë vetëm me vetë imazhin. Veprat e artit janë tredimensionale. Kur fokusohemi vetëm tek imazhi, i cili është një riprodhim i një momenti të caktuar të ngrirë në kohë, marrim disa informacione, por na mungojnë shumë të tjera kur bëhet fjalë për gjithçka që vepra do të thotë si objekt. Më pëlqen të them se kur sheh një pikturë, pjesën e saj të pasme dhe kornizën e saj, është sikur të qëndrosh përpara një zbulimi arkeologjik, në të cilin çdo shtresë ka historinë e saj për të na treguar”.
Edhe
Kërkesa e re mund ta lëvizë “Guernican” e Picassos pas çerek shekulli
Kuratori i ekspozitës, Miguel Ángel Blanco, ka bërë bashkë 105 vepra nga muzeu “Prado” dhe nga 29 muze e koleksione ndërkombëtare, të cilat i ka instaluar në dy dhoma që janë lyer me ngjyrë të zezë, për të krijuar një atmosferë misteri dhe zbulimi. Disa prej këtyre veprave të artit mund të shihen nga të dyja anët, kurse disa të tjera janë kthyer mbrapsht, për të treguar më mirë mesazhet, vulat dhe skicat që e zbukurojnë anën e pasme të tyre, e që njëkohësisht nuk janë parë nga syri i publikut për kaq shumë kohë.
Blanco tha se rrotullimi i pikturave i lejon vizitorët t’i shijojnë dhe t’i kuptojnë ato si objekte dhe jo thjesht si imazhe.
Por sipas kuratorit, vepra ndoshta më tërheqëse në ekspozitë është ajo e Martin van Meytens, “Kneeling Nun” (Murgesha e gjunjëzuar), e pikturuar rreth vitit 1731. Njëra pikturë e tregon një murgeshë të devotshme duke u lutur e mbikëqyrur nga një murgeshë më e moshuar. Megjithatë, piktura tjetër e shfaq murgeshën të zhveshur dhe duke i ekspozuar të pasmet.
“Është një shembull i shkëlqyer i një imazhi pornografik gjysmë të fshehur në pjesën e pasme, që i përkiste ambasadorit suedez në Paris, i cili e mbajti të fshehur dhe ua tregoi vetëm të ftuarve specialë”.
Miguel Ángel Blanco, i cili është gjithashtu artist, i ka tri vepra personale të përfshira në ekspozitë.
Edhe
Portreti i rizbuluar i Picassos del në publik, shkund tregun e artit
“On the Reverse” do të qëndrojë e hapur në muzeun kombëtar të artit “Prado” në Madrid, deri më 3 mars të vitit të ardhshëm.
Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku