Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Restaurohet “Mësonjëtorja”, artefakt i kinematografisë shqiptare

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Shqipëri ka restauruar filmin ikonik “Mësonjëtorja”, që mban firmën e regjisorit Muharrem Fejzo, me skenar të Natasha Lakos dhe mjeshtërinë e piktorëve Shyqyri Sako e Ilia Xhokaxhi. E pashlyeshme është edhe loja e Roza Anagnostit, Gulielm Radojës, Robert Ndrenikës, Ardian Cergës e të tjera emra të shquar të kinematografisë shqiptare.

“Një përkim i bukur dhe një ogur i mirë restaurimi i filmit ‘Mësonjëtorja’ me ditën e parë të shkollës”, ka shkruar në rrjete sociale ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, teksa u ka uruar suksese çdo nxënësi dhe mësuesi për fillimin e një kapitulli të ri, duke ndarë lajmin se puna e bërë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me “Harabel Contemporary Art Platform” do të mund të shfaqet nga publiku të martën pasdite në Pallatin e Brigadave.

“’Mësonjëtorja’, një film-simbol i përpjekjes për dije dhe një homazh për të gjithë dëshmorët e gjuhës shqipe, që sakrifikuan gjithçka për të mbajtur ndezur këtë flakë”, ka shkruar ministrja Margariti.

“Mësonjëtorja” një vepër e shndërruar tashmë artefakt të kinematografisë shqiptare, i prodhuar në vitin 1979. Personazhi kryesor është Dafina, një grua e vjetër e shkolluar, e cila kthehet në qytet për të hapur shkollën e parë për vajzat. Ajo ndeshet me pengesat dhe intrigat e thurura nga kreu i Sanxhakut i cili kërkon rrugë të ndryshme për ta nxjerrë Dafinën nga qyteti. Për të ndaluar përpjekjet e saj për ngritjen e shkollës kleri përpiqet të helmojë dhe çkishërojë Dafinën. Shkollën e djegin. Xhaxhai i saj Stefan Bardhi, luftëtari Kajo dhe çifti që e strehon Dafinën e ndihmojnë atë.