Kulturë

Propaganda në frymë sovjetike e Shqipërisë dhe pasioni për estetikë

Propaganda në frymë sovjetike e Shqipërisë dhe pasioni për estetikë

Duke përfshirë vitet pas Luftës së Dytë Botërore, ku shqiptarët ishin të nxitur të “respektonin dhe zbatonin ligjet e qeverisë” derisa nderonin sakrificat e përgjakshme të heronjve, pamjet tregojnë qartë përkushtimin e Hoxhës ndaj Stalinit dhe diktatorit jugosllav Josip Broz Tito

“A State Film” i Roland Sejkos ngre pyetjen se si kanë ndryshuar format e propagandës, duke detyruar gjithashtu reflektime të pakëndshme mbi faktin se sa shumë trope klasike përdoren ende sot. “A State Film” është përshkruar si një demonstrim i asaj se “si arkivi nuk është thjesht një depo imazhesh, por një mjet për të interpretuar dhe rishkruar historinë”. “Nuk është vetëm teknika e kameramanit ajo që krijon këtë ngjashmëri. Është vizioni i botës ai që po tregohet: gjithmonë e njëjta koreografi e gëzimit kolektiv”, thotë Sejko

Will Tizard

“A State Film”, dokumentar nga Roland Sejko që është nxjerrë nga një arkiv i stërmadh i pamjeve zyrtare që janë bërë nën regjimin e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, është një studim mbresëlënës në fuqinë e imazhit dhe mitit.

Shfaqur në konkurrimin kryesor të ngjarjes më të rëndësishme vjetore të kinemasë jofiktive në Republikën Çeke, Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Ji.hlava”, përmbledhja e imazheve të ndërtuara me kujdes për masat ka shumë për t’u analizuar, thotë Sejko.

“Kam punuar për vite të tëra me arkivat filmike për propaganda, fillimisht me ‘Istituto Luce Cinecitta’, si dhe me arkivat e regjimit komunist shqiptar. Të dyja arkivat përmbajnë mijëra filma që janë realizuar për të ndërtuar narrativen politike, shpeshherë me ambicie të spikatura filmike”, ka thënë Sejko.

Zhanri është një i atillë që Sejko e ka eksploruar edhe në filmin e tij të mëparshëm, “The Image Machine of Alfredo C.”, i shfaqur në vitin 2021 në Festivalin e Filmit në Venecie. Ai film rrëfen historinë e vërtetë të një kameramani të “Istituto Luce”, i cili ka filmuar Musolinin dhe propagandën fashiste e madje edhe kreun e Shqipërisë komuniste.

“Ishte një film hibrid, por gjatë realizimit të tij kuptova se arkivi i gjerë shqiptar i filmit, si dhe figura qendrore e Enver Hoxhës nuk kishin qenë kurrë të rrëfyera ekskluzivisht përmes vetë imazheve të tyre”, ka thënë ai.

Kështu Sejko, si arkivist profesionist dhe duke qenë në krye të departamentit redaktorial të “Cinecitta Luce” në Itali, nisi të analizonte dhe të kuronte filma nga dekadat filmike të propagandës shtetërore.

“Lajmet dhe dokumentarët e propagandës shqiptare posedojnë qartë gjurmë të kinematografisë së Bllokut Lindor. Operatorët e parë shqiptarë të kamerave qenë trajnuar nga mjeshtërit sovjetikë, duke nisur me Roman Karmenin, kronistin legjendar të revolucionit dhe luftërave”, thotë Sejko. “Asnjëherë nuk ka pasur një manual për kameraman të propagandës, asnjë udhëzues të shkruar për mënyrën se si filmohet një regjim. Megjithatë, diçka e padukshme pati udhëhequr imazhet e tyre. Një paradë e 1 Majit e filmuar në Shqipërinë komuniste duket befas e ngjashme me një të filmuar në Moskë, Bukuresht apo Sofje në të njëjtat vite”, ka shtuar ai.

Në të vërtetë imazhet e punëtorëve heronj që brohorasin dhe vajzave që vallëzojnë me veshje tradicionale, të shfaqura në “A State Film”, janë tmerrësisht të njohura. Duke përfshirë vitet pas Luftës së Dytë Botërore, ku shqiptarët ishin të nxitur të “respektonin dhe zbatonin ligjet e qeverisë” derisa nderonin sakrificat e përgjakshme të heronjve, pamjet tregojnë qartë përkushtimin e Hoxhës ndaj Stalinit dhe diktatorit jugosllav Josip Broz Tito.

Në “A State Film” ka edhe pamje nga arkivi personal i Hoxhës, që tregojnë momente larg turmave që brohorasin

Portrete gjigante të të treve tërhiqen përgjatë rrugëve të pafundme derisa turmat e adhuruesve të detyruar parakalojnë me karroca dore, lopata dhe karabina. Këndohet lavdërim për industrinë, përderisa bunkerët mbrojtës, të cilët Hoxha i ka ndërtuar me qindra mijëra, përballojnë shpërthime testuese duke dëshmuar gatishmërinë e tyre për t’u përballur me forcat dekadente imperialiste nga Perëndimi. Janë sakrifikuar qentë dhe minjtë për ta testuar ekspozimin ndaj sulmeve të mundshme me gaz.

Ndërkohë gjithmonë ekziston një këngë patriotike që ta këndojnë fshatarët.

“Nuk është vetëm teknika e kameramanit ajo që krijon këtë ngjashmëri. Është vizioni i botës ai që po tregohet: gjithmonë e njëjta koreografi e gëzimit kolektiv”, thotë Sejko.

Megjithatë derisa publiku sheh “A State Film”, fillon të kuptojë se imazhet janë në njëfarë mënyre të distiluara. Pastaj mund të vërejë edhe shoqërimin muzikor, ku narracioni origjinal i rëndë është zëvendësuar me tingujt e erës në pemë, këngën e zogjve dhe hapin mbi rrugë të papërpunuara.

“Në filmat zyrtarë të propagandës, kronika, dokumentarë e parada, zëri i narratorit nuk është përshkrues, por udhëzues: u tregon shikuesve se çfarë të mendojnë. Zëvendësimi i tij me një koment tjetër, madje edhe kritik, do të kishte nënkuptuar përsëritjen e të njëjtit mekanizëm”, ka thënë ai.

“Pra, unë nuk e kam hequr vetëm zërin, por gjithë shoqërimin origjinal muzikor, duke ruajtur vetëm atë që ishte reale, duke përfshirë duartrokitjet, këngët dhe fjalimet. Kam ndërtuar një peizazh të ri zanor, realist, me hapa, pëshpëritje, kërcitje, heshtje, sikur skenat të ishin regjistruar drejtpërdrejt. Kjo teksturë e re ua rikthen imazheve fizikalitetin dhe hap një hapësirë ku vetë zëri bëhet një mjet narrativ”.

Përveç kësaj, përfshihen ndërprerjet e pamjeve nga arkivi personal i Hoxhës, që tregojnë momente larg turmave që brohorasin, gjithmonë duke përfshirë udhëtime me “Mercedesin” e zi, të preferuar të diktatorit, dhe lind një kontrast mbresëlënës.

Këto motive marrin një vlerë simbolike, sipas Sejkos, dhe sugjerojnë vetminë e izolimin e pushtetit. “A State Film” ngre pyetjen se si kanë ndryshuar format e propagandës, duke detyruar gjithashtu reflektime të pakëndshme mbi faktin se sa shumë trope klasike përdoren ende sot.

“A State Film” është përshkruar si një demonstrim i asaj se “si arkivi nuk është thjesht një depo imazhesh, por një mjet për të interpretuar dhe rishkruar historinë”.

Me të vërtetë parada frikësuese e skenave të inskenuara me kujdes duket se tejkalon kornizën e historisë kombëtare dhe, sipas regjisorit, eksploron funksionin e imazhit në sferën politike dhe aftësinë e tij për ta krijuar kujtesën kolektive.

Marrë nga “Variety”. Përktheu: Sinan Berisha