Pas vitesh të tëra shkujdesi, një prej përmendoreve më të rëndësishme të Romës së vjetër, mauzoleu i të parit perandor August, është restauruar dhe do të rihapet në fillim të vitit të ardhshëm, kanë njoftuar zyrtarët e qytetit. Mauzoleu është varreza më e madhe rrethore në botë dhe u ndërtua në vitin 28 para Krishtit, ndanë brigjeve të lumit Tiber, për t’i ruajtur eshtrat e Augustit dhe pasardhësve të tij, përfshirë perandorët Tiber, Kaligula dhe Klaud.
“Ky është një moment historik”, ka thënë për gazetarët kryebashkiakja e Romës, Virginia Raggi, duke shtuar se vendi do të jetë i hapur për turistët më 1 mars, me hyrje falas deri më 21 prill, ditën kur qyteti shënon themelimin e tij më 753 para Krishtit.
“Të rihapet një monument si ky është shenjë shprese teksa shohim me besim drejt së ardhmes, pavarësisht pasigurive të pandemisë. Ne duhet të punojmë për të ardhmen e t’i ruajmë traditat tona”, ka thënë ajo.
Dikur një prej ngrehinave më magjepsëse të qytetit, ai pësoi ndryshime të shumta pas rënies së Perandorisë Romake, një kohë duke u bërë kështjellë e fortifikuar, e pastaj si një kopsht i varur e tevona edhe si vend për ndeshje demash e shfaqje fishekzjarrësh.
Në fillim të shekullit të kaluar u shndërrua në teatër të madh për koncerte dhe opera para se diktatori fashist, Benito Mussolini, të urdhëronte heqjen e auditoriumit teksa kërkonte t’i restauronte peizazhet e Romës së lashtë.
Gjatë viteve vendi u katandis si mos më keq, duke mbirë barishte nëpër mure dhe duke u mbushur me hedhurina nëpër aletë e saj.
Gjithçka është pastruar dhe struktura është bërë e sigurt falë restaurimit në vlerë prej 10 milionë eurosh, pjesërisht i financuar nga kompania telefonike TIM.
Augusti bëri që Roma të shndërrohej në një qytet të klasit botëror me projektet e tij infrastrukturore. Thuhet se në shtratin e vdekjes kishte thënë: “Marmoream relinquo, quam latericiam accepi” (E gjeta Romën qytet me tulla dhe po e lë si qytet me mermer).
Veshja me mermerin origjinal që zbukuronte këtë varrezë ishte shkatërruar shekuj më parë dhe një statujë që ngrihej mbi ngrehinën ka kohë që është zhdukur, por turistët do ta kenë mundësinë t’i shohin lavditë e shkuara falë udhëtimeve virtuale.
Marrë nga “Reuters”. Përktheu: Salih Mehmeti