Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Restaurimi shpëton shtatoren e Shën Mehillit të Idromenos

Shtatorja e Shën Mehillit, me autor Kolë Idromenon, është rikthyer e restauruar në Katedralen e Shkodrës. Kjo punë u është besuar ekspertëve të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Shkodrës. Shtatorja konsiderohet si vepër tejet e veçantë në aspektin e vlerave unikale fetare, kulturore e shoqërore.

“Ndërhyrjet konservuese dhe restaurimi kanë bërë të mundur nxjerrjen në dritë të kësaj vepre të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësi si pjesë e fondit të pasur të trashëgimisë kulturore të Kolë Idromenos”, shkruhet në njoftimin e autoriteteve të Shkodrës.

Shën Mikeli, ose siç njihet nga vendësit Shën Mhilli, është një ndër kryeengjëjt e krishterimit.

“Në interpretimin biblik ai njihet si gjeneral i ushtrisë së Zotit dhe engjëlli që dëboi Luciferin, një engjëll mëkatar. Që në shekullin IV kisha nisi ta njohë si një engjëll të shërimit, dhe pastaj me kalimin e kohës si një mbrojtës kundër forcave të së keqes. Ai vjen i interpretuar gjithmonë në skenat biblike me një peshore ose me një shpatë në dorë duke vrarë djallin”, është shpjegimi i autoriteteve kishtare.

Kolë Idromeno (15 gusht 1860 - 12 dhjetor 1939) ka qenë artist shumëdimensional si piktor, skulptor, fotograf, butaforist, skenograf, muzikant, si dhe arkitekt. Shquhet si i pari përfaqësues i historisë së pikturës moderne shqiptare. Prej burimeve, Idromeno dha, po ashtu, të parat shfaqje kinematografike në Shqipëri që më 1913. Si arkitekt projektoi dhe zbatoi planet e mbi 60 ndërtimeve kryesore, private dhe publike në qytetin e Shkodrës. Historia e artit e njeh si themeltar të artit realist shqiptar e si përfaqësuesin më me nam të renesancës shqiptare që nisi në shekullin XIX. Kritika e artit i referohet edhe si “Michelangelo i Shqipërisë”.

Artikuj të ngjashëm