Në procesin e restaurimit të mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë është përfshirë edhe njëri nga autorët e tij, e një gjë e tillë është vlerësuar si fort e dobishme për shpalosjen e vlerave e sekreteve të kësaj vepre unike. Lajmin për këtë e ka dhënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila ka thënë se ky është një projekt madhor i trashëgimisë kulturore shqiptare, i mundësuar falë programit “EU4Culture”, zbatuar nga UNOPS.
Ajo ka thënë se në këtë proces po japin ndihmën e çmuar edhe autorët e mozaikut.
Një ndër ta, ka nënvizuar Margariti, është edhe Agim Nebiu, i cili ka ndarë me specialistët që po punojnë për restaurimin disa nga “sekretet” e mozaikut.
“Vijon puna për restaurimin e mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, një projekt madhor i mundësuar falë programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS. Në këtë proces po japin ndihmën e çmuar edhe autorët e mozaikut. Një ndër ta Agim Nebiu, i cili ndau me specialistët që po punojnë për restaurimin disa nga ‘sekretet” e mozaikut’, ka shkruar Margariti në një postim në rrjete sociale.
Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigand me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbe”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981. Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Nacionalçlirimtare.
Muzeu Historik u përurua më 28 tetor të vitit 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27 mijë metrash dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 18 mijë metrash katrorë. Ndërtesa e Muzeut dallohet për një vëllim kompakt mbi një plan kuadratik të kompozuar në mënyrë qendrore simetrike kundrejt një oborri atrium. Në mjediset e tij janë të ekspozuara 6200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para erës sonë dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

-
Restaurimi i Mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar drejt përfundimit
-
Mozaiku i Muzeut Historik, drejt inaugurimit me shkëlqim të ri
-
Muzeu Historik Kombëtar nis restaurimin e artefakteve
-
Muzeu Historik Kombëtar në pritje të vizitorëve pas pauzës prej pesë muajsh
-
“Marubi” avancon standardet e konservimit të arkivit