Është ekipi i UNOPS-it që së bashku me restauruesit po punojnë për konservimin dhe restaurimin e veprës së artit në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar në kuadër të projektit që financohet në kuadër të programit “EU4Culture”. Sipas profesionistëve, kjo përfshinte analizimin dhe regjistrimin e 123 toneve të ndryshme të ngjyrave dhe qindra mijëra gurëve
Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është duke iu nënshtruar restaurimit. Është ekipi i UNOPS-it që së bashku me restauruesit po punojnë për konservimin dhe restaurimin e veprës së artit në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar në kuadër të projektit që financohet në saje të programit “EU4Culture”.
Gjatë kësaj pune, ekipi i “EU4Culture”, sipas mediave në Shqipëri, po përballet me sfidën e madhe të ruajtjes së sipërfaqes së mozaikut prej 565 metrash katrorë. Projekti ka kohë që ka nisur përderisa, për ta arritur këtë, konservuesve iu është dashur të dokumentonin me kujdes mozaikun gur pas guri.
Sipas profesionistëve kjo përfshinte analizimin dhe regjistrimin e 123 toneve të ndryshme të ngjyrave dhe qindra mijëra gurëve.
“Kjo qasje, jo vetëm që u dha ekspertëve mbështetje shtesë, por gjithashtu u dha studentëve një shans për të fituar përvojë praktike, duke punuar së bashku me profesionistë me përvojë dhe për të zbatuar njohuritë e tyre teorike në praktikë”, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigant me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbe”. Vepra e shtrirë në 565 metra katrorë u finalizua më 1981. Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Nacionalçlirimtare.
Muzeu Historik u përurua më 28 tetor të vitit 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27 mijë metrash dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 18 mijë metrash katrorë. Ndërtesa e Muzeut dallohet për një vëllim kompakt mbi një plan kuadratik të kompozuar në mënyrë qendrore simetrike kundrejt një oborri atrium. Në mjediset e tij janë të ekspozuara 6.200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para erës sonë dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.
-
Muzeu Historik Kombëtar nis restaurimin e artefakteve
-
Muzeu Historik Kombëtar nën dry deri më 2028
-
Zgjidhet punëkryesi, 2.3 milionë për Dresnikun destinacion arkeologjik
-
Mozaiku i Tiranës – në krye të listës së atraksioneve të trashëgimisë
-
Tri oferta për investimin mbi dymilionësh në lokalitetin e Dresnikut të Klinës