Kulturë

Muzeu Historik Kombëtar nis restaurimin e artefakteve

Muzeu Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar, i cili do të jetë i mbyllur për vizitorë deri në vitin 2028, ka publikuar imazhin e mbulesës së restauruar prej argjendi të ikonës së Shën Spiridhonit

Muzeu Historik Kombëtar ka nisur ndërhyrje konservuese dhe restauruese të artefakteve. Një proces i tillë nis përderisa dyert e këtij institucioni tashmë janë mbyllur qysh prej gjysmës së dytë të këtij muaji, në konkretizim të projektit “restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi të plotë”. Do të jetë nën dry deri në vitin 2028.

Në faqen e tij online, MHK-ja ka publikuar restaurimin e mbulesës prej argjendi të ikonës së Shën Spiridhonit.

“Kjo ikonë tepër e veçantë prej argjendi paraqet figurën e Shën Spiridhonit. Objekti u zhvendos për në laboratorin e muzeut dhe ndërhyrjet konservuese u fokusuan në disa faza: fotografimi i gjendjes aktuale, trajtimi kimik për heqjen e blozës, pluhurave, yndyrave e kripërave të bakrit, si dhe pastrimi e lyerja e kornizës dekorative”, shkruhet në njoftimin e MHK-së.

Pas 43 vjetësh nga themelimi i tij, Muzeu Historik Kombëtar pritet që së shpejti t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe rikonceptimit muzeal.

Ky operacion i jashtëzakonshëm do të udhëhiqet nga “Casanova & Hernandez Architects” e  Holandës, mbështetur në analizën e një ekipi profesionistësh të shkencave albanologjike.

Vitet e fundit MHK-ja ka njohur rritje të vazhdueshme të interesit të publikut vendas dhe të huaj, gjë që ka sjellë nevojën për investim madhor. Investimi mbështetet nga fondet e Bashkimit Evropian dhe buxheti i shtetit e pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor në qasjen e publikut te historia dhe elementet thelbësore të identitetit kombëtar.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Sipas shënimeve në ueb-faqen zyrtare të këtij institucioni, ai synon gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. “Për këtë qëllim ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis që nxit edukimin. Ai organizon dhe mundëson gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 metrash katrorë, ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 metrash katrorë dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 metrash katrorë”, shkruhet në ueb-faqe. Aty ruhen 6 mijë e 200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.