Basketboll

Mori infuzion për shumë orë e më pas udhëhoqi Kosovën drejt suksesit historik

Jon Ismajli

Të martën është shënuar suksesi më i madh i Kosovës në garat e grupmoshave të reja në basketboll. Me fitoren ndaj Hungarisë, Kosova U20 është kualifikuar në çerekfinale të Kampionatit Evropian të Divizionit B që po mbahet në Jerevan të Armenisë.

Basketbollistët e Kosovës U20 kanë arritur në çerekfinale me tri fitore rresht në grup, ndaj Suedisë, Shqipërisë dhe Hungarisë. Asnjëherë deri më tani ekipet përfaqësuese të Kosovës nuk kanë arritur në çerekfinale të Evropianit B.

Ndaj Hungarisë Kosova fitoi 78:73, ndërsa në shumicën e kohës ishte në epërsi bindëse. Lojën e Kosovës e udhëhoqi Jon Ismajli, që në parket i kaloi plot 36 minuta dhe ishte prej më të mirëve. Ismajli ndeshjen e përfundoi me 17 pikë, nëntë asistime e katër kërcime. Paraqitja e Ismajlit po çmohet për faktin se në ditën e ndeshjes ai ishte shumë i sëmurë. Madje qëndroi mbi tri orë e gjysmë në njërin prej spitaleve në Jerevan. Mori infuzion për orë të tëra dhe paraqitja e tij ishte në dyshim. Por Ismajli shtrëngoi dhëmbët, luajti thuajse krejt ndeshjen dhe ndihmoi shumë fitoren që solli suksesin e madh.

Jon Ismajli

“Kemi një grup të shkëlqyer lojtarësh e po ashtu një shtab teknik shumë punëtor. Secili po e jep maksimumin, ndërsa përkushtimi është maksimal. Kjo edhe po sjell suksesin. Jam i bindur që sakrificën e madhe që e bëri Ismajli do ta bënte secili lojtar. Ndonëse u zgjua shumë i sëmurë në mëngjes dhe ishte shumë i lodhur gjatë ndeshjes, nuk është ndalur asnjëherë. Motivi në grupin e lojtarëve është shumë i madh”, ka thënë Izet Tahiri, udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Evropianin U20B në Armeni.

Kosova U20 sot luan ndaj Turqisë për vendin e parë në grup. Turqia është favorite për ta fituar gjithë Evropianin B.