Restaurimi i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është një nga kantieret më të rëndësishme, të ngritur falë programit të rindërtimit dhe rijetësimit të “EU4Culture”. Ky kantier të martën është vizituar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, dhe ambasadori e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, raportojnë mediat në Tiranë.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Margariti, citohet të ketë thënë se shumë shpejt mozaiku do të zbulohet me një shkëlqim të ri dhe gjithë historinë që ai mbart.
“Me zv.presidentin e Komisionit Evropian, Josep Borrell, dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, vizituam sot një nga kantieret më të rëndësishme, atë të restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, ngritur falë programit të rindërtimit dhe rijetësimit ‘EU4Culture’. Shumë shpejt mozaiku do të zbulohet me një shkëlqim të ri dhe gjithë historinë që ai mbart”, citohet të ketë thënë ajo.
Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigand me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbe”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981. Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Nacionalçlirimtare.
Muzeu Historik u përurua më 28 tetor të vitit 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27 mijë metrash dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 18 mijë metrash katrorë. Ndërtesa e Muzeut dallohet për një vëllim kompakt mbi një plan kuadratik të kompozuar në mënyrë qendrore simetrike kundrejt një oborri atrium. Në mjediset e tij janë të ekspozuara 6,200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para erës sonë dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.
-
Restaurimi i Mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar drejt përfundimit
-
Restaurimi i mozaikut të Muzeut Historik që do t’i nxjerrë edhe “sekretet”
-
Muzeu Historik Kombëtar nis restaurimin e artefakteve
-
Muzeu Historik Kombëtar nën dry deri më 2028
-
Muzeu Historik Kombëtar në pritje të vizitorëve pas pauzës prej pesë muajsh