Në Kalanë e Bashtovës, e cila iu nënshtrua restaurimit të plotë për rijetësimin e saj, janë zbuluar gjetje arkeologjike. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur të dielën se këto gjetje hapin dritare të reja mbi historinë e monumentit. “Bashkë me lajmin e mirë të restaurimit të Kalasë unike të Bashtovës, vjen dhe ai i gjetjeve arkeologjike, që na hapin dritare të reja mbi historinë e monumentit”, ka shkruar kryeministri në rrjetet sociale. “Sipas studimeve, në Kala ka gjurmë të periudhës otomane të shekullit XVIII, bëhet fjalë për gjylet e përmasave të ndryshme, si dhe materiale qeramike të së njëjtës periudhë”.
Sipas mediave në Shqipëri, jo vetëm gërmimet e mëtejshme, por edhe dokumentimi dhe studimi i materialeve të gjetura do të japin përgjigje më të sakta lidhur me këto artefakte.
Kalaja e Bashtovës konsiderohet si një nga më të bukurat në Shqipëri dhe restaurimi e kthen atë në një qendër tërheqëse për vizitorët. E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 kilometrash, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521.
Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin, si dhe një qendër e eksportit të drithërave.
Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60 me 90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash. Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.