Regjisori Bekim Lumi është nderuar post-mortem nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në pesëvjetorin e vdekjes së njërës prej figurave më të shquara të teatrit shqiptar, presidentja Osmani në prezencë të familjarëve dhe kolegëve e ka dekoruar regjisorin e pedagogun e shquar me Medaljen Presidenciale të Meritave.
“Regjisori Lumi është dekoruar për merita të spikatura në artet dramatike, krijimtarinë kulturore dhe kontributin e çmuar për edukimin e brezave në teatër”, shkruhet në komunikatën për media të Zyrës së Presidentes, të enjten pas ceremonisë. Siç shkruhet aty, presidentja Osmani ka theksuar se regjisori Lumi shquhej për guximin dhe përkushtimin ndaj arteve dramatike, duke e vendosur teatrin kosovar në hartën kulturore evropiane.
“Krijimtaria e Bekimit ishte alternative dhe avangarde, me një lojë të pasur estetike e skenike. Ai përfaqësoi në mënyrë dinjitoze teatrin e Kosovës nëpër teatrot evropiane, duke u shndërruar në emblemë të teatrit bashkëkohor të shtetit tonë. Na artësoi, siç preferonte të shprehej ai, ndërkaq ne sot po i shprehim mirënjohje dhe e nderojmë figurën dhe krijimtarinë e tij”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani në ceremoni.
I lindur më 17 dhjetor 1966 në Suharekë, Lumi nga viti 1987 deri më 1991 ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1992 deri më 1996 ka studiuar Regji Teatri në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin universitet, më 2010 ka përfunduar edhe studimet e magjistraturës. Prej vitit 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në Radion Evropa e Lirë.
Gjatë këtyre viteve ai ka punuar si regjisor i pavarur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në teatrin “Dodona”, si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”. “Mësimi”, “Galani”, “Arushani dhe fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dilerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”, janë shfaqjet me të cilat mbahet në mend Lumi. Ishte një prej regjisorëve kosovarë, shfaqjet e të cilit kanë marrë pjesë në shumë festivale, si në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë-Hercegovinë e në vende të tjera. Më 2006, me shfaqjen “Mësimi”, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës ka fituar çmimin kryesor për shfaqjen më të mirë, e më 2016 ka fituar “Çmimin vjetor për shfaqjen më të mirë”, të cilin e ndan Ministria e Kulturës. Lumi ishte botues dhe kryeredaktor i revistës së mirënjohur për teatër “Loja”, e cila është botuar në Kosovë prej vitit 2006 deri në vitin 2010.
Nga viti 2013 deri në vdekje, më 30 korrik 2018, ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve, në Degën e Regjisë së Teatrit
© KOHA Ditore
Foletjenda: Presidentja Osmani, në prezencë të familjarëve dhe kolegëve e ka dekoruar regjisorin e pedagogun e shquar Bekim Lumi me Medaljen Presidenciale të Meritave (Foto: Zyra e Presidentes)