Para disa ditëve iku në amshim disidenti, ish i burgosuri i ndërgjegjes, një nga NDSH-istët e fundit, idealisti i pashoq dhe shkrimtari që shënoi dy dekadat e fundit në letrat shqipe, Ramadan Haziri (1940-2018).
Letërsia shqipe e pasluftës nuk mund të merret me mend pa veprat e këtij shkrimtari, i cili i dha rrjedhë romanit të sotëm shqip, shkruan sot Koha Ditore.
Ramadan Haziri brenda konstelacionit të sotëm letrar e kulturor paraqet një dukuri unikale: një autor që në letrat shqipe shfaqet në moshën më të pjekur dhe njëkohësisht autor i ri me përvojë, që me veprën e vet letrare, si në aspektin stilistik e veçmas atë tematik, arrin të imponohet brenda hierarkisë letrare si një ekzemplar narrativ origjinal.
Thënë shkurt, një prozator që del jashtë çdo klisheje, një dukuri sui generis, që nuk mund të futet brenda asnjë stereotipi të prozës aktuale romanore.
Duke e ndjekur jetën e vetë autorit dhe jetën që e bëjnë veprat e tij, në radhë të parë krijimi i një opusi romanor brenda një periudhe të shkurtër letrare, nuk kemi se si ta interpretojmë ndryshe pos si një askezë artistike, një përkushtim ekzistencial i autorit ndaj fjalës së shkruar.
Të kujtojmë se Ramadan Haziri publikimin e parë e ka nga fusha publicistike, librin e parë, "Arti i atdhedashurisë", e botuar në vitin 1999, ku autori përmbledh refleksionet e veta rreth gjendjes politike, morale e shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës për një periudhë përkatëse, në prag të luftës dhe gjatë luftës së fundit. (Artikullin e plotë nga Ramadan Musliu mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)