Bardhyl Bejtullahu nuk ia dorëzon autorësinë e veprave të tij Inteligjencës Artificiale, por e provokon atë dhe i jep drejtim i teknologjisë. Thjesht IA-ja është në dorën e tij, nëpërmjet saj mat pulsin e perceptimeve e krejt në fund njeriu është apo aty, i lartësuar në raport me kreativitetin artistik. Ekspozita e tij “Qysh sheh AI”, vjen si provë për të parë se çfarë mund të bëjë Inteligjenca Artificiale në industrinë e kreativitetit në kohën kur bota frikësohet se ajo do të marrë përsipër punën e njeriut
Derisa Inteligjenca Artificiale është në temat e përditshme globale, nga teknologjia te kreativiteti e deri tek etika, artisti vizual, Bardhyl Bejtullahu, nuk e trajton atë si kërcënim, por si mjet eksperimentimi artistik. Të enjten mbrëma, në ambientet e kafe-galerisë “Hani i Dy Robertëve” në Prishtinë, është hapur ekspozita e tij “Qysh sheh AI”. Është projekt që vendos përballë veprën origjinale dhe interpretimin e saj përmes Inteligjencës Artificiale.
Kuruar nga filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, ekspozita ndërtohet mbi një pyetje të thjeshtë në dukje, por komplekse në përmbajtje. Se si ndryshon një vepër arti kur i kërkohet Inteligjencës Artificiale ta “shohë” atë nga perspektiva të ndryshme njerëzore?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKoncepti nuk e vendos IA-në në pozitën e autorit, por e përdor atë si instrument për të transformuar perceptimin mbi të njëjtën vepër. Në ekspozitë prezantohen si punimet origjinale të Bejtullahut, ashtu edhe versionet e gjeneruara përmes Inteligjencës Artificiale. Rezultatet janë orientuar nga udhëzime që simulojnë mënyrën se si mund të shohë një fëmijë, një i moshuar apo profesionist nga fusha të ndryshme.
Autori i ekspozitës ka thënë se ideja për perceptimin e ndryshëm të së njëjtës vepër e ka shoqëruar prej kohësh dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimin e IA-së.
“Ka qenë një sfidë, por më ka preokupuar kjo ide edhe para se të jetë Inteligjenca Artificiale. Thjesht me këtë ekspozitë kemi trajtuar perceptimet. Jo vetëm këto, por në përgjithësi perceptimi i situatave të caktuara se si gjykojmë nga një kënd tjetër, sesi dikush sheh pak më ndryshe”, ka thënë artisti Bardhyl Bejtullahu për KOHËN.
Ai ka treguar se pikërisht reagimet e publikut ndaj veprave të tij e kanë shtyrë drejt këtij eksperimenti.
“Më kanë inspiruar të eksperimentoj me veprat e mia, sepse ka pasur komente prej njerëzve që po e shohin kështu e ashtu, që ndoshta as vetë ashtu s’e kam menduar, dhe kam vendosur që me ndihmën e AI-së kam vendosur t’u jap ‘prompt-in’ dhe të shohim se si do të jenë rezultatet”, ka thënë Bejtullahu.

Procesi, sipas tij, nuk ishte dorëzim i autorësisë, por drejtim i teknologjisë.
“Kur ka nisur të jap gjenerimet e para më është dukur intriguese dhe mandej në takim me kuratorin Shkëlzen Maliqi kemi vendosur ta zhvillojmë dhe ta bëjmë ekspozitën. Kemi marrë një rezultat interesant. Kjo nuk është vula, disa fjalë nëse ia ndërrojmë e dimë që na jep një gjenerim tjetër, mirëpo unë e kam udhëzuar AI-në që të mos iki shumë prej konceptit të veprave, të ruaj format, ngjyrat deri diku, por të shndërrojë në një perceptim të caktuar, për shembull, si e sheh një fëmijë, një i moshuar, një arkitekt, një dizajner grafik, e të tjera, dhe këto janë rezultatet”, është shprehur Bejtullahu.
Mesazhi që autori i ekspozitës synon të përcjellë me ekspozitën “Qysh sheh AI” mbetet i qartë: teknologjia është mjet, jo zëvendësim.
“AI-në ta përdorim si makinë të fuqishme gjeneruese, por ne jemi ata që e zhvillojmë atë. Ne jemi autorë të gjithçkaje. Edhe pse AI-ja gjeneron, pa i dhënë ne udhëzime nuk bën asgjë”, është shprehur Bejtullahu.
Ai ka shtuar se shpejtësia e prodhimit nuk e zëvendëson vlerën e krijimit artistik.
“Koha është shumë më e shkurtër, normalisht, puna bëhet më e shpejtë, por nëse flasim për vlerë e krahasim, nuk dyshoj se vepra origjinale e autorit ka vlerë shumë të madhe. AI nuk ka shpirt, artisti lë një pjesë të vetes në vepër. AI nuk ka emocion, por prodhon urdhrat tanë”, ka thënë ai më tej.
Në hapësirën ekspozuese, kjo marrëdhënie bëhet e dukshme që në kontaktin e parë me veprat. Punimet e vendosura në rend krijojnë dialog vizual midis veprave origjinale dhe transformimit nga Inteligjenca Artificiale. Kompozimet abstrakte ruajnë gjurmët e autorit – ritmin e ngjyrave, strukturën dhe energjinë e veprës. Ndërkohë, në versionet e gjeneruara shfaqen shtrembërime në imazh, zhvendosje dhe interpretime të reja të formave.
Aty elementet figurative dhe abstrakte ndërthuren në hapësira të paqarta midis reales dhe të asaj që imagjinohet. Sipërfaqja duket e fragmentuar, si të ketë qenë një vëzhgim i ndërmjetësuar. Është pikërisht ajo që ekspozita synon të vërë në diskutim, se a e sheh teknologjia një vepër, apo vetëm e rindërton atë sipas urdhrit.
Kuratori i ekspozitës Shkëlzen Maliqi ka thënë se ekspozita është provë për të parë se çfarë mund të bëjë IA në industrinë e kreativitetit në kohën kur bota frikësohet se Inteligjenca do të marrë përsipër punën e njeriut.
“E kanë njëfarë aktualiteti tepër të madh sepse Bardhyli ka ardhur me një ide që veprat e tij origjinale t’i riprodhojë ose t’i ndajë me Inteligjencën Artificiale. Ekspozita e ka emrin ‘Qysh sheh AI’. AI është çudia më e madhe që i ka ndodhur njerëzimit. Të gjithë flasin për të, frikësohen se do të mbisundojë njeriun, se është rrezik që në prodhim të zëvendësojë fuqinë punëtore. Ka shumë pyetje. Ky është një eksperiment ose një provë për të parë në fushën e kreativitetit se çfarë mund të bëjë AI, si e sheh dhe si e realizon kur ia jep një detyrë për t’iu referuar origjinaleve”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, rezultatet nga ekspozita kanë dëshmuar se edhe kur ndërhyn teknologjia, mendimi origjinal artistik është i dallueshëm.
“Ka dalë mjaft interesante. Me këtë rast, origjinalet i ka respektuar deri diku në kompozicion Inteligjenca Artificiale. Pyetjet kanë qenë sesi e sheh këtë vepër një i ri, një i moshuar, apo një psikiatër dhe AI ka filluar t’i përshtatet. Këto vepra janë të gjitha origjinale”, është shprehur ai.
Dramaturgu Arian Krasniqi e ka cilësuar ekspozitën si provokuese e interesante.
“Është një ekspozitë jashtëzakonisht provokuese dhe interesante e artistit vizual, profesorit Bardhyl Bejtullahu, me një temë dhe një qasje e koncept interesant në raport me Inteligjencën Artificiale dhe potencialisht ndikimin që mund ta ketë ajo në art dhe sesi e sheh AI atë. Profesor Bejtullahu njihet për një punë kreative në fushën e arteve vizuale dhe mendoj se kjo ekspozitë do të ngjallë kureshtjen e publikut për ta vizituar, parë dhe vlerësuar si kreacion provokues artistik, marrë parasysh faktorin e IA që e ka përfshirë globin dhe në një formë a tjetër po ndikon edhe në disiplinat artistike”, ka thënë ai.
Ekspozita “Qysh sheh AI” konsiderohet si eksplorim artistik mbi perceptimin njerëzor përmes Inteligjencës Artificiale.