Prishtina ka mbetur pa një hapësirë kulturore. Ambienti ku janë mbajtur prova, janë dhënë shfaqje, kanë zënë vend festivale, diskutime e ngjarje të tjera kulturore, nuk do të jetë më në dispozicion të qendrës “Multimedia”. Pas gati një dekade të zhvillimit të aktiviteteve në lagjen “Dardania” në Prishtinë, “Multimedia” është pa strehë. Ky lajm i së mërkurës ka ngjallur reagime në komunitetin artistik në vend, por edhe përtej. Humbja e hapësirës kulturore ka bërë bujë edhe tek artistë e grupe kulturore ndërkombëtare.
“Hapësira performuese e Qendrës ‘Multimedia’ në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë është mbyllur përfundimisht, pas gati dhjetë vjetësh funksionimi”, shkruhet në njoftimin e Qendrës.
Aty shpjegohet se kjo hapësirë ka shërbyer për qindra aktivitete kulturore që janë mbajtur krejt këto vite, jo vetëm ato të organizuara nga Qendra “Multimedia”, por edhe nga shoqata kulturore, artistë, shkrimtarë e aktivistë të ndryshëm nga Kosova dhe nga vende të ndryshme të botës. Sqarohet se këta gati dhjetë vjet menaxhmenti i Qendrës “Multimedia” ka bërë përpjekje të vazhdueshme të gjejë zgjidhje më të qëndrueshme për aktivitetet e saj publike.