Kulturë

Qendra Kinematografike pret projekte, harron krizën me 1.2 milionë euro

Qendra Kinematografike e Kosovës ka vendosur ta harrojë krizën financiare. Me gjithë borxhet që ka trashëguar, të martën ka hapur konkursin për subvencionim të projekteve kinematografike. Ky institucion nuk ka mbulesë me buxhet për 1.2 milionë euro të marrëdhënieve kontraktuale që ka lidhur për subvencionim të projekteve kinematografike.

Vetë drejtori i QKK-së, Arben Zharku, në prill kishte thënë se nëse nuk ndërmerret diçka institucioni do të shkojë në kolaps financiar. Të martën ka pasur krejt tjetër qasje. Por vetëm deklarativisht pasi borxhet ngelën.

QKK-ja ka njoftuar se ka hapur konkursin për subvencionimin e projekteve kinematografike në 10 kategori. Konkursi do të jetë i hapur deri më 31 gusht për film të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë artistik, për dokumentar, për film të shkurtër dhe të gjatë të animuar, për film debutues të metrazhit të gjatë artistik. Pastaj për koproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik, për postproduksion për film të metrazhit të gjatë artistik, si dhe konkursi për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë.

QKK-ja llogarit që projektet që do të shpallen fituese sivjet nuk do të nisin të realizohen brenda vitit. Kësisoj, me 810 mijë euro që i janë ndarë sivjet të mbulojë një pjesë të borxheve të viteve të kaluara. Me buxhetin e sivjetmë ka mbuluar rreth 500 mijë euro për projekte të viteve të kaluara. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Arben Zharku, shumica kanë qenë të vitit 2019.

KOHA në prill kishte raportuar se sipas të dhënave zyrtare të QKK-së, në vitin 2019 janë përkrahur 28 projekte kinematografike në tetë kategori. Krejt bashkë peshojnë 1 milion e 282 mijë euro. Por dokumenti i politikave kulturore të Ministrisë së Kulturës për atë vit sqaron se QKK-ja realisht kishte shpenzuar vetëm 620 mijë euro për projekte kinematografike. Mjetet i ishin premtuar nga MKRS-ja, por nuk i ishin ndarë. Për vitin 2018 QKK-së i ishin ndarë 766 mijë euro për subvencionimin e projekteve dhe për shpenzimet e tjera të institucionit. Pas hapjes së konkursit e shpalljes së fituesve, premtimet e ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, për dyfishim buxheti e kishin ndryshuar gjendjen.

Por pas vizitës së ish-ministrit, juria i ishte kthyer edhe një herë listës së aplikacioneve. Nga 17 projekte të përzgjedhura ishin bërë 25. Krejt bashkë peshonin 1 milion e 178 mijë euro. E bashkë me projektet pa mbulesë financiare të 2019-s krijojnë shumën prej 2 milionë e 460 mijë eurosh. Por në realitet QKK-ja për këta dy vjet kishte 1.2 milionë euro buxhet për subvencionim të projekteve kinematografike. Janë fiks 1.2 milionë euro më pak sesa marrëdhëniet kontraktuale në të cilat institucioni ka hyrë në dy vjetët e fundit.

Drejtori i QKK-së, Arben Zharku, të martën është paraqitur shumë komod. Ka thënë se për punët e kryera për të cilat kanë pasur kontrata i kanë mbuluar obligimet.

“Obligimet e fundit nuk janë më”, ka thënë ai. I pyetur nëse MKRS-ja i ka dhënë buxhet shtesë për pjesën të cilën nuk mund ta mbulojë nga vitet e kaluara, Zharku ka thënë se nuk kanë marrë mjete shtesë, por nuk kanë obligime të papaguara. Sipas tij, nuk ka kërkesë për pagesa të cilës nuk i janë përgjigjur.

“Natyra e filmit është që zgjat tre a katër vjet”, ka thënë ai, i pyetur nëse kanë zgjidhje për krizën për të cilën kishte folur në prill. Vetë ai kishte folur me shifra.