Kanë qenë lajmet nga lufta e fundit në Kosovë, kur psikiatri Alan M. Jackobson, neuro-shkencëtar, do të shpërthente në art. “Njëri ndër momentet kryesore në jetën time artistike ndodhi të dielën e Pashkëve, në fund të viteve ‘90, kur Kosova ishte në luftë dhe të gjithë raportet e lajmeve flisnin për gjërat e tmerrshme që po ndodhnin me njerëzit atje”, ka thënë Jacobson për “River Journal”. Rrugëtimin e tij artistik e ka përmbledhur me ekspozitën personale në Irvington të SHBA-së
Pamjet që shpërfaqnin dhimbjen e njerëzve gjatë luftës së fundit në Kosovë, psikiatrin amerikan Alan M. Jacobson do ta shtynin të merrej me art. I njohur për punën e tij në neuro-shekencë ai njihet edhe si artist pikturash abstrakte. Në fillim të këtij muaji në Bibliotekën e Irvingtonit të SHBA-së, ai ka hapur ekspozitën e përbërë prej 27 pikturash. Ajo vjen si retrospektivë e krijimtarisë së tij.
Në një artikull të veçantë që gazeta amerikane “River Journal” ia ka kushtuar, artisti Jacobson kishte folur për inspirimin e që nuk kishte të bënte me punën e tij të përditshme si psikiatër.

“Shumica e artit tim rrjedh nga ndjeshmëria që kam ndaj dhimbjeve të njerëzve dhe jo vetëm dhimbjes së pacientëve të mi, por dhimbjes në përgjithësi”, ka thënë Jacobson.
Ai ka theksuar se ishte lufta e viteve ‘90 në Kosovë dhe pamjet e tmerrshme të ndodhive të asaj kohe, të cila shfaqeshin nëpër të gjitha mediat botërore, ato që kishin shërbyer si cytje që të shprehej nëpërmjet artit.
“Njëri ndër momentet kryesore në jetën time artistike ndodhi të dielën e Pashkëve, në fund të viteve ‘90, kur Kosova ishte në luftë dhe të gjithë raportet e lajmeve flisnin për gjërat e tmerrshme që po ndodhnin me njerëzit atje”, ka thënë ai.
Lajmet që ndiqje ishin shumë shqetësuese për të dhe arti erdhi si një lloj reagimi.
“Ajo që po lexoja në atë kohë më stimuloi, më dha energji dhe kështu fillova të shpalos shumë nga arti im’”, citohet të ketë thënë Jacobson, shkruan “River Journal”. Por me artin ai kishte një lidhje me të hershme, edhe para se të niste të merrej aktivisht me krijimtari artistike.
Jacobson, i cili u bë profesor i rregullt i psikiatrisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit, marrëdhënien e tij me artin e kishte filluar qysh gjatë kohës kur po studionte për mjekësi në Universitetin e Chicagos. Paralelisht me studimet, Jacobson kishte ndjekur edhe një kurs arti dhe që atëherë ai pikturon kohë pas kohe. Megjithatë, arti për të nuk është hobi.
“Unë po pikturoja copa-copa: Megjithatë, në vitet ‘90 fillova të marr vrull. Për mua, arti nuk është hobi, do ta quaja nevojë dhe pasion. Më duket sikur në mënyrë periodike duhet të shkarkoj atë që shoh dhe ndiej për të krijuar diçka vizuale”, ka shpjeguar ai.
Pikturat e mëparshme të Jackobson fokusohen në pjesë të veçanta të trupit të njeriut, veçanërisht te sytë.
“Isha shumë i interesuar për pjesën e cepit të syrit, pjesa ku takohet me hundën. Është pjesa më ekspresive e fytyrës për mua dhe kam pasur një dëshirë të madhe për ta kapur këtë në artin tim”, ka thënë ai për “River Journal”.
Por, kohëve të fundit Jakobson ka zgjeruar hapësirën që përfshijnë pikturat e tij dhe ka shtuar elemente në prapavijë. Në pikturat e tij sot mund të shihen edhe trupa individësh të izoluar që përpiqen të krijojnë lidhje dhe të ngushëllojnë të tjerët.
“Po përpiqem të kap ndryshimin në atë që përjetojmë në Tokë dhe në atë që shpresat dhe ëndrrat tona janë të përfaqësuara nga qielli. Malet priren të shpërthehen aty ku jemi dhe ku dëshirojmë të jemi", kishte shpjeguar ai.
Për pikturat e ekspozitës që është hapur ka thënë se janë frymëzuar nga qielli dhe biologjia dhe “shpesh duken si objekte qelizore ose astronomike".
Aktualisht, Alan M. Jacobson është profesor në Departamentin e Bazave të Mjekësisë në “New York Long Island School of Medicine” dhe profesor emeritus i psikiatrisë në Shkollën Mjekësore në Harvard. Ekspozita do të jetë e hapur në Bibliotekën Publike të Irvingtonit deri më 30 janar.