Ishte prezent në ceremoninë e hapjes së edicionit të parë të PriFestit në vitin 2009, ndërsa tash u rikthye pas nëntë viteve për ta parë nga afër progresin e këtij festivali.
Bëhet fjalë për aktoren britanike, fituese të çmimit Oscar, Vanessa Redgrave, e cila është edhe presidente bordit të nderit të PriFest-it.
Mbrëmë në kategorinë “Projeksion Special”, aktorja Redgrave solli filmin e saj të parë të punuar si regjisore, filmin “Sea Sorrow”, që vitin e kaluar kishte premierën botërore në Cannes. Filmi është shumë personal e dinamik që trajton temën e krizës globale të refugjatëve.
Në një konferencë pas shfaqjes së filmit, aktorja tha se ndihet mirënjohëse dhe shumë e kënaqur.
“Pse jam mirënjohëse është për shkak se jam ftuar përsëri në këtë vend që kisha ardhur shumë kohë më parë, gjatë okupimit dhe kam takuar përsëri miqtë e mi të dashur që kanë vërtetë respektin dhe dashurinë time”, tha ajo.
Aktorja tregoi se i admiron miqtë e saj të festivalit për shkak të vullnetit që po e tregojnë për ta zhvilluar festivalin, përkundër përkrahjes minimale nga institucionet shtetërore.
Edhe
“Hidhërimi i detit”, retrospektiva e refugjatëve, në fokusin e Vanessa Redgrave
Ndërsa për aktorët kosovarë dhe ata të rijnë në gjithë botën, Redgrave tha se privatizimi po i dëmton ata dhe arsimin në përgjithësi.
“Filmi përqendrohet më shumë në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, të cilit duhet t'i binden të gjitha qeveritë, nuk mund ta thyejnë këtë ligj. Ekzistojnë Konventa, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e Refugjatëve. Ekziston Konventa e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Refugjatëve, ekziston Konventa e vitit 1989 për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe kjo pak a shumë rrjedh gjatë filmit”, ka thënë ajo, transmeton kp.
Në shenjë respekti dhe vlerësimi për gjithë përkrahjen e saj ndër vite për komunitetin artistik në Kosovë dhe festivalin, PriFesti do ta shpërblejë aktoren me çmimin “Hyjnesha e Artë”.