“Qëllimi është i qartë: ta vendosim Preshevën në hartën e artit bashkëkohor ndërkombëtar përmes ekspozitave, rezidencave artistike dhe bashkëpunimeve me rrjete kulturore nga mbarë rajoni dhe më gjerë”, ka thënë kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila është zotuar se e përkrah iniciativën e artistit të njohur Silej Xhafa për krijimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor
Presheva ia ka mësyrë të futet në hartën botërore të artit bashkëkohor e për ta arritur këtë, është zotuar artisti i njohur Kosovës me famë ndërkombëtare, Sislej Xhafa. Ai ka një plan konkret dhe për këtë qëllim ka zbarkuar në këtë qytet me shumicë shqiptare. Muzeu i Artit Bashkëkohor është plani i tij. Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, të hënën nëpërmjet një postimi në rrjete sociale.
“Pata kënaqësinë të pres në Kabinet një diskutim frymëzues mbi një iniciativë të artistit të njohur Sislej Xhafa dhe Institutit ‘Delfini’ për krijimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Preshevë – si hap i parë drejt shndërrimit të qytetit tonë në një qendër të rëndësishme kulturore në Ballkan”, ka shkruar ajo. Sipas Sinanit, një plan si ky ka objektiva të përcaktuara. “Qëllimi është i qartë: ta vendosim Preshevën në hartën e artit bashkëkohor ndërkombëtar, përmes ekspozitave, rezidencave artistike dhe bashkëpunimeve me rrjete kulturore nga mbarë rajoni dhe më gjerë”, ka shkruar ajo duke u zotuar se e mbështet “fuqishëm këtë vizion që e kthen Preshevën në një pikë referimi për kreativitetin dhe identitetin kulturor shqiptar”.
E Sislej Xhafa kaherë është në hartën botërore të artit bashkëkohor. Ai qe njëri nga artistët pionierë që depërtuan në skenat kulmore artistike, e nëpërmjet tij edhe Kosova. Idenë për këtë muze në Preshevë, Xhafa e kishte përmendur në biseda joformale qysh vitin e kaluar kur kishte thënë se shqiptarët në ato anë kanë nevojë për kontribut të shoqërive dhe dy shteteve: Kosovës e Shqipërisë.
Një lloj institucioni sikurse ai që po synon në Preshevë, Sislej Xhafa e konkretizoi në Pejë, kur hapi dyert edhe zyrtarisht instituti i artit bashkëkohor “ARKIV”. Sot është një pikë reference jo vetëm në Kosovë. Zuri vend në objektin e shkollës “Vaso Pashë Shkodrani” me synimin që të bëjë bashkë memorien kolektive dhe artin bashkëkohor. Artisti Xhafa kishte thënë se ideja e tij ishte një projekt që i takon komunitetit dhe pas nja pesë a gjashtë vjetësh ai do të tërhiqet nga ky projekt. Idenë e kishte bërë publike qysh në vitin 2019, kur kishte thënë se në mendjen e tij, krejt ky projekt ishte e kundërta e asaj që po ndodh në Kosovë e në vende të tjera, ku, sipas tij, universitet publike e private janë shndërruar në biznes dhe se qendra nuk do të kishte asgjë statike me synimet që të afirmohet arti bashkëkohor.
“Kur ta arrijmë realizimin e idesë, do të arrijmë një kënaqësi kolektive. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme për Kosovën në përgjithësi. Kjo është një ëndërr që ne nuk kemi pasur mundësi ta kemi e duhet ta bëjmë për gjeneratat e ardhshme”, kishte thënë asokohe Xhafa, i cili ndër të tjera, më 2013 ka qenë pjesë e grupit të artistëve që kanë përfaqësuar Italinë, e më 2017 Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.