Portreti i parë kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare është restauruar nga Olsi Laska, specialist i restaurimit të veprave të artit në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka ka identifikuar përfundimisht autorin e veprës, i cili nuk dihej, raportojnë mediat në Shqipëri.
Portreti është vepër e piktorit Vilson Kilica dhe është realizuar në periudhën e studimeve të tyre në Bashkimin Sovjetik. Mendohet se portreti i parë i Kadaresë është realizuar në vitin 1958. Shkrimtari ka një lidhje të veçantë me Rusinë dhe kjo ndihet në gjithë veprën e tij.
Drejtoresha e “Shtëpisë-Studio Kadare”, Anisa Ymeri citohet të ketë thënë se, vepra, pjesë e fondit të “Shtëpisë-Studio Kadare”, ishte në gjendje shumë të dëmtuar, në kufijtë e shkatërrimit. Në janar të këtij viti, nisi një proces studimi për identifikimin e autorit të saj dhe sidomos për restaurimin, pasi piktura ishte në prag të shkatërrimit të plotë.
Nga sot e në vazhdim, piktura do të ekspozohet në “Shtëpinë-Studio Kadare”, tanimë e konsoliduar dhe e restauruar tërësisht. Sipas Ymerit, për fondin e kësaj shtëpie, një portret i shkrimtarit Ismail Kadare me autor piktorin Vilson Kilica, është me shumë rëndësi dhe po aq me rëndësi është edhe për fondin e veprave të artit.
Shkrimtari Ismail Kadare u lind në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936 dhe u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në Tiranë. Veprat e Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 40 gjuhë të huaja. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.