Grupi muzikor i cili ndër vite ka komunikuar me publikun në mënyrë të fragmentuar, në vitin më të brishtë të koncerteve nxori albumin “Dyftyrëshi”, i cili është incizuar në mes të viteve 2016 e 2018. Koncerti në Prizren me përmbajtje të reja muzikore nga viti i kaluar, për grupin ishte edhe një kthim në kohë nëpër këngët e realizuar në dy dekada. Veçmas kthim në zanafillën e grupit në vitin 2001
Një llambë në formë të hënës e gati dhjetë instrumente përreth vetëm në pamje tingëllojnë si një ftesë drejt një gërshetimi të pasur muzikor. Veç kësaj, edhe për një ambient ku mes publikut e artistëve shkëputet çdo gjë që mund ta përkufizojë ndarjen mes tyre. Kështu edhe ndodhi në më shumë se një orë koncert. Publiku prizrenas ka komunikuar natyrshëm me grupin “Por-no” gjatë performancës dhe “pauzave” midis këngëve. I ka përcjellë me duartrokitje e vallëzim deri në fund.
Nën këtë atmosferë janë pritur pesë artistë e njohur të skenës muzikore në vend mbrëmjen e së shtunës kur edhe i janë kthyer publikut në një formë ndryshe. Bendi “Por-no”, skena e publiku kanë tetë vjet që nuk janë bashkuar. Një distancë kohore që nga publiku i kinemasë “Lumbardhi” në Prizren mori konfirmim tjetër: nevojën për koncerte të tilla. Grupi muzikor i cili ndër vite ka komunikuar me publikun në mënyrë të fragmentuar, në vitin më të brishtë të koncerteve nxori albumin “Dyftyrëshi”, i cili është incizuar në mes të viteve 2016 e 2018. Koncerti në Prizren me përmbajtje të reja muzikore nga viti i kaluar për grupin ishte edhe një kthim në kohë nëpër këngët e realizuar në dy dekada. Veçmas kthim në zanafillën e grupit në vitin 2001. Atëherë grupi veç i kishte marrë këmbët për t’i hyrë rrugës muzikore mbi rrënojat e skenës alternative të viteve nëntëdhjetë në Kosovën e pasluftës. Në edicionin e parë të “DokuFest”-it në Prizren kishin prezantuar këngët e tyre që dëshmoni për një grup jokonvencional. Përmes krijimeve të tyre, grupi shpaloste aftësitë e gërshetimit muzikor nëpërmjet instrumenteve të ndryshme. Një traditë që u dëshmua edhe në koncertin e realizuar dy dekada pas në qytetin historik. Efekti mes artistëve dhe publikut ishe i dyanshëm. Pak a shumë si një shkëmbim emocionesh.
“Koncerti ishte edhe si një rikujtim i së kaluarës. Në fillim qe me shumë emocione por gradualisht e pamë që edhe publiku është në emocione dhe i ka veshët te ne dhe e përjetuam në maksimum”, ka thënë Rron Qena, perkusionisti i grupit fill pas koncertit.
Koncerti erdhi si një set i kombinuar i këngëve që prekë tri albumet “Kokë plot fotografi”, “Zhurmuesi”, “Dyftyrëshi” dhe nga EP “Aeroplanët shkojnë e vijnë”. Koncerti i realizuar në kuadër të programit “Albumet Pandemike”, ka nxjerrë jashtë studios interpretimet e albumit “Dyftyrëshi”, që ka qenë në fokus të koncertit. I realizuar nëpër studio të ndryshme muzikore me një rreth të gjerë bashkëpunëtoresh, ky album i ka marrë goxha kohë artistit Dritëro Nikqi. Si i tillë albumi i publikuar në vitin 2020 ka marrë ngjyra muzikore nga personaliteti i secilit artist që është përfshirë në të. Për ta përcjellë atë te publiku të shtunën mbrëma me një interaktivitet të fuqishëm janë bërë tok Dritëro Nikqi në vokal e kitarë, Liburn Jupolli në piano, Fisnik Bekolli në kitarë, Rron Qena në perkusione dhe Krenar Ismaili në violinë.
“Ka qenë kënaqësi t’i këndojmë këngët e vjetra dhe të reja, si gjithmonë një atmosferë e jashtëzakonshme elektrike. Një “set-up” intim na ka dhënë atë guxim që të nxjerrim material që kurrë nuk e kemi performuar “live””, ka thënë Nikqi pas koncertit.
Pianoja e ndodhur në periferi të skenës ka qenë cak i lojës bindëse të Liburn Jupollit. Një asi lojë që artisti duartrokitjet i merr mes djersëve. Jupolli e përcolli grupin me piano mes kitarës, perkusioneve, violinës, defit e tarabukës. Kjo e valëzonte ritmin e shpejtë të muzikës që natyrshëm zbehej në këndimin e Dritëro Nikqit. Partet e pianove me të cilat Jupolli ka punuar para disa vjetëve në studio për herë të parë po arrinin publikun më të gjerë. Ky element bashkë me të interpretuarit me një formacion të veçantë muzikor dhe publiku prizrenas e rrumbullakojnë kënaqësinë e trefishtë me të cilën Jupolli ka dalë nga kinemaja “Lumbardhi”.
“Në kuadër të këtij formacioni janë disa reprezentues të bendeve që kanë qenë që nga pas lufta deri më sot. Është kënaqësi të bësh muzikë më këtë shoqni dhe kolegë që kemi bërë muzikë së bashku. E kam një dashni të veçantë për Prizrenin, që të performoj në këtë sallë që e ka një madhështie modeste, po ashtu dhe për publikun fantastik të Prizrenit”, ka thënë Jupolli për KOHËN.
Rron Qena në perkusion në dy a tri këngë i ka hyrë goxha në punë defi i vendosur në dyshemenë e skenë. Herë edhe tarabuka. Për grupin përfshirja e elementeve të folklorit ka qenë një mision esencial. Siç është nevoja për të përcjellë tinguj origjina. Qena, i cili herët e kishte nisur përkushtimin e tij muzikor, përgjatë gjithë kësaj kohë i është dedikuar më shumë zhvillimit të tij në pikturë. Por, bota muzikore jashtë saj ka thënë që e përmbush qetësinë që ia krijon profesioni i tij prej piktori. Kjo, pasi që në perkusione përcjellë ritme të shpejta. Disa prej këngëve të krijuara fill pas luftës, sipas tij, edhe sot bartin atmosferën e kohës kur janë krijuar. Bashkë me të traumën, nostalgjinë dhe ndjenjën e lirisë.
“Menjëherë pas luftës janë krijuar këngët dhe brenda tyre ka një nostalgji të madhe dhe dëshirë për të jetuar të lirë. Jemi rritur me shumë trauma dhe presione. Këngët janë krijuar nga Dritëro. Gjithmonë e kam përkrahur, sepse më kanë pëlqyer dhe kam pasur dëshirë të kemi diçka tonën. Edhe nëse nuk janë shumë të mira, e rëndësishme është të tingëllojnë si tonat”, ka treguar Qena për KOHËN.
Përveçse një rikthim për grupin në skenë, koncerti i tretë në kuadër të “Albumeve Pandemike” e ka kthyer në skenën kosovare pas gati dy dekadash edhe këngëtaren Mimoza Hajdini, e cila tash e një kohë jeton në Kanada. Kënga “Nuk di çka më të thanë” që është pjesë e albumit “Dyfytyrëshi” dëshmon më së miri për krijimin e albumit me artistë në distancë. Hajdini këngën e ka përshkuar si një realizim spontan që nuk ka ngjallur diskutim. Sipas saj, kënga në rreth dy minuta e përcjellë ndjesinë e një flladi që të kalon lehtë.
“Para disa vjetësh, Dritëro ma ka dërguar si “demo” vetëm pianon dhe tekstin pa këndim. Kam filluar ta këndoj dhe kur e kam dëgjuar pjesën se si e ka menduar ai kemi qenë shumë të përafërt. Ka qenë shumë interesant se si meloditë që i kemi kapur të dytë kanë qenë të përafërta dhe për këtë vendosëm ta këndojmë bashkë”, ka shpjeguar këngëtarja Hajdini.
Koncerti i bendit “Por-no” erdhi në kuadër të “Albumeve pandemike” që është pjesë e programit muzikor "Variacionet e dëgjimit". I krijuar nga “Lumbardhi”, ky program synon ta rikthejë lidhjen e humbur të artistëve me publikun përgjatë vitit pandemik.
“Jemi fokusuar te bendet që kanë lansuar albume përgjatë vitit 2020. Kur një grup e lanson një album, krejt qëllimi është të dalin para publikut, kurse në vitin 2020 në një farë forme u bëheshin “online”. Unë po mendoj që programi ka shkuar shumë mirë dhe sonte ka qenë një natë e veçantë”, ka thënë Agona Shporta.
Me koncertin e bendit “Por-no”, “Lumbardhi” ka përmbyllur sezonin e “Albumeve Pandemike”, i cili ka sjellë në Prizren edhe koncertet e bendit “SYTË” në fund të qershorit dhe Ilir Bajri Trio në fund të korrikut.