Artistët e tatuazheve janë shumë të kërkuar. Veprat e tyre shfaqen në disa prej pasurive të patundshme më të dukshme në botë: supet e LeBron Jamesit, shpina e Scarlett Johanssonit, fytyra e Post Malones.
Por, nuk mund të varni tatuazhe në një galeri, ose t’i vendosni në ankand në “Sotheby's”. Ato jetojnë dhe (nëse nuk largohen) vdesin me pronarin e tyre. Kjo gjithashtu do të thotë që artistët më të kërkuar të tatuazheve paguhen akoma për orë, ashtu si ata që në të kaluarën gjatë punës së tyre kanë dekoruar bicepsin e marinarëve dhe çiklistëve.
Artistët zakonisht nuk paguhen për orë, ka thënë Scott Campbell, 44 vjeç, një artist tatuazhesh në Los Anxhelos, i cili u ka realizuar tatuazhe Robert Downey Jr, Jennifer Anistont dhe Marc Jacobsit. "Muzikantët nuk paguhen për aq sa u ka marrë kohë ta realizojnë një këngë. Ju kurrë nuk do të shkonit në një galeri dhe të mendonit: ‘Sa kohë iu desh artistit ta pikturonte këtë vepër? Unë do të paguaj për kohën e tij”.
Campbell, që punon me artistë të tjerë tatuazhesh si Mark Machado (i njohur si Z. Cartoon) dhe Brian Woo (Dr. Woo), dëshiron ta ndryshojë këtë ekuacion.
Këtë javë, Campbell po hap një treg në internet, “All Our Best”, ku artistët e tatuazheve mund t’i ofrojnë modelet e tyre si mallra të përhershëm, të tregtueshëm në formën e “NFT-së”.
Sa për të rikujtuar: NFT, që qëndron si certifikatë për asete digjitale, është në thelb një vulë digjitale e vërtetësisë që aseti mund të blihet, shitet ose tregtohet si kripto-monedhë. Kjo është diçka larg botës së tatuazheve, ku artistët e njohur të saj marrin rreth 1 mijë dollarë për orë për një seancë prej një deri në tri orë, edhe kur punojnë me yjet e Hollywood-it.
Në këtë treg të ri klientët do t’i blejnë të drejtat ekskluzive për dizajnin e tatuazhit, në vend të asaj për vetë tatuazhin. "Unë po jua shes një ide, në vend të vetëm disa orëve të jetës sime", ka thënë Campbell, i cili ka vite që ka zbehur kufirin midis tatuazheve dhe arteve të bukura, duke treguar skulpturat dhe pikturat e tij të frymëzuara nga tatuazhet në galeritë dhe panairet e artit. "NFT është në thelb një kartë digjitale bejsbolli".
Si përfitim i pronësisë, blerësit marrin një vend të garantuar me artistin e tatuazheve – një gjë jo e vogël, pasi artistët e njohur të tatuazheve mund të jenë gati të pamundur për t’u rezervuar nga ata që janë jashtë hapësirë së të famshmëve.
Por, kjo nuk është e detyrueshme. Disa pronarë mund të zgjedhin ta ruajnë lëkurën e tyre të pangjyrosur.
Në teori, pronarët e tatuazheve “NFT” madje mund të porosisin një artist tjetër tatuazhesh për ta realizuar tatuazhin, përderisa kanë pronësinë e origjinalit. (Kopjimi i tatuazheve pa lejen e artistit është një problem i madh.)
Në fillim, “All Our Best” do të paraqesë tatuazhe vetëm të një grushti artistësh të njohur, si: Campbell, Z.Cartoon, Dr. Woo, Grime, Sean nga Texas dhe Tati Compton. Campbell planifikon ta zgjerojë listën dhe përfundimisht ta hapë tregun për çdo artist tatuazhesh që është i interesuar për ta shitur dizajnin e tij.
Ai nuk është i vetmi artist tatuazhesh që sheh mundësi në marketin digjital. Një artist në Portland, i quajtur Brad Wooten, për shembull, po shet foto të tatuazheve të dizajnuara si NFT.
Potenciali i fitimit është i konsiderueshëm. Çmimet për raundin fillestar të tatuazheve NFT në “All Our Best” do të variojnë nga 1 mijë dollarë në 10 mijë dollarë. Teknologjia gjithashtu ua lejon artistëve ta marrin një fitim prej 10 për qind sa herë që një vepër rishitet.
Klientët gjithashtu kanë fitim nëse puna vlerësohet, ndryshe nga konfigurimi aktual, ku "e vetmja gjë që ata marrin nga marrëveshja është një postim në ‘Instagram’ dhe disa të drejta mburrjeje", ka thënë Campbell. "Ata në fakt kanë diçka që mund ta mbajnë dhe t'ua transmetojnë fëmijëve të tyre, që ka një jetë përtej të qenët vetëm një tatuazh në krahun e tyre, e që brenda 10 vjetësh do të digjet nga dielli dhe do të jetë i paqartë".