Kulturë

Skulpturat e Hënës dhe NFT-të që bënë bujë në “Art Basel”

(AFP) – NFT-të kanë bërë bujë në panairin e “Art Basel” në Zvicër, ku bota e aseteve digjitale po merr hov. Panairi kryesor i artit bashkëkohor në botë ka marrë një kthesë futuriste këtë vit, duke u ofruar blerësve mundësinë për të parë skulpturat e tyre të vendosura në Hënë.

Artisti Jeff Koons planifikon të dërgojë 125 skulptura në miniaturë në Hënë me kompaninë “SpaceX” të multimiliarderit Elon Musk.

Skulpturat e vendosura për t’u instaluar 384 milionë e 400 kilometra larg nga pronarët e tyre do të shiten si NFT, të cilat funksionojnë si certifikata pronësie.

Statujat “Fazat e Hënës” vijnë me një foto të vendndodhjes së tyre në Hënë, dhe blerësit do të jenë gjithashtu në gjendje të marrin në shtëpi një skulpturë me një gur të çmuar që shënon vendin e homologut të tyre jashtëtokësor në Hënë.

“Ne po e shohim gjithashtu për herë të parë”, ka thënë drejtori i galerisë “Pace”, Marc Glimcher, teksa zbuloi një statujë në formë Hëne rreth madhësisë së një topi plazhi në shtandin e tij në Bazel.

Diku tjetër në “Art Basel”, ekrani LCD i artistit turk Ozgur Kar, i një burri të rrethuar me skelete, po shitet nga galeria franceze “Edouard Montassut”.

Ndërkohë, platforma “Vive Arts” ofron një zhytje në artin digjital me ndihmën e syzeve të realitetit të shtuar, duke paraqitur një avatar të artistit gjerman Albert Oehlen në një univers 3D.

Panairi u mbajt nga 16 deri më 19 qershor dhe përmbante gjithashtu një mori veprash jodigjitale nga një instalacion i artistit franko-kinez, Huang Yong Ping, që përshkruan një kuzhinë me buburreca gjigantë, deri te një seri portretesh të gdhendura në dru nga artisti franko-kamerunian, Barthelemy Toguo.

Një skulpturë merimangash nga skulptorja francezo-amerikane, Louise Bourgeois, arriti në 40 milionë dollarë.

Së bashku me shitjet e jahteve, makinave luksoze, orëve dhe bizhuterive, tregu i artit u rimëkëmb fuqishëm më 2021, pas goditjes së pandemisë në 2020.

Tregu i aksioneve u ringjall dukshëm vitin e kaluar, duke fryrë arkat e ultra të pasurve dhe inflacioni po u jep koleksionistëve të pasur edhe një arsye tjetër për të pasur piktura shumëmilionëshe.

“Pace” është një nga galeritë e pakta kryesore që ka hyrë në fushën e NFT-ve. Sipas Clare McAndrew, autore e një raporti të tregut të artit për “Art Basel”, vetëm gjashtë për qind e galerive shitën NFT në 2021.

Që nga kulmi në gusht 2021, NFT-të kanë rënë dukshëm. Ndërsa vëllimet e shitjeve të NFT-ve të lidhura me artin u rritën në 945 milionë dollarë në gusht, ato ranë në 366 milionë dollarë në janar dhe më pas në 101 milionë dollarë në maj, sipas të dhënave të McAndrew.

Megjithatë, këto ulje-ngritje nuk e shqetësojnë pronarin e galerisë “Pace”, i cili beson se NFT-të përfaqësojnë një “metodologji të re për shpërndarjen e artit digjital”.