Kulturë

Piktorja e ngjyrave të natyrës dhe aksesorëve me shenjat e lashtësisë

Pasi i përfundon ligjëratat online me nxënësit e shkollës së mesme teknike “28 Nëntori” në Prishtinë, profesoresha Valbona Gashi-Shala e gjen kohën që ta shpalosë rrugëtimin e saj në art.

Ngadalë fillon të flasë për dashuritë e saj. E nis me pikturën. Ndalet te natyra, aty ku gjen edhe frymëzimin. Veçon njërin nga lumenjtë më të rrëmbyeshëm në Shqipëri, atë prej të cilit edhe e ka marrë emrin.

Por piktorja 38-vjeçare nuk harron të përmendë edhe një gjë tjetër që e ka për zemër. Dashuria për trashëgiminë dhe dëshira për të pasur aksesorë të veçantë vënë në pah një talent tjetër të saj. Ajo realizon aksesorë me motive tradicionale, shkruan KOHA.

Adoleshente gjatë kohës së luftës, Gashi-Shala dëshirën për liri e kishte shprehur pikërisht përmes pikturave. Ani pse situata ishte e jashtëzakonshme, thotë se artin e kishte gjithmonë në mendje. Ishte një strehë e sigurt për të në një kohë kur për asgjë nuk kishte siguri. Diçka e bukur, në një kohë të shëmtuar.

“Arti është i bukur, përherë do të mbetet i bukur dhe vijimisht, ajo bukuri shpirtërore do të përcillet nëpër kohë. Arti i bukur do të krijohet, gjithnjë, kur preken shpirti dhe mendja”, thotë ajo. Nuk i pëlqen kur njerëzit nuk e vlerësojnë artin. Tregon se kjo ishte më e theksuar pikërisht në kohën kur ajo hidhte hapat e parë në këtë fushë. Në vitin 2002 mori pjesë në ekspozitën e parë kolektive, e quajtur ‘’Ekspozita e terrakotës’’, në “Art Qendër” në Prishtinë, e një vit më vonë u bë pjesë e ekspozitës studentore në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Në vitin 2004 u diplomua për pikturë në klasën e profesorit Esat Valla, në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Punën e saj Gashi-Shala e ekspozoi edhe në disa ekspozita të tjera kolektive si ajo “Studentët për studentët” në vitin 2005, në Galerinë e Qendrës Studentore në Prishtinë, e në vitin 2007 erdhi me ekspozitën e parë personale te “Hani i 2 Robertëve” në Prishtinë. Po atë vit në kryeqytet hapi edhe një tjetër ekspozitë personale, “Post 4”, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Prej atëherë vazhdimisht ekspozon.

Thirrja e brendshme për të pikturuar

Së fundmi Gashi-Shala u bë pjesë edhe e ekspozitës virtuale “Muzeu im”, që u hap nga Muzeu i Kosovës më 18 maj për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, për të afruar publikun me artin gjatë kohës së pandemisë së virusit COVID-19, ani pse vetëm virtualisht.

Sipas saj, artistin gjatë gjithë kohës nuk e lë të qetë një forcë e brendshme, e cila në një formë e detyron që të shprehë shqetësimin e vet shpirtëror. Kështu vlen edhe për të. Ajo nuk mundet pa e dëgjuar këtë thirrje të brendshme, e pa i hedhur në pikturë emocionet e ato që i ka në mendje.